Krahas huazimit të ri, nuk ka dilemë se sfidë do të jetë edhe një balancim midis masave shtrënguese për të luftuar dhe mbajtur koronavirusin nën kontroll dhe vazhdimit të funksionimit të ekonomisë dhe biznesit në mos në kapacitet të plotë, atëherë së paku në atë kapacitet që nuk do të lejojë mbylljen më të madhe të kompanive
Fisnik PASHOLLI
Kriza e pandemisë ka goditur ekonomitë e tërë botës. Goditja më e fortë financiare, ekonomike dhe sociale pritet në muajt e vjeshtës dhe dimrit kur do të rritet edhe kostoja e jetesës për qytetarët. Pritet që edhe rimëkëmbja ekonomike të jetë e ngadalshme. Ekonomistët parashikojnë disa skenare për rikthimin në normalitet duke filluar nga skenari i parë sipas shkronjës V ku kemi rënie të madhe , por edhe rikuperim të shpejtë pas periudhës së shkurtër të krizës. Në skenarin e dytë “U”, do të vazhdohej me qëndrimin poshtë , por me një rikthimin relativisht të shpejtë të mëvonshëm në normalitet. Në skenarin e tretë, me një V të dyfishtë amerikane
parashikohet zgjatja e krizës në rast shtetet detyrohen sërish të kenë një mbyllje në vjeshtë për shkak të krizës së sërishme me virusin. Në skenarin e fundit “U”, kemi një situatë të vështirë ku rënia teposhtë është e madhe, përderisa afati i rikuperimit nuk duket në horizont.
Për t’u rikthyer aktualitetit tonë politik dhe ekonomik, qeveria e re do të ketë para saj një krizë me të vërtetë të madhe pas muajit shtator kur do të duhet të zgjidhë çështjet nga më të ndryshmet në nivel ditor, javor, mujor por edhe tremujor dhe më gjatë.
Krahas huazimit të ri, nuk ka dilemë se sfidë do të jetë edhe një balancim midis masave shtrënguese për të luftuar dhe mbajtur koronavirusin nën kontroll dhe vazhdimit të funksionimit të ekonomisë dhe biznesit në mos në kapacitet të plotë , atëherë së paku në atë kapacitet që nuk do të lejojë mbylljen më të madhe të kompanive, vazhdimin e punës konform ruajtjes së shëndetit publik….
Të mos harrojmë se sivjet një dëm të madh do të kenë bizneset e vogla që në një pjesë të madhe varen nga konsumi i mërgimtarëve të cilët këtë vit për shkak të karantinës së obligueshme në shtetet perëndimore pas kthimit nga Ballkani perëndimor dhe frikës edhe të humbjes së vendit të punës, kanë ulur në minimum ardhjet në vendlindje. Kjo do të ndikojë jo vetëm në vështirësitë për mbijetesë të këtyre bizneseve, por në mënyrë indirekte edhe në uljet e konsumit, TVSH-së, remitancave e kështu me radhë. Apo me fjalë të tjera shteti do të ketë më pak të ardhura në arkën e tij.
Pritet që të kemi edhe ulje të konsiderueshme të eksportit si rrjedhojë e uljes së kërkesës për prodhimet e fabrikave në zonat teknologjike. Ulje do të ketë edhe në ardhjen e turistëve të huaj .
Është vështirë që tani të përllogariten humbjet ekonomike të shkaktuara , mirëpo që tani mund të thuhet se ato do të jenë të mëdha. Nevojitet edhe Investim më serioz dhe sistematik në muajt në vijim në spitalet më të mëdha në vend, jashtë Shkupit,
Ndoshta është edhe koha e fundit të definohen koeficientët e pagës më të drejtë për pagesën e administratës që do të shpërblejë mundin dhe punën dhe do të nxjerrë në pah edhe ato që punojnë më pak. Apo me fjalë të tjera, koha është që nënpunësit të paguhen sipas kontributit të tyre real në punë. Çështje e hapur mbetet si të ushqejmë veten dhe të mos varemi nga importi i ushqimit edhe për qumësht, mish, vaj, e kështu me radhë. Problem më vete mbetet edhe ristrukturimi i ndërmarrjeve në pronësi shtetërore që në një pjesë të madhe punojnë me humbje apo nuk janë efikase, ndërsa disa prej tyre po shpërblejnë me paga shtesë punëtorët e tyre edhe në kohë krize. Dhe në fund dhe jo më pak me rëndësi, mbetet hapja e një debati më serioz për racionalizimin dhe uljen e numrit të ministrive dhe komunave, si dhe përforcimi i kapacitetit të shtetit nesër që më lehtë të tërheqë fondet evropiane kur do të hapen negociatat me Bashkimin Evropian. Këto të holla do të lehtësonin edhe kapërcimin e krizës ekonomike së shkaktuar nga pandemia. (koha.mk)