Shkup, 9 korrik – Në propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Qeveria në seancën e sotme e miratoi Propozim-ligjin për arsim fillor, i cili do të dorëzohet për miratim në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Siç bëri të ditur pres shërbimi qeveritar, miratimi i ligjit për arsim fillor është me qëllim të rregullimit cilësor të kushteve dhe procedurës për themelim, ndryshimet statusore dhe ndërprerjen e shkollave fillore, veprimtarinë e tyre, sistemin për sigurimin dhe vlerësimin e cilësisë të arsimit fillor, rregullimin e veprimtarisë edukative arsimore të arsimit fillor, menaxhim, zhvillim dhe financim të arsimit fillor, të drejtat dhe obligimet e nxënësve, prindërve, kuadrit mësimor dhe të tjerë në arsimi fillor, rregullimin e të drejtave të nxënësve me nevoja të posaçme arsimore dhe mbikëqyrjen mbi punën e shkollave fillore.
Në propozim-ligjin e ri është përfshirë edhe strategjia e përgjithshme e drejtuar ndaj sistemit arsimor inkluziv për të gjithë nxënësit me aftësi të kufizuara.
Në seancën e sotme është miratuar dhe deri te Kuvendi do të dorëzohet edhe Propozim – ligji për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesional në shkollat fillore dhe të mesme. Qëllimi i ligjit është që të sigurohen kushte për përmirësimin e vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesional, si dhe mundësim të zhvillimit të tyre të karrierës gjatë marrëdhënies së punës.
.“Me zhvillimin profesional dhe të karrierës së mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorët profesional do të rritet motivimi i tyre, ndërsa do të përmirësohet edhe cilësia e procesit edukativo-arsimor në shtetin tonë”, thekson pres shërbimi i Qeverisë.
(koha.mk)