Fatos RUSHITI
Shkup, 24 korrik – Koordinatori i planit qeveritar 3-6-9, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, të hënën, në hapësirat e Klubit të deputetëve, ka nisur fazën e parë të implementimit të masave nga sfera e gjyqësorit, bashkë më ministrin e Drejtësisë, Bilent Saliji. Para nisjes së takimit të parë punues, ku morën pjesë kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski dhe ai i Këshillit Prokurorial, Petar Anevski, zëvendëskryeministri Bujar Osmani tha se vlerësimi i gjykatësve do t’i kthehet si kompetencë Këshillit Gjyqësor, e jo siç është tani kompetencë e Këshillit të gjykatave të rregullta në vendin tonë, edhe atë duke u ndryshuar Ligji për vërtetimin e fakteve dhe vërtetimin e masave disiplinore. “Qeveria nuk do të ndërhyjë dhe nuk do të bëjë rizgjedhje të gjykatësve, por kjo kompetencë do t’i rikthehet fuqishëm Këshillit Gjyqësor. Ata do të bëjnë vlerësimin se cilët gjykatës duhet apo nuk duhet të jenë pjesë e sistemit gjyqësor”, deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, Bujar Osmani. Ai shtoi se rizgjedhja nuk do të bëhet në selitë e partitë politike, por as nuk do të bëhet sikur që është “Vetingu” në Shqipëri, pasi që secili sistem, siç tha Osmani, i adaptohet nevojave të shtetit. “Nevojën për reforma thelbësore dhe të thella në gjyqësor, ne e kemi konstatuar me konsensus edhe nga Qeveria e re, edhe nga shumica e re parlamentare, edhe nga Komisioni Evropian, edhe nga trupat e Këshillit të Evropës, mirëpo interpretimet në publik se rizgjedhja e gjykatësve do të bëhet në Qeveri ose do të bëhet në seli të partive politike, ai është interpretim i gabuar”, vuri në dukje Bujar Osmani. Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Bilent Salij, tha se Ministria e Drejtësisë vetëm se ka formuar Trupin reformues për ndjekjen e reformave në gjyqësor, ndërkaq gjithashtu dhe ka formuar edhe grupe punuese, të cilat do të punojnë në përpilim dhe hartimin e disa ideve ligjore. “Ministria e Drejtësisë në kuadër të planit “3-6-9”, në nënkapitullin drejtësia apo gjyqësori, e ka formuar Këshillin për ndjekjen e reformave në gjyqësor. Gjithashtu, ka formuar edhe grupe punuese, të cilët do të bëjnë përgatitjen dhe plotësimin e strategjisë në gjyqësor që Qeveria e Maqedonisë duhet ta miratojë deri në tetor të këtij viti. Gjithashtu, ky grup do të formojë edhe nëngrupe të tjera, të cilët do të punojnë në përpilimin dhe hartimin e disa ideve ligjore, siç është shfuqizimi i ligjit për vërtetimin e fakteve dhe vërtetimit të masave disiplinore. Me këtë do të bëjmë kthimin e të gjitha masave disiplinorë, prapë, në kompetencat e Këshillit Gjyqësor. Me këtë, mendoj se do të arrihet efekti i shumëpritur dhe i dëshiruar, që të kemi një gjyqësor të pavarur”, tha Sali. Ndryshe, në planin “3-6-9”, Qeveria e Maqedonisë në fushën e gjyqësorit, parasheh të bëjë reforma në 13 pika. Sa i përket çështjes Zvërlevski, zëvendëskryeministri Osmani, tha se herët a vonë, ai do të shkarkohet, ndërsa tani për tani ka rëndësi ndjekja e procedurës deri në fund të këtij procesi. “Tash është me rëndësi që të gjitha proceset që do të ndërmerren, qofshin reformuese apo kadrovike, të jenë nëpër procedurë ligjore. Të respektohen procedurat, e të njëjtat të jenë inkluzive, ndaj ajo iniciativë i ka kaluar të gjitha procedurat apo hapat ligjor, tani është në procedura parlamentare dhe ajo do të përfundojë herët ose vonë. Me rëndësi është të respektohen procedurat dhe të zbatohen reformat”, tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, në pyetjen e gazetarëve nëse vonesë në shkarkimin e Prokurorit të përgjithshëm, Marko Zvërlevski, do të ndikojë negativisht në reformat në gjyqësor. Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, tha se Qeveria në ditët në vijim do ta adresojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve si çështje e rëndësishme që është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit. “Në ditët në vijim Qeveria do ta shqyrtojë dhe shpresojmë shpejt ta miratojë ligjin për përdorimin e gjuhëve”, tha Osmani në pyetjen e gazetarëve para takimit të SÇE dhe Ministrisë së Drejtësisë, kushtuar implementimit të reformave nga Plani 3-6-9 që kanë të bëjnë me gjyqësorin”, theksoi Bujar Osmani, duke shtuar se nuk se nuk pret obstruksione nga opozita. “Mendoj se jo për atë që ata kishin qëndrim publik se do ta ndryshojnë raportin ndaj komunitetit shqiptar, sepse kanë konstatuar në parti se kanë pasur qasje të gabuar. Ne konsiderojmë se kjo është një mundësi ideale që VMRO-DPMNE-së ta korrigjojë qëndrimin dhe së bashku me konsensus ta sjellim ligjin për gjuhët. Ndjenjë të tillë kemi marrë nga qëndrimet publike të VMRO-DPMNE-së”, tha zëvendëskryeministri Osmani. Ndryshe në planin 3-6-9 në pjesën ku flitet për masat në pushtetin gjyqësor, Qeveria ka në plan të formojë grupe të punës për përgatitjen e një propozim-teksti për ndryshimet e Ligjit për Mbrojtje të informatorëve në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe Komisionit Evropian-së; Përgatitjen e një propozim-ligjit të ri për mbrojtje të dëshmitarëve; Formimin e një grupi punues për të shqyrtuar rekomandimet e Komisionit të Venedikut, lidhur me Ligjin për mbrojtje të privatësisë si dhe përforcimin e kapaciteteve kadrovike të Avokatit të Popullit. Në kuadër të reformave në gjyqësor, Qeveria po ashtu, do të propozojë shfuqizimin e ligjit për Këshillin për verifikim të fakteve dhe përgjegjësisë disiplinore të gjyqtarëve ndërsa do të ndryshojë me këtë rast edhe ligjin për Këshillin Gjyqësor, për shkak, siç thuhet në plan, të kthimit të kompetencave të Këshilli Gjyqësor.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara