Të mos harrojmë se një nga shkaqet kryesore edhe të ikjes së madhe të popullatës në kurbet janë edhe kushtet jo të mira të jetesës apo cilësia e pakënaqshme e jetesës, andaj larg një politike ditore mbetet detyrë dhe obligim edhe e pozitës, por edhe opozitës që për këtë çështje të tejkalojnë mëritë dhe inatet e ndërsjella, dhe të ofrojnë zgjidhje, alternativa dhe mënyra se si të krijohen kushte më të mira të jetesës në nivel lokal dhe nacional në tërë Maqedoninë e Veriut
Nga Fisnik PASHOLLI
Rajoni i Shkupit, së paku sipas statistikës zyrtare thuhet se ka prodhimin më të lartë për kokë banori në shtet dhe rrjedhimisht sipas saj do të duhej që edhe kushtet e banimit dhe jetesës të jenë më të mira për të gjithë banorët.
Mirëpo siç ndodh rëndom me statistikën ajo shpesh edhe nuk ofron pasqyrën reale të më shumë çështjeve, nuk zbërthen problemet në brend,nuk merret me shumë dimensionalitetin e tyre dhe nuk gërryen shtresë për shtrese sipërfaqen e çështjes në fjalë që të shikojmë me të vërtetë se për çka bëhet fjalë.
Nëse i kthehemi kushteve për jetesë rrethinës së Shkupit, akoma ka problem me furnizimin me ujë si dhe me rrjetin e ujërave të zeza, sidomos kjo vërehet në fshatrat Haraçinë, Stajkovci, Hasanbegu, vendbanime këtë të cilat gjatë reshjeve të dendura të shiut kanë probleme të mëdha me vërshimet që shkaktojnë dëme të mëdha materiale. Bile edhe më shumë vendbanime në brendi të Shkupit kanë probleme me vërshimet gjatë reshjeve si për neglizhencën e një pjese të banorëve që shpesh hedhin edhe pelena me çka bllokohet rrjedha e gypave, apo edhe për shkak të rrjetit të kanalizimit që shpesh nuk përcjell rritjen e madhe e numrit të banorëve në lagje apo mbipopullimin e saj.
Situata nuk paraqitet më e mirë në një pjesë të caktuar të vendbanimeve, sidomos atyre rurale në tërë vendin ku edhe në shekullin e 21 akoma flasim për mungesë të kanalizimit modern dhe furnizimit siç duhet me ujë të pijshëm.
Duke marrë parasysh se pjesa më e madhe e komunave në vend edhe po të kenë vullnetin dhe dëshirën më të madhe për zgjidhjen e problemeve të përditshme të banorëve të këtyre vendbanimeve , thjesht nuk kanë mundësi materiale për diçka të tillë, mbetet që pushteti qendror më fuqishëm dhe më seriozisht të ndihmojë dhe mbështesë zgjidhjen e këtij problemi, në bazë të prioriteteve dhe nevojave më urgjente të banorëve në rajone të caktuara në tërë vendin .
Edhe pse në të kaluarën edhe aktualisht nuk ka munguar ndihma e pushtetit në zgjidhjen e këtyre problemeve të qytetarëve, mirëpo sikur zgjidhja e tyre nuk ka qenë një nga prioritetet kryesore për të gjitha qeveritë që nga pavarësimi e deri më sot.
Ndoshta racionalizimi i mëtejshëm i punës së ekzekutivit duke filluar nga shkurtimet e subvencioneve që shpesh nuk japin efektet e duhura apo nuk sjellin zhvillim ekonomik dhe shoqëror, apo racionalizimi i administratës duke filluar nga analizat më serioze që do të tregonin se sa realisht nevojiten dhe janë të nevojshme agjenci të ndryshme. Apo se sa në një situatë kur shpesh mungojnë të holla në arkën e shtetit prej disa milion euro për rikonstruimin apo rindërtimin më se të nevojshëm të një rrjeti të kanalizimit apo të ujësjellësit , në një vendbanim të caktuar , është e arsyeshme që të kemi me qindra këshilla drejtues me anëtarë që për çdo muaj pranojnë kompensime jo të vogla për punën e tyre. Mbetet të analizohet dhe debatohet se sa është e arsyeshme të kemi një qeveri me numrin relativisht të madh të dikastereve në kushte kur nevojiten të holla për ndërtimin e shkollave, spitaleve apo ndërtimin e infrastrukturës. Se kjo çështje kërkon një kujdes, vëmendje dhe angazhim më të madh flasin edhe të dhënat se afër 60 për qind e amvisërive në Maqedoninë e Veriut janