Nga Qerim LITA
Të premten e kaluar për lexuesit e gazetës shqiptare KOHA-Shkup, publikuam Deklaratën Politike të Kuvendit të Partisë Demokratike Popullore (në vazhdim PDP), botuar në gazetën maqedonase “Nova Makedonija” më 19 qershor të vitit 1991. Një javë më pas, përkatësisht më 27 qershor të atij viti, Ministria për Informim, e autorizuar nga Qeveria e RSM-së, lëshoi një komunikatë për mjetet e atëhershme të informimit, në të cilën veç tjerash atë e quan një “pamflet” nga ana e PDP-së, i cili çon, siç thuhet “kah destabilizimi i Republikës, kah cenimi i marrëdhënieve ndërnacionale…”, krejt kjo “me qëllim të arritjes së funksionit të shkëputjes së pjesëve nga Maqedonia dhe krijimin e një fiksioni për Shqipëri të madhe”. Në të siç do të shohim në vazhdim, shprehej tërë mllefi antishqiptar i të ashtuquajturës “Qeveri eksperte”, ku veç tjerash shqiptarët etiketoheshin me termin tepër irritues e ofendues “pakicë nacionale”. Dokumenti, prej tre faqesh gjendet në Arkivin e Maqedonisë, fondi 159. I njëjti botohet për herë të parë dhe i plotë.
* * *
KOMUNIKATË E MINISTRISË PËR INFORMIM TË QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË
“Me rastin e publikimit të Deklaratës Politike nga ana e Kuvendit të Partisë Demokratike Popullore (PDP) me seli në Tetovë në gazetën “Nova Makedonija” më 19 qershor të vitit 1991, Ministria për Informim të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë është e autorizuar të njoftoj për sa më poshtë vijon:
Deklarata Politike nga ana e Kuvendit të Partisë Demokratike Popullore përbën kulminacionin e vet të arogancës dhe sjelljes agresive të kësaj partie njënacionale, karekteristike për të thuajse në mënyrë konstante që nga vetë themelimi i saj. Ky pamflet politik në formë të deklaratës politike paraqet legjitimimin e padiskutueshëm për qëllimet dhe përpjekjet e Partisë Demokratike Popullore të cilat janë të orientuar kah destabilizimi i Republikës, kah cenimi i marrëdhënieve ndërnacionale, getoizimin e pjesëtarëve të pakicës nacionale në Maqedoni, krejt kjo me qëllim të arritjes së funksionit të shkëputjes së pjesëve nga Maqedonia dhe krijimin e një fiksioni për “Shqipëri të madhe”.
PDP që nga fillimi vë në dukje se në deklaratën e saj politike niset nga përcaktimet programore të partisë, edhe atë për shkak gjoja diskriminimit dhe mohimit e të drejtave nacionale të “kombit shqiptar në Jugosllavi”, si dhe “për shkak armiqësive dhe jotolerancës katastrofale midis kombeve”. Pranë kësaj, PDP-ë, pa as ç’far do lloj dyshimi niset përmes faktit se shqiptarët në vendin tonë, kuptohet edhe në Republikë, sipas asnjë dokumenti ndërkombëtar nuk mund të shpallen si komb, ndërsa si pakicë nacionale i gëzojnë të drejta shumë më të mëdha se sa cilado pakicë në Evropë – kanë shkollat, shtypin, programin e radios e të televizionit, teatro në gjuhën amtare dhe shumë të tjera. Si duket PDP-ë ka haruar se edhe vet ajo me përcaktimet e saja programore në përmasa të mëdha kontribuon për “armiqësitë dhe jotolerancën në mesin e kombeve”, siç konstaton në deklaratën e saj politike.
