Shkup, 23 shkurt – Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për projektin “Rehabilitimi efikas energjetik i konvikteve studentore në Republikën e Maqedonisë së Veriut” që ka të bëjë me avancimin e rindërtimit efikas energjetik dhe modernizimit të ndërtesave publike të zgjedhura në sektorin e arsimit (konvikte studentore në pronësi të shtetit) në Maqedoninë e Veriut, rritje konkrete e efikasitetit energjetik, integritetit strukturor dhe komoditetit themelor.
Siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, Programi do të fokusohet në konvikte studentore në pronësi shtetërore në këto qytete: Shkup, Prilep, Manastir, Ohër dhe Shtip.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e ngarkoi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës që të përfshijë konviktin “Stiv Naumov” si prioritar në projektin “Rehabilitimi efikas energjetik i konvikteve studentore në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
“Bashkë me rinovimin e efikasitetit energjetik të ndërtesave dhe përforcimin strukturor, masat themelore për rehati do të jenë pjesë thelbësore e Programit, siç është rinovimi i instalimeve sanitare, rinovimi i pajisjeve elektrike, masat e sigurisë, dhomat standarde të punës, etj. me qëllim të përmirësimit të mjedisit jetësor mësimit për studentët”, informoi pres shërbimi qeveritar.