Qeveria e “hesapeve” të mëdha!

396

Fundjava pritet të jetë e mbushur me aktivitet politike. Përfaqësuesit e LSDM-së dhe BDI-së do të tentojnë të arrijnë një marrëveshje koalicioni mes tyre para se të firmoset e njëjta nga të dy liderët partiak. Ndërkohë që LSDM bënë të ditur se po punon për formimin e një Qeverie me mandat katërvjeçar, nga BDI thonë se ende në tavolinë është pozita e kryeministrit me rotacion  

Destan JONUZI

Shkup, 15 gushtPas shumë debateve e analizave, duke u bazuar në një nen të Kushtetutës, tanimë Maqedonia e Veriut ka mandatarin për formimin e Qeverisë së re, kreun e LSDM-së Zoran Zaev. Ndarja e mandatit për të siguruar mbështetje, gjegjësisht nënshkrime të 61 deputetëve, ka hasur në kundërshtim të ashpër nga VMRO-DPMNE, lideri i së cilës konsideron se mandati për formimin e Qeverisë është i uzurpuar.

Nga kjo parti për gazetën KOHA thonë se presidenti Stevo Pendarovski e ka shkelur Kushtetutën me vendimin që mandatin për formimin e Qeverisë t’ia dorëzojë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev. Kjo parti pohon se pa dëshmi se Zaevi ka siguruar shumicë parlamentare, ka marrë shansin që në 20 ditët e ardhshme të bisedojë, por siç shprehen nga VMRO, edhe të tentojë të korruptojë deputetë. Sipas Mickoskit, tre deputetë të VMRO-DPMNE-së kanë denoncuar në parti se kanë marrë premtime për privilegje. “E pamë se si ia jep mandatin një deputeti që nuk e ka shumicën në Kuvend. Nga ky moment, secili qytetar duhet të dijë se kur do të përmendet në shtet krimi dhe regjimi hibrid i Zoran Zaevit, pjesë përbërëse dhe bashkëpunëtor i tij është edhe Stevo Pendarovski. Stevo Pendarovski tregoi se nuk është president i të gjithë qytetarëve, e më së paku mbrojtës i Kushtetutës”, thonë nga VMRO.

Në anën tjetër, pas marrjes së mandatit, kreu socialdemokrat Zoran Zaev ka zhvilluar një takim sy më sy me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Pas takimit, të dyja partitë komunikuan se ka përparim në bisedimet për formimin e Qeverisë së re. “Procesi i bisedimeve serioze po vazhdon për të formuar shumicë të qëndrueshme parlamentare për të siguruar Qeveri të re me mandat të plotë katërvjeçar”, thonë nga LSDM, duke përjashtuar kështu mundësinë që të dakordohen me BDI-në për rotacion të postit të kryeministrit në raport 3 me 1 ose anasjelltas. “Programi i Qeverisë do t’i kushtohet kryesisht ekonomisë së re, ku parimet kryesore janë pagat dhe pensionet për të vazhduar të rriten, për të investuar në rininë dhe zhvillimin e ekuilibruar rajonal, për të marrë kujdes të veçantë dhe madje edhe më të madh për qytetarët më të varfër dhe për të siguruar mbështetje të vazhdueshme të ekonomisë së brendshme”, shkruhet në kumtesë. Maqedonia e Veriut do të fitojë Qeveri që ndjek rrugën evropiane, rrugën e ekonomisë dhe drejtësisë, rrugën drejt prosperitetit dhe stabilitetit afatgjatë dhe “qeveri që nuk di për devijimin nga rruga që çon pas anëtarësimit në NATO dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, shprehen nga kjo parti.

Bazuar në këtë, mund të pritet që shumë shpejt të ketë një marrëveshje koalicioni mes LSDM-së dhe BDI-së, për arsye se ditë më parë, për gazetën KOHA – të dyja partitë deklaruan se janë dakorduar për pikat programore dhe programin qeveritar dhe se kanë ngelur edhe disa detaje të vogla për ti precizuar. Zyrtarë të lartë nga të dyja partitë na pohonin se çështje kyçe për mos firmosjen e marrëveshjes është pozita e kryeministrit. Burime partiake për gazetën KOHA thonë se ekipet e bisedimeve të LSDM-së dhe BDI-së edhe gjatë vikendit do të takohen me qëllim të arritjes së një marrëveshje. Të pyetur nga KOHA nëse bisedojnë për një Qeveri ku do të përfshihet edhe Aleanca për Shqiptarë dhe Alternativa, nga dyja partitë nuk japin detaje, por as nuk e mohojnë një gjë të tillë. Bazuar edhe në deklaratën e kreut të integristëve se takimin e 13 gushtit të liderëve politik shqiptar e ka thirr me qëllim që ti ndajë përgjegjësitë, lë të kuptohet se nuk përjashtohet as kjo mundësi e një Qeveri pak më e gjerë.

Ndërkohë, pas konstituimit të mandateve të deputetëve nuk është zgjedhur as Komisioni për zgjedhje dhe emërime, e as kryetari i ri i Parlamentit. Kryetari në largim i Parlamentit, Talat Xhaferi, thotë se për momentin nuk ka ndonjë plan se kur do ta thërrasë vazhdimin e seancës. “Në bazë të kompetencave të mia, kur do të vendosi unë, atëherë do ta thërras. Tash për tash nuk kam ndonjë plan”, theksoi Xhaferi.

Pas marrjes së mandatit nga kreu socialdemokrat, Zoran Zaev për formimin e Qeverisë, në rrjedhë është afati 20 ditësh për hartimin e programit të ri qeverisës dhe ekipimin e ekzekutivit. Por, çfarë nëse në këtë afat nuk arrin Zaevi të krijojë shumicë të re Parlamentare? A mundet që vendi të vazhdojë për katër vite, deri në zgjedhjet e ardhshme të Qeveriset nga një ekzekutiv në detyrë, për arsye se të gjitha partitë politike janë shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme ndërkohë që edhe numrat në Parlament flasin se askush nuk i ka të nevojshëm për të shpall zgjedhje të reja? Ekspertë juridik të konsultuar nga gazeta KOHA thonë se nëse Zaevi nuk arrin të formojë Qeveri në afatin kushtetues, Presidenti mandatin duhet t’ia besoj përfaqësuesit të koalicionit të dytë për nga numri i mandateve, dhe nëse edhe ky nuk e arrin shumicën, atëherë radhën e ka partia e tretë, dhe nëse edhe ai nuk arrin, atëherë do të pritet deri sa të formohet shumica në Parlament. “Ajo do të dihet kur do të zgjidhet kryetari i Parlamentit. Sipas Kushtetutës dhe ligjeve, Qeveria aktuale është në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Kushtetuta nuk njeh nocion Qeveri teknike apo e zgjeruar. Ndërsa për zgjedhje të reja ka vetëm një mundësi, të vetshpërbehet Parlamenti”, sqarojnë ekspertët juridik. Ndryshe, edhe në vitin 2016 në zgjedhjet e atëhershme të parakohshme parlamentare, mandati iu besua Nikolla Gruevskit nga presidenti Gjorge Ivanov pa garanci për shumicë të siguruar në Parlament. Ndërkaq, më pas shumicë arriti të krijojë LSDM-ja me partitë shqiptare. (koha.mk)

Comments are closed.