Njohësit e rrethanave euro-integruese thonë se Komisionit Evropian i duhen mesatarisht tre muaj që të përgatis kornizën e bisedimeve, për të cilën vendet anëtare duhet të bisedojnë dhe pasi të jenë dakorduar të njëjtën ia propozojnë Qeverisë sonë
Destan JONUZI
Shkup, 31 mars – Liderët e Bashkim it Evropian (BE) edhe formalisht e kanë miratuar vendimin me të cilin Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë i hapen “portat” për fillimin e bisedimeve. Në menynë e bisedimeve të parat do të radhiten temat më problematike. Gjyqësori, të drejtat dhe lirit e njeriut, siguria etj., janë pjesë të Kapitullit 23 dhe 24 që janë të parët që do të bisedohen, por do të jenë të fundit që do të përmbyllen. Në grupin e parë, të metodologjisë së re evropiane të zgjerimit janë shtuar edhe kriteret ekonomike, funksionimi i institucioneve demokratike, reformat në administratën publike, furnizimet publike, statistika dhe kontrolli financiar.
Dr. Marija Risteska, drejtoresh ekzekutive e Qendrës për Hulumtim dhe Krijimin e Politikave (CRPM) thotë se nëse shikojmë në aspekt historik, Komisionit Evropian i duhen mesatarisht tre muaj që të përgatis kornizën e bisedimeve, për të cilën vendet anëtare duhet të bisedojnë dhe pasi të jenë dakorduar të njëjtën ia propozojnë Qeverisë sonë.
“Duke marrë parasysh faktin se vendi ynë ka Qeveri teknike do të pritet deri në zgjedhje që të mund qeveria e re të përcaktojë pozicionet negociuese, dhe më pas të miratojë kornizë e bisedimeve dhe te fillohet me to. Në ndërkohë edhe metodologjia për zgjerim është ndryshuar dhe ka bërë riorganizim të kapitujve, por në bisedime i kyç edhe çështjet për të cilat deri më tani nuk ka pasur vlerësime. Komisioni do të sfidohet që të përgatit kornizë bisedimesh në kushte të reja. Mendimi im është se për të gjitha këto çështje ka kornizë standardesh të reja nga Këshilli i Evropës, të cilat mendoj se BE do ti shfrytëzojë gjatë definimit të kornizës, por detyra do të jetë e re dhe nga tani nuk mund të parashikojë se çfarë do të përmban”, deklaroi për KOHA, Risteska.
Në anën tjetër, publicisti nga Tirana, Lutfi Dervishi thekson se situata që po jetojmë është e jashtëzakonshme dhe vendimi historik që i hapi dritë jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk u festua siç duhej të festohej as në Tiranë, as në Shkup. “Hapja de facto e bisedimeve nis me konferencën ndërqeveritare, e cila pritet të ndodhë me Presidencën Gjermane të BE-së. Maqedonia e ka më të lehtë për shkak se nuk ka kushte dhe objeksione nga shtetet anëtare. Shqipëria e ka më të vështirë për shkak të kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman, Holanda, Franca, Danimarka dhe Greqia. Vështirësia shtohet po të kihet parasysh pandemia që po jetojmë”, deklaroi për KOHA, Lutfi Dervishi, publicist.
Para se edhe formalisht të fillojnë bisedimet me BE-në, është e nevojshme që Komisioni Evropian të dorëzoi propozim kornizën e bisedimeve këshillit të ministrave, dhe pasi që të jenë pranuar nga Këshilli do të caktohet seancë ndër-qeveritare e cila sipas zëvendëskryeministrit, Bujar Osmani mund të ndodh më së voni deri në qershor. “Konferenca e parë ndër-qeveritare duhet të thirret sa më herët që është e mundur, menjëherë pasi që të miratohet korniza e bisedimeve nga Këshilli i Evropian”, thuhet në një nga konkluzionet e KE-së. Ndërkohë vijon skriningu bilateral për të cilin nuk ka kornizë të caktuar kohore, para se të fillohet me bisedimet. Zëvendës kryeministri Osmani dhe këshilltari për euro-integrime Bojan Mariçiq, që nga viti 2018 në një konferencë shtypi të përbashkët paralajmëruan se po formohen ekipe negociuese, por edhe pas dy viteve ende nuk është publikuar informacioni se kush do të merr pjesë në to.
Lupço Petkovski njohës i politikave evropiane thekson se Maqedonia është e gatshme për fillimin e bisedimeve me BE-në, dhe se duhet vetëm se organizim dhe motivim. “Mendoj se Maqedonia është e gatshme për fillimin e bisedimeve, në suaza që strukturat ekzistuese të bisedimeve mund të vihen në funksion. Duhet vetëm se organizim i mirë, motivim i njerëzve në sektorin publik, duke i përfshirë edhe të interesuarit të cilët nuk janë pjesë e administratës publike. Në këtë drejtim mendoj se jemi në pozicione edhe më të mira nga shtetet të cilat janë tanimë në bisedime. Megjithatë nuk duhet që këtë proces ta bëjmë mit, por mirë ta organizojmë. Do të duhet një parapërgatitje e vogël e strukturave në raport me metodologjinë e re”, deklaroi për KOHA, Petkovski. Sipas tij, Maqedonisë i nevojitet një marrëveshje politike rreth kufizimit të rolit të politikës në procesin e përforcimit të rolit të administratës publike. Ai po ashtu potencon, se Organizatat joqeveritare duhet të mbikëqyrin, këshillojnë dhe luajnë disa role të cilat, si shprehet ai, vetëm ato mund ti luajnë për shkak të natyrës fleksibile të procesit.
Ndryshe, me metodologjinë evropiane 35 kapitujt e bisedimeve janë grupuar si pako të veçanta. Në gjashtë grupet tematike janë përfshirë të drejtat dhe lirit e njeriut, ekonomia, tregu i brendshëm-konkurrenca dhe rritja inkluzive, agjenda e gjelbër, bujqësia dhe kohezioni, si dhe politika e jashtme. Pas ndryshimit të emrit të shtetit, kreu qeveritar në vitin 2018 paralajmëroi datë për fillimin e bisedimeve do të marrë në qershor të vitit 2019. Por, më pas pasojë anulim për në tetor. Pasi që edhe atëherë vendi nuk mori datë për fillimin e bisedimeve, për shkak të kërkesës së Presidentit francez Emanuel Makron për metodologjinë e zgjerimit të BE-së, kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev paralajmëroi zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjedhjet ishin të planifikuara për më 12 prill, mirëpo për shkak të pandemisë botërore me Kovid19, aktivitetet për të njëjtat janë ngrirë, deri në një moment të përshtatshëm për mbajtjen e tyre. (koha.mk)