PDP, padyshim se manipulon me të dhënat e saja të pasakta të popullsisë shqiptare në Jugosllavi, duke pohuar se ai numër është mbi 3 milion shqiptarë, ndërsa motivi për manipulim të këtillë është thënë në mënyrë të qartë e të padiskutueshëm në pikën 2 nga Delarata e përmendur, ku futet në funksion e të “drejtës për shkëputje nga robëria totalitare e asimiluese pansllaviste”. Qeveria e Maqedonisë vlerëson se një qëndrim i tillë i PDP-së deri më tash paraqet shprehje e paparë të tolerancës ndërnacionale dhe shovinizëm nga ana e ideologëve të PDP-së dhe hartuesve e të ashtuquajturës deklaratë politike të Kuvendit të kësaj partie. Kulmi i agresivitetit të PDP-së është angazhimi që: bartës i sovranitetit të Republikës së Maqedonisë të jetë kombi shqiptar që jeton në Maqedoni. Me një qëndrim të tillë PDP-ë prek në mënyrë më brutale në të drejtën historike për maqedonasit të cilët janë bartësit e sovranitetit të shtetit të tyre të vetëm nacional, Republika e Maqedonisë.
PDP, gjithashtu pa asçfarë ndjenjash të realitetit i mohon përfitimet të bashkëjetesës thuajse afër pesëshekullore pas luftës, kur edhe vetë pakica shqiptare në Maqedoni përjetoi rilindje të paparë në të gjitha fushat. Në mënyrë të veçantë është provokuese edhe paralajmërimi i PDP-së që mos t’i pranoj vendimet e “Samitit-Jugosllav” dhe kërkesën për zgjidhjen në “bashkimin mbarëkombëtar në një shtet të vetëm shqiptar në Ballkan”. Kërkesa për “një shtet të vetëm shqiptar në Ballkan”, është në kundërshtim me parimet e mosdryshimit të kufijve shtetëror në Evropë që e ka dokumenti përfundimtar i KEBS-it në Helsinki dhe është përpjekje retrograde në raport me proceset të lëshimeve dhe bashkëpunimit të kontinentit të vjetër, tërheqë vërejtjen Qeveria e Maqedonisë. Qeveria republikane në mënyrë më serioze vë në dukje për shkeljen e normave të veprimtarisë politike dhe sjelljes civilizuese nga ana e kësaj Partie, të manifestuara në deklaratën e saj politike. Tezat e paraqitura në Deklaratën Politike të PDP-së publikohen për herë të dytë në opinion, ndërsa kjo për herë të parë qe bërë në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” në fillim të këtij viti, por, si gabim shtypi. Në deklaratën e saj politike PDP-ë i përmend edhe “hegjemonistët maqedonas” të cilët “i diskriminojnë shqiptarët”, pranë së cilës duke e heshtur në mënyrë të papërgjegjshme gjendjen faktike në Republikë e cila fare nuk korrespondon me pohimet e këtilla të kësaj partie. PDP-ë e akuzon pushtetin maqedonas se është përcaktuar për “regresin” pa bërë përpjekje që edhe vetë ajo ta sheh se çfarë ka parashikuar Qeveria maqedonase, për shembull në Programin e saj për zhvillimin e Republikës në periudhën e mandatit rrjedhës.
Qeveria e Maqedonisë do t’u kundërvihet në mënyrë më të vendosur çdo lloj përpjekjeve për themelimin e një farë “parlamenti mbarëshqiptar, si bartës të platformës mbarëshqiptare në Jugosllavi”, në territorin e Republikës, për çka angazhohet Partia Demokratike Popullore. Qeveria e Maqedonisë tërheqë vërejtjen se Partia Demokratike Popullore të shqiptarëve të Maqedonisë do të bartë përgjegjësi të plotë për shkak qëndrimeve të cilat i ka paraqitur në Deklaratën Politike të saj me çka përfolet për rrënimin e integritetit territorial të vendit e të Republikës së Maqedonisë, të cilat qëndrime nuk mund t’i kuptoj e t’i pranoj askush në botë sepse janë në kundërshtim me dokumentet e OSBE-së në Helsinki, të cilat dokumente prej para pak kohësh i nënshkroi dhe i pranoi, dhe njëkohësisht është e obliguar t’i respektoj edhe shteti i Shqipërisë. Për qëndrimet e PDP-së të paraqitura në Deklaratën Politike me çka aspirohet rrënimi i rregullimit e të traditave të cilat ndërtohen në Evropë, Qeveria e Maqedonisë do ta informoj Parlamentin Evropian, anëtarët e Bashkësisë Evropiane dhe opinionin më të gjerë evropian e botëror.
Shkup 27. 06.1991
MINISTRIA PËR INFORMIM E QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË”. (koha.mk)