Shkup, 8 tetor – Qeveria në seancën e sotme të jashtëzakonshme e shqyrtoi propozimin për fillimin e ndryshimeve të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe e përcaktoi tekstin dhe solli konkluzë që ta dorëzojë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, me qëllim që të shqyrtohet dhe të sillet vendim për fillimin e ndryshimeve të Kushtetutës.
Qeveria, siç informon zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski në konferencën e sotme për media, propozon shtimin e mbiemrit Veriore në emrin e Republikës së Maqedonisë dhe kjo të bëhet në tërë tekstin e Kushtetutës së vendit para fjalës Maqedoni. Propozohen edhe ndryshime në preambulën e Kushtetutës për shkak të harmonizimit me Marrëveshjen e Greqisë dhe ndryshimin e dy neneve.
“Në preambulë gjatë përmendjes së traditave shtetëroro-juridike do të emërohen dokumente konkrete të KAÇKM dhe do të vendoset manifesti i Seancës së parë të KAÇKM deri te populli maqedonas për seancën e mbajtur me vendimet e saj konstituive”, tha Boshnjakovski.
Qeveria, shtoi, propozon edhe ndryshime për garanci më të fuqishme të kufirit në nenin 3 të Kushtetutës që ishte ndryshuar njëherë në vitin 1992.
“Me propozimin e ri do të deklarohet respektimi i sovranitetit, integriteti territorial dhe pavarësia politike e shteteve fqinje dhe me këtë do të saktësohet garanci më e fuqishme për qëndrueshmëri të kufijve dhe se Republika e Maqedonisë nuk ka pretendime territoriale. Kjo do të thotë mbrojtje e integritetit territorial të Republikës së Maqedonisë dhe shteteve fqinje”, saktëson Boshnjakovski.
Qeveria propozon edhe ndryshimin e nenit 49 nga Kushtetuta për kujdes për maqedonasit dhe diasporën jashtë vendit, i cili gjithashtu u ndryshua në vitin 1992.
“Me amendamentin kushtetues tani do të deklarohet kujdes për të drejtat kulturore, ekonomike dhe sociale të pjesëtarëve të popullit në Maqedoni dhe gjithë qytetarëve tanë jashtë vendit pa nënkuptuar kjo përzierje në të drejtat sovrane të vendeve të tjera dhe në punët e tyre të brendshme në cilëndo formë dhe për çfarëdo arsye”, theksoi Boshnjakovski.
Tani, thekson, u mbetet të gjithë deputetëve në Parlament pa dallim se cilës parti i përkasin, të prononcohen për propozimin e Qeverisë.
“Ata kanë obligim historik dhe detyrë para qytetarëve ta sigurojnë rrugën e Maqedonisë drejtë stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit ekonomik. Kjo është rruga drejtë BE-së dhe NATO-s e cila çon drejtë Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë. Prej deputetëve pritet vendim në këtë drejtim dhe si shprehje e respektit të vullnetit të qytetarëve të cilët votuan në referendum, si dhe vullnetin e rreth 80 për qind të qytetarëve të cilët vazhdimisht po prononcohen se e miratojnë anëtarësimin e RM-së në NATO dhe BE”, tha Boshnjakovski.
Ai përmendi se deputetët duhet të sjellin vendim i cili do ta bëjë Maqedoninë vend të bukur për jetesë për çdo qytetar.
I pyetur nëse propozimi për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës do të thotë se tashmë është siguruar shumicë prej dy të tretave në Kuvend, Boshnjakovski tha se sot Qeveria e filloi procesin dhe pret që deputetët ta ndjekin zërin e popullit në referendum.
“Sot fillon procesi, dokumenti shkon në Kuvend, presim se që nesër deputetët do të fillojnë me punë dhe do të prononcohen”, theksoi Boshnjakovski dhe shtoi se Qeveria është propozues i autorizuar për ndryshimet në Kushtetutë.
“Propozimi për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës në Republikën e Maqedonisë në drejtim të ndryshimit dhe plotësimit të Kushtetutës” është vendosur në ueb faqen e Qeverisë.