Shkup, 9 shtator – Qeveria sot ashpër e ka dënuar incidentin që mëngjesin e sotëm ndodhi para Konsullatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Melburn. Një grup emigrantësh maqedonas mëngjesin e sotëm janë tubuar para Konsullatës së Maqedonisë në Melburn ku kanë djegur flamujt e shteteve fqinje dhe maketat e kryeministrit Zoran Zev dhe zëvendëskryeministres Radmilla Shekerinska duke brohoritur madje fyerje ndaj qeverisë aktuale.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut ashpër e dënon sjelljen vandale dhe të pahijshme të një grupi të vogël para konsullatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Melburn. Këto veprime e prishin imazhin e vendit të popullit maqedonas dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në sytë e opinionit demokratik. Gjuha e urrejtjes është veçori e një të kaluare ku shumica e qytetarëve në vend dhe diasporë e kanë kundërshtuar dhe e cila është e papranueshme për standardet globale dhe demokratike”, thuhet në reagimin, që në profilin në Fejsbuk e ka publikuar ministri pa resor, Edmond Ademi.
Shtohet se gjuha e urrejtjes nxit dhunë, ndërsa të gjithë ata që nxisin mosdurim dhe konflikte duhet të përgjigjen para institucioneve kompetente. “Djegia e flamujve të shteteve dhe maketat e kryeministrit Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministres dhe ministres së Mbrojtjes Radmilla Shekerinska nuk janë kurrfarë tipar i patriotizmit, as edhe fotografi e diasporës sonë. Këto veprime të turpshme të izoluara nuk do ta dëmtojnë krenarinë që të jesh maqedonas ose qytetarë i vendit tonë, në shtëpi ose jashtë kufijve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagim.