Shkup, 27 maj – Qeveria ka shkarkuar nga detyra përfaqësuesin special në Bruksel të Maqedonisë, i ngarkuar për integrim në NATO, Lazar Elenovskin.
Nga Qeveria në deklaratë për gazetën “KOHA” thonë se për shkak se Maqedonia tanimë është anëtare e plotëfuqishme e NATO-s, vendi nuk ka nevojë për përfaqësues special për integrim në këtë Aleancë. “Duke pasur parasysh se Republika e Maqedonisë së Veriut tanimë është anëtare e plotë fuqishme e NATO-s nga 27 marsi I vitit 2020, nuk ka më nevojë për angazhim plotësues të përfaqësuesit special të Qeverisë në Bruksel për çështje nga fusha e integrimit në NATO. Pasi që nuk ka nevojë për angazhim të mëtejshëm të përfaqësuesit special, Qeveri solli vendim për shkarkimin e Llazar Elenovskit nga detyra e përfaqësuesit special për çështje të integrimit në NATO në Bruksel”, thonë për “KOHA” nga Qeveria.
I kontaktuar nga gazeta “KOHA”, Lazar Elenovski nuk deshi të komentojë vendimin e Qeverisë për shkarkimin e tij. “Nuk kam koment! Ende nuk jamë njoftuar për motivet dhe vendimin zyrtarisht”, deklaroi Elenovski.
Ndryshe, Llazar Elenovski ka qenë ish-ministër i mbrotjes i Maqedonisë, ndërsa në vitin 2018 me mbështetjen e BDI-së është zgjedhur përfaqësues special i Maqedonisë për integrime në NATO në Bruksel. Qeveria vendimin për shkarkimin e tij e ka sjell më 19 maj, ndërsa pas 8 ditësh, të mërkurën e ka publikuar në gazetën zyrtare. (koha.mk)