Qeveria e i është përgjigjur udhëheqësisë së BFI-së pas letrës së marrë nga ky institucion, për të cilën thotë se përmban një lloj shantazhi, kërcënimi dhe ultimatumi për të cilat po mbahen procedura para institucioneve kompetente.
“Në lidhje me letrën e pranuar nr 03-154 nga ana Juaj, theksojmë se e njëjta paraqet formë të papranueshme të të drejtuarit ndaj institucioneve shtetërore, që është një lloj shantazhi dhe kërcënimi, për ç’arsye seriozisht mendojmë për të njëjtën ta informojmë prokurorinë publike kompetente.
Në letër përmenden disa lëndë, për të cilat zhvillohen procedura para institucioneve kompetente, e cila është e pavarur nga pushteti ekzekutiv, ndërsa bazohet dhe varet nga respektimi i ndërsjellë i të drejtës pozitive në vend.
Sipas Kushtetutës, si akt më i lartë ligjor, Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet sekular, ndërsa ky pushtet ekzekutiv asnjëherë nuk do të ndërmarrë masa me të cilat do t’i manipulojë ndjenjat fetare apo do të përzihej në marrëdhëniet brenda bashkësive fetare apo mes tyre. Në këtë drejtim i hedhim poshtë të gjitha akuzat se cilado bashkësi fetare është e favorizuar në vend, ndërsa akuzën e tillë e vlerësojmë si tendencioze dhe paushalle.
Nëse te Ju i nderuar, ekziston dyshimi apo indice se ndonjë institucionet i ka shkelur dispozitat pozitive ligjore Ju inkurajojmë si Reis i BFI-së të inicioni procedurë përkatëse para organeve me kërkesë adekuate ligjore.
Rëndësi të posaçme ka të theksojmë se në shoqërinë multikonfesionale të drejtat dhe lirit fetare dhe qytetare realizohen përmes procesit ekzistues për ndërtimin e besimit të ndërsjellë mes konfesioneve të ndryshme, e jo përmes ultimatumeve, të cilat si rregull të lojës nëse i pranojnë të gjitha bashkësitë e regjistruara fetare, seriozisht në mënyrë negative do të reflektoheshin ndaj kohezionit shoqëror”, theksohet në përgjigjen e Qeverisë ndaj letrës së BFI-së.
Për ndryshe, BFI përmes letrës ka kërkuar urgjentisht të ndërmerren masa për kthimin e pronës së vakëfit në procedurë të denacionalizimit. BFI, gjithashtu, është ankuar se ka probleme me pushtetin dhe se për shkak të asaj ekzistojnë çështje të pazgjidhura me objektet fetare në fshatin Llazhec të Manastirit, Xhaminë e Husamedin Pashës në Shtip dhe me Xhaminë e Ali Pashës në Ohër.
“Para fillimit të fushatës presidenciale do të jemi të detyruar t’i informojmë të gjithë besimtarët në 700 xhamitë e vendit për tërë diskriminimin që po bëhet ndaj BFI-së dhe ndaj anëtarëve të saj me të gjitha pasojat ndaj marrëdhënieve shoqërore në vend”, thuhet mes tjerash në letrën e BFI-së, drejtuar Qeverisë.