Prishtinë, 20 nëntor – Qeveria e Kosovës me anë të një deklarate ka shprehur zhgënjimin e saj lidhur me mospranimin e Kosovës në INTERPOL.
“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik”, citohet në deklaratën e Qeverisë.
Sipas qeverisë kosovare, votimi kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare i bën shërbim vetëm krimit dhe kriminelëve dhe askush nuk do të duhej t’i gëzohej këtij fakti.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, falënderon të gjitha shtetet që votuan pro, si dhe të gjithë ata që u përpoqën ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces të rëndësishëm”, citohet në deklaratën e qeverisë kosovare duke theksuar se Kosova do të vazhdojë konsolidimin e institucioneve të saj dhe në një të ardhme shumë të afërt do të jetë edhe anëtare e plotë e INTERPOL-it.