Londër, 9 korrik – Qeveria britanike i shprehi mbështetje të plotë ambasadorit të vet në SHBA, Kim Derok, pasi që presidenti amerikan, Donald Tramp tha se tashmë “nuk do të ketë punë me të”.
“Nuk e njoh ambasadorin, por për të nuk ka mendim të mirë në SHBA, e as ai nuk më pëlqen. tashmë nuk do të kemi punë me të”, theksoi Tramp dje në Tuiter, transmetuan agjencitë perëndimore.
Tramp e kritikoi edhe kryeministren britanike, Tereza Mej, duke cekur se lajmi i mirë për Britaninë e Madhe është ajo që së shpejti do të ketë kryeministër të ri.
Depeshat diplomatike që paraprakisht lëvizën në opinion zbuluan se ambasadori britanik në SHBA konsideron se administrata e presidentit Tramp është e paaftë dhe jofunksionale dhe se ka pak gjasa të përmirësohet.
Dokumentet, që kohë më parë i publikoi “Mejl on Sandej”, përmbajnë komente mjaft kritike të ambasadorit Derok për gjendjen momentale të administratës Tramp dhe ofrojnë kontroll të rrallë në atë se si disa diplomatë të lartë britanikë shohin ndaj qeverisë së aleatit më të afërt të vendit të tyre.
Zëdhënësi i Qeverisë britanike deklaroi se rrjedhja e këtyre dokumenteve është për keqardhje dhe se kjo nuk i pasqyron marrëdhëniet e afërta të të dy vendeve, por se ambasadori duhet të ketë mundësi të paraqesë vlerësim të lirë dhe të sinqertë të politikës së vendit në të cilin ndodhet, transmeton BBC.