Shkup, 9 janar – Kryesia e BDI-së do të vendosë për hapat e ardhshëm pas marrjes së mandatit nga ana e Nikolla Gruevskit, kryetar i VMRO-DPMNE-së. Të gjitha opsionet janë të hapura duke përfshirë edhe vazhdimin e krizës politike. Kështu ka deklaruar ish-zëvendëskryeministri Musa Xhaferi për javoren “Fokus”, duke shtuar se vetë akti i dhënies së mandatit Gruevskit paraqet një vazhdim të krizës dhe për ligjshmërinë e këtij veprimi të Ivanovit duhet të prononcohen juristët. “Sa i takon BDI-së, qëndrimi i saj do të formohet pas mbledhjes së organeve udhëheqëse të partisë. Në 20 ditët në vazhdim do të diskutohet për mundësinë e formimit të Qeverisë. Primare do të jetë se sa kapacitet do të ketë ajo Qeveri për zgjidhjen e çështjeve të hapura, por mundet që kjo të jetë një fazë e re e krizës politike”, ka thënë Xhaferi. Xhaferi nuk ka precizuar nëse do të hyjnë në negociata me VMRO-DPMNE-në, duke kërkuar kohë që vendimi për këtë të merret nga strukturat e partisë.