Shkup, 10 gusht – Në Parlamentin e Maqedonisë pasditen e së hënës është zhvilluar takim mes liderit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev dhe liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, si pjesë e bisedimeve për të formu shumicë parlamentare dhe qeveri të re, raporton gazeta KOHA.
“Më vjen keq që nuk mund të njoftojmë sot se ekziston një marrëveshje me palët me të cilat po bisedojmë, logjikisht bisedimet do të vazhdojnë në ditët në vijim”, deklaroi Zaev pas takimit, përcjell KOHA. Ai beson se nuk do të humbin kohë në përcaktimin e resorëve, sepse ata tashmë e dinë se kush, për çka është gati të marrë përgjegjësi.
Në anën tjetër, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti pas takimit me Zaevin, në deklaratë për media tha se bisedimet tani kanë filluar, por shpreson që palët të kenë vullnetin e fortë për t’i tejkaluar dallimet. “Ne tani kemi filluar nuk ka shumë takime që janë bërë sot është takimi i dytë dhe unë shpresoj që të gjitha palët do të kenë vullnetin e fortë për t’i tejkaluar ato dallime, vështirësit të cilat janë duke u menduar”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Ndërsa për bisedimet me LSDM, kreu integristëve tha se sa janë afër, aq janë edhe larg. “Unë mendoj se sa jemi afër, aq jemi edhe larg, por gjithmonë palët duhet të kenë parasysh interesat madhore të shtetit”, theksoi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, përcjell KOHA.
Ndryshe, kreu i BDI-së Ali Ahmeti para takimit me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev u ka dërguar një ftesë të gjitha partive politike shqiptare për një takim të përbashkët më 13 gusht ora 12 në Shkup, në datën që shënon 19 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, me qëllim të koordinimit ndërshqiptar për idenë e BDI-së për kryeministër. Takimi Zaev -Ahmeti zgjati dy orë, ndërsa dy liderët ishin të shoqëruar edhe nga sekretarët partiak, Lupço Nikollovski nga LSDM-ja dhe Artan Grubi nga BDI-ja. (D.J/Koha.mk)