Shkup, 11 qershor – Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme të 139-të e miratoi informacionin për veprimin sipas rekomandimeve të UNESKO-s dhe vendosi që të vazhdojë me përmbushjen e rekomandimeve dhe vendimeve relevante të UNESKO-s, në drejtim të ruajtjes së statusit të trashëgimisë botërore të trashëgimisë natyrore dhe kulturore në rajonin e Ohrit, përcjellë KOHA.
Nga Qeveria informojnë se kanë obliguar Zëvendësin e Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut përgjegjës për Çështje Ekonomike, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit që të formojë grup të punës të përbërë nga funksionarët e të gjitha institucioneve të prekura i cili do të veprojë në bazë të vërejtjeve të UNESKO-s për analizë për rutën alternative të hekurudhës përgjatë Korridorit 8, si dhe rutën e autostradës A2 Trebenishtë-Strugë, në bazë të të dhënave të Misionit monitorues reaktiv dhe rekomandimet relevante të UNESKO-s.
Propozim vendimet, siç informojnë nga pres-shërbimi i Qeverisë, duhet të dorëzohen deri te Qeveria më së voni deri më 15 janar të vitit 2020.
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, është e obliguar që në bashkëpunim me Parkun Kombëtar Galiçicë dhe komunat Ohër, Strugë dhe Debërcë të përgatisë inventar të ndërtimeve ilegale në Rajonin dhe të njëjtin ta dorëzojë deri te Qeveria më së voni më një shtator të këtij viti. Ministritë për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor dhe ajo për Kulturë, janë të obliguara që të përgatisin propozim Plan për menaxhim me trashëgiminë natyrore dhe kulturore në rajonin e Ohrit, të harmonizuar me Qendrën për Trashëgimi Botërore të UNESKO-s, dhe i njëjti të dorëzohet deri te Qeveria për miratim, më së voni në fillim të dhjetorit të vitit 2019. Njëkohësisht, Qeveria fuqishëm i inkurajon komunat Ohër dhe Strugë që t’i përmbushin rekomandimet e UNESKO-s, me qëllim final që rajoni i Ohrit edhe më tutje të jetë nën ombrellën e UNESKO-s. (koha.mk)