Urim HASIPI
Tetovë, 4 janar – Universiteti i Tetovës që nga themelimi e deri më tani nuk ka patur asnjëherë konvikt. Ministria e Arsimit dhe Shkencës disa herë është udhëhequr nga ministra shqiptarë, por të njëjtit përveç premtimeve – asgjë nuk kanë bërë në këtë drejtim që të realizohet një nevojë imanente për studentët që vijnë nga qytetet tjera por edhe nga jashtë vendit, shkruan gazeta KOHA. Edhe për këtë vit, Qeveria e re nuk ka paraparë mjete për konviktin e Universitetin e Tetovës. Këtë e ka vërtetuar vet rektori i këtij universiteti, Vullnet Ahmeti, sipas të cilit, Qeveria për vitin 2018 për Universitetin e Tetovës ka paraparë vetëm 20 milionë denarë për investime kapitale.
“Kjo nuk është e ndershme, unë i kam parë edhe deklaratat të disa personave të Qeverisë se universitetit i ndahen 5 milion e 300 mijë euro, bile deputetët për këtë edhe debatojnë në Parlament se janë ndarë kaq mjete, e që nuk është e saktë. Universitetit i kanë ndarë 20 milionë denarë. Ne kemi nevojë për investime kapitale, për bibliotekë, për konvikt, për infrastrukturë… Këtu Universiteti has në një vështirësi shumë të madhe, pastaj kemi nevojë të patjetërsueshme që të kemi konviktin tonë, sepse projekti i konviktit ka filluar në 2015 kur edhe është premtuar shumë, keni qenë edhe vet ju dëshmitarë ku ministra të ndryshëm të ministrisë së Arsimit e kanë premtuar konviktin këtu në amfiteatrin e Universitetit”, tha rektori Ahmeti. Se shteti është treguar joserioz me konviktin e Universitetit të Tetovës tregon edhe fakti se në vitin 2016, një kompani e ka fituar tenderin për të ndërtuar konviktin në Universitetin e Tetovës, por procedurat ngelën nëpër sirtarë dhe konkretisht nuk është ndërmarrë asnjë veprim për të ecur përpara ky projekt. “Në shkurt të 2016, një kompani e fiton tenderin dhe të drejtën për ndërtimin e konviktit të studentëve, shpallje kjo publike nga Ministria e Arsimit… Procedurat ngecën nëpër labirinte dhe nuk ka asnjë përgjigje – që do të thotë se për 2018, Universitetit nuk i janë ndarë mjetet e duhura që të fillojë as konvikti as biblioteka. Në këtë aspekt jemi të diskriminuar”, akuzon Ahmeti.
Ai më tej është shprehur se disa herë është bërë kërkesë me shkrim për këtë projekt. “Unë shkresë i kam bërë edhe kryeministrit edhe ministrit edhe zëvendëskryeministrit, se zëvendëskryeministri doli me deklaratë se Universitetit të Tetovës i janë ndarë 330 milionë denarë që nuk është e vërtetë, sepse 280 milionë denarë janë paga të rrogave punëtorëve, njerëzve që punojnë këtu. Ata janë të punësuar gati 15 vite e këndej dhe diku 20 milionë denarë apo 30 milionë janë shpenzime të rrymës, të rrugës për shkak se kemi disperzime ne, me disperzimet Universiteti është dëmtuar shumë si në aspektin financiar, ashtu edhe në aspektin e cilësisë mbarëvajtjes së mësimit”, theksoi rektori Ahmeti. Ndryshe, që në vitin 2015 ishte premtuar një konvikt për Universitetin e Tetovës por përveç premtimeve në letër – nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. (koha.mk)