Prokuroria e Tiranës filloi hetim rreth fakteve të publikuara në lidhje me zgjedhjen e kompanive për projektin për ndërtimin e unazës në Tiranë.
Verifikimi bëhet për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal të Shqipërisë, falsifikimi i dokumenteve, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal, shkelje e barazisë në tendera, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal i Shqipërisë.
Prokuroria shqiptare garanton vlerësimin me objektivitet të fakteve, objekt i këtij hetimi duke kryer veprimet hetimore brenda një afati të arsyeshëm.
Firma “Dunuell Haberman” vepron në Shqipëri përmes filialit të saj vendas “DH Albania”, e cila ka fituar një tender prej rreth 20 milionë dollarësh për një prej segmenteve të unazës së madhe në Tiranë.
Firma dyshohet se ka kryer dy falsifikime për të siguruar kontratën në Shqipëri. Ka falsifikuar datën e krijimit; në Dalaueare kompania figuron e regjistruar para 6 muajsh, në 25 qershor 2018, ndërsa në Shqipëri ka depozituar dokumente, sikur ekziston që nga qershori i 1998.
Dokumenti i dytë, që dyshohet të jetë falsifikuar, është një certifikatë e Sekretarit të Shtetit se kjo firmë nuk i ka detyrime fiskale shtetit. Zëdhënësi i Sekretarit të Shtetit Doug Denison, i tha Zërit të Amerikës, se për certifikatën nuk ka pasur asnjë kërkesë nga firma dhe as nuk është lëshuar ndonjë dokument.
Dokumentet e falsifikuara dolën për herë të parë në Shqipëri mbrëmë, gjatë emisionit Të Paekspozuarit” në televizionit News24.
Sipas zëdhënësit, çështja pritet t’i kalojë për hetime penale zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në Daleuare, që drejtohet nga Mat Denn. Nëse autoritetet gjejnë shkelje, firmës mund t’i anulohet regjistrimi si biznes në këtë shtet dhe ndaj saj mund të ngrihen akuza kriminale. Meqë kompania ka aktivitet në një vend tjetër, jashtë Shteteve të Bashkuara, rasti mund t’i referohet për ndjekje edhe Departamentit të Drejtësië në Uashington.
Shteti Delauare, njihet si një prej shteteve që ka ligje tepër favorizuese ndaj korporatave. Mijëra kompani amerikane janë të regjistruara në këtë shtetet, për të përfituar nga taksat. Dalauare njihet edhe si “parajsë fiskale” pasi nuk mbledh taksa nga korporatat që, ndonëse të regjistruara aty, nuk ushtrojnë aktivitet në këtë shtet.
Në bazë të ligjeve të shtetit, korporatat e regjistruara aty, nuk janë të detyruara të publikojnë emrin e drejtuesit të kompanisë ose të aksionerëve të saj.Në Delauare, regjistrimi i kompanisë mund të bëhet edhe pa qenë fizikisht i pranishëm dhe ka firma të tjera që e kryejnë këtë funksion për klientin. Në bazë të dokumenteve të regjistruara në këtë shtet, firma Dunuell Haberman është regjistruar përmes firmës “Apex Resident Agent Service”.