Shkup, 2 nëntor – Qeveria sot në seancë e miratoi tekstin e draft-amendamenteve të Kushtetutës së RM-së në pajtim me Marrëveshjen e Prespës dhe konstatimet e Kuvendit.
Në konferencën për shtyp në Qeveri sot projekt – amendamentet i kumtoi kryeministri Zoran Zaev i cili tha se katër amendamentet janë të thjeshta, nuk kanë asgjë kontestuese dhe janë në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe se meritojnë mbështetjen prej të gjithë deputetëve në emër të integrimit në BE dhe NATO.
Draft-amendamentet janë përcaktuar përmes procesit gjithëpërfshirës dhe në to janë vendosur propozimet e grupit të ri të deputetëve të VMRO-DPMNE-së në Kuvendin e Maqedonisë. Deputetët në Kuvend, siç sqaroi Zaev, kanë mundësi përmes debatit dhe amendamenteve ta përmirësojnë tekstin e draft-amendamenteve të propozuara.
Amendamenti i parë, siç kumtoi kryeministri, ka të bëjë me ndërrimin e fjalës Republika e Maqedonisë me Republika e Maqedonisë së Veriut kudo në Kushtetutë përveç në nenin 36 ku është dhënë në aspektin historik.
I dyti ka të bëjë me Preambulën e Kushtetutës, ku, siç tha Zaev, vendimet e KAÇKM-së ndërrohen me Manifestin e Mbledhjes së parë të KAÇKM-së dhe shtohet Marrëveshja e Ohrit që të jetë element konstitutiv i shtetit.
Lidhur me Marrëveshjen e Ohrit, e cila futet në preambulën e Kushtetutës, kryeministri tha se kjo marrëveshje edhe deri më tani ka qenë e futur në Kushtetutë, por se argumentet të cilat janë dhënë në debat kanë qenë se tashmë kur hapet Kushtetua atëherë edhe Marrëveshja e Ohrit të vihet si element konstitutiv.
“Marrëveshja është pjesë Kushtetutës, është vendosur dhe këtu vetëm shtohet formulimi Marrëveshja e Ohrit”, tha Zaev.
Në amendamentin e tretë shtohet vetëm një paragraf, ndërsa ai është Republika e respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të vendeve fqinje, që jep garanci më të fuqishme për qëndrueshmëri dhe mosshkeljen e kufijve me Greqinë, edhe pse ka të bëjë me të gjithë fqinjët.
Në amendamentin e katërt, sqaroi kryeministri krahas përcaktimit të identitetit maqedonas qëndron se Republika i mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të vet të cilët jetojnë apo qëndrojnë jashtë shtetit dhe i zhvillon lidhjet e tyre me atdheun.
“Pikërisht ky amendament është për diasporën tonë, për të cilën ekziston kujdesi, por në një mënyrë evropiane. Është bërë riformulim i nenit 49 që të mos shkaktohen pengesa të tjera të caktuara në të ardhmen. Republika kujdeset për pjesëtarët e popullit maqedonas të cilët jetojnë jashtë vendit. Republika nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve të tjera dhe në punët e tyre të brendshme. Në mënyrë të thjeshtë është saktësuar, por përfundimisht është hequr çfarëdo frike prej të dyja palëve në negociata për çfarëdo qoftë në të ardhmen të paraqesë pengesë në ndërtimin e miqësisë midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”, tha Zaev.
Vlerësoi se për herë të parë në Maqedoni është siguruar shumicë prej dy të tretave për çështje të rëndësishme për shtetin dhe apeloi që të vazhdojë dialogu dhe debati me deputetët. E përsëriti edhe një herë se nuk ekziston mundësi për marrëveshje më të mirë e as për marrëveshje të re dhe se bëhet fjalë për marrëveshje të drejtë dhe të barabartë me përfitime për të dyja palët.
“Besoj se në fund të gjithë do të mbledhim kurajon dhe do ta marrim përgjegjësinë e cila na është dhënë prej qytetarëve të sjellim vendime në emër të tyre dhe t’i vëmë në pozita në për jetë më të mirë dhe më cilësore të cilën duan ta kenë në shtëpi. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është institucion, ndërsa deputetët janë të përzgjedhurit e popullit të cilët do ta sjellin vendimin lirshëm, duke e ndjekur interesin e qytetarëve”, theksoi Zaev.
Draft-amendamentet do të publikohen publikisht dhe do të jenë në dispozicion për opinionin. Ato do t’i dorëzohen Kuvendit të Republikës së Maqedonisë ku në afat prej 30 ditëve do të shqyrtohen dhe më pas do të organizohet debat publik. Më pas përsëri kthehen në Qeveri ku do të përcaktohen si amendamente kushtetuese ndërsa më pas përsëri i dorëzohen Kuvendit ku në afat prej 30 ditëve duhet të mbahet edhe seanca plenare përfundimtare në të cilën do të nevojitet shumicë prej dy të tretave.