Një interpelancë është vendosur në rend dite në Parlament, dy presin të arrijnë për debat dhe votim, ndërsa edhe një është paralajmëruar. Çfarë thanë opozita dhe pushteti për interpelancat për ministrin Spasovski, Mariçiq dhe Nikollovski?
Xhenur ISENI
Shkup, 22 prill – Në muajin shkurt, interpelancën për ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski e ngritën Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, dy-tre ditë pasi ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov u zhduk, dhe më pas personalisht u paraqit para prokurorisë. Në sqarimin për interpelancën, ASH-AAA akuzojnë se arratia dhe pastaj kthimi në Maqedoni nuk mund të ndodhte pa ndihmën e dikujt nga pushteti, dhe se përgjegjës për këtë është vet Spasovski. “Pa marrë parasysh nëse ai e ka shoqëruar, nëse ka organizuar shoqërim, nëse i ka mbyllur sytë ose ka fjetur kur ka ikur ai, duhet të ketë përgjegjësi për këtë, ndërsa për ne – emri i veçantë për këtë përgjegjësi është Oliver Spasovski”, potencuan nga Aleanca për Shqiptarët në sqarimin për interpelancën e publikuar në ueb faqen e Parlamentit.
Ish shefi i DSK-së në shkurt para shqiptimit të aktgjykimit për rastin “Target-Fortesa”, u zhduk për organet shtetërore, ndërsa pas kërkimit dyditor, vetë u paraqit para prokurorisë duke thënë se “nuk ka parë se po e kërkojnë, sepse ka qenë në vetëizolim me simptoma të virusit korona”. Në të njëjtën ditë, kryeministri Zoran Zaev para Qeverisë, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme dhe ai i Drejtësisë, Oliver Spasovski dhe Bojan Mariçiq, tha se paraqitja e Mijallkovit është një rast i përfunduar me sukses nga ana e institucioneve të shtetit. “Institucionet treguan se mësojmë nga arratisja e Gruevskit. Institucionet grushtuan tavolinës dhe proceduan. Ata ndërmorën gjithë masat e rregullta dhe të jashtëzakonshme lidhur me arratisjen e Sasho Mijallkov. Gjitha hapat e tyre janë ndërmarrë në përputhje me ligjet. Alarmi duhet të jetë i kyçur para secilit që është me përgjegjësi penale apo përgjegjësi tjetër, dhe shteti dëshmoi se është e përgatitur të jetë servis i qytetarëve”, tha Zaev. Në rastin “Target-Fortesa”, Mijallkovi u dënuaa me 12 vite burg, ndërsa për rastin “Thesari”, këtë muaj mori edhe 8 vite burg. Derisa aktgjykimet të bëhen të plotfuqishme, ai gjendet në burgun e Shutkës.
INTERPELANCA PËR MINISTRIN MARIÇIQ
VMRO-DPMNE dorëzoi interpelancë edhe ndaj ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq, para se Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa të dorëzojnë për Spasovskin, por kjo ende nuk është vendosur në rend dite në Parlament. Interpelanca është dorëzuar më 1 shkurt, menjëherë pas publikimit të raportit të “Transparency International” për perceptimin e korrupsionit, në të cilën Maqedonia e Veriut është ranguar më keq sesa vjet, apo me rënie prej 5 vendeve në raport të vitit të kaluar, dhe u gjend në vendin e 111. VMRO-DPMNE në interpelancë i ka numëruar aferat si “Leonardo” për furnizimin e sistemeve të radarëve nga kompania italiane e me të cilën lidhet ish-sekretari gjeneral i Qeverisë, Dragi Rashkovski, tanimë i akuzuar në rast tjetër për furnizimin e softuerit për MPB-në. Nga partia opozitare në interpelancë kanë përmendur edhe financimin e gomarëve dhe parukerive me mjete evropiane, reketin, dhe dhjetëra skandale tjera korruptive të Qeverisë.
“Këtë interpelancë për punën e ministrit Bojan Mariçiq e dorëzojmë për shkak të paaftësisë së tij të udhëheqë me funksionin dhe suksesshëm të ballafaqohet me korrupsionin në Republikën e Maqedonisë. Në vend që të luftojë me të vërtetë kundër korrupsionit, ai po mashtron opinionin me luftë të rrejshme ndaj korrupsionit, qëllimi i së cilës është vetëm arritja e poenëve politik për LSDM-në”, potencojnë nga VMRO-DPMNE. Për raportin e organizatës ndërkombëtare, nga Qeveria kumtuan se janë të vetëdijshëm për alarmin dhe se fuqishëm përkushtohen për ta ndryshuar fotografinë dhe perceptimin në luftën kundër korrupsionit. “Pa dallim se ulja e perceptimit për korrupsion është proces më i ngadaltë nga ulja faktike, sigurojmë se do të ndryshojë perceptimi te qytetarët, për secilin vendim gjyqësor, me secilën fazë të ardhshme nga pastrimi që ka filluar dhe që tregoi rezultate të dukshme”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
INTERPELANCË PËR NIKOLLOVSKIN
Në të njëjtën ditë kur dorëzuan interpelancë për ministrin Mariçiq, VMRO dorëzoi interpelancë edhe ndaj zëvendëskryeministrit për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski. Arsyeja është e njëjtë, rangimi i keq në raportin e “Transparency International”, ndërsa të njëjta janë edhe sqarimet të potencuara në interpelancë. “Për këtë, patjetër duhet të merret përgjegjësi. Që ironia të jetë më e madhe, Qeveria më e kriminalizuar ka ministër për luftë kundër korrupsionit. Dhe nuk është e mjaftueshme dorëheqja e tij apo vetëm dorëheqja e ministrit të Drejtësisë. Qeveria duhet të rrëzohet. E gjithë Qeveria duhet të jep dorëheqje”, potencojnë nga VMRO-DPMNE në interpelancën e parashtruar.
Ministri Nikollovski, pas raportit të publikuar nga “”Transparency International”, kërkoi kohë për veprim, sepse siç tha ai, dobësitë kanë qenë për 30 vite, ndërsa ai në këtë funksion ende nuk e ka bërë një vit të plotë. “Më së paku Lupço Nikollovski mund të jetë fajtorë apo Bojan Mariçiq në këtë pjesë të mosfunksionimit ose mosvendosjes pikërisht të atyre mekanizmave të fuqishme që duhet të ekzistojnë mes gjitha institucioneve dhe probleme që nuk janë zgjedhur jo vetëm me vite, por me dekada”, tha atëherë Nikollovski.
PARALAJMËROHET INTERPELANCË EDHE PËR FILIPÇEN
Më 16 mars, VMRO kumtoi se kanë dorëzuar interpelancë për ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, në të cilën si arsye i potencuan “numrin e madh të viktimave nga virusi korona, ballafaqimi katastrofal me pasojat nga kriza, mungesa e vaksinave, sistemin e kolabuar shëndetësorë dhe furnizimi me vaksinat kineze”. Kjo interpelancë nuk mund të gjendet në ueb faqen e Parlamentit në pjesën e materialeve, ndërsa nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së thonë se ende nuk e kanë dorëzuar, por shumë shpejtë do ta bëjnë të njëjtën.
Gjatë paralajmërimit se do të dorëzojnë interpelancë, menjëherë reaguan nga LSDM ku thanë se ky veprim i VMRO-DPMNE-së është “kulmi i sjelljes destruktive dhe e papërgjegjshme i partisë opozitare në kushte të pandemisë”. Ndryshe, deri më tani, që kur u votua kjo Qeveri më 30 gusht vitin e kaluar, ka pasur një interpelancë për zëvendëskryeministrin Nikolla Dimitrov. Arsyeja për interpelancën, siç thonë nga partia opozitare, ishte për manipulimin e opinionit lidhur me marrjen e datës për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Por, Dimitrov mbijetoi ndaj kësaj interpelance pasi që deputetët me 59 vota “kundër” dhe 20 vota “për” të ngritur nga grupi parlamentarë i VMRO-DPMNE-së. (koha.mk)