Shkup, 28 mars – Kur kemi hyrë në Qeveri nuk ka pasur projekt teknik për linjën hekurudhore Kërçovë – Shqipëri dhe për rrugën Shkup – Bllacë që është vetëm 13 kilometra në territorin e Maqedonisë, nuk kishte përfunduar projekti Kërçovë – Ohër, nuk kishin përfunduar projektet e hekurudhës drejt Bullgarisë, autostradat ishin projektuar, por të pareviduara, ndërsa nuk ka pasur as projekt për rrugën Gostivar – Kërçovë, tha sot zëvendëskryeministri Koço Angjushev në forumin “Ekonomia e Maqedonisë midis vizioneve dhe dilemës”.
Angjushev paraprakisht, gjatë diskutimit, përmendi se për rritje të ekonomisë së vogël si ajo e Maqedonisë, përveç krijimit të kompanive eksportuese të orientuara dhe konkurruese, është e nevojshme edhe investim në projekte kapitale, por të qëndrueshme infrastrukturore për të cilat fillimisht është e nevojshme përgatitje e projekteve teknike dhe më pas edhe shpallje e tenderëve.
“Çfarë infrastrukture do të filloni të ndërtoni nëse nuk keni projekte teknike? Pa projekte teknike, keni vetëm dëshirë. Në shtatë-tetë muajt e fundit ne kemi hyrë në projektim. Tani ka projekte të gatshme për gjysmë rrugë nga Kërçova deri në Gostivar, për hekurudhën Kërçovë – Lin, për linjën hekurudhore drejt Bullgarisë, si dhe projekte të rishqyrtuara në autostradën përmes Korridorit 8. Praktikisht, tani më jemi të gatshëm të fillojmë me procedurat për tender. Por ato duhet të jenë transparente. Jemi në bisedime me institucionet financiare, BERZH-i dhe Banka Botërore, prej ku kemi sinjale pozitive për financim. Kur kemi projekte teknike dhe financim, kjo është infrastrukturë cilësore”, nënvizoi Angjushev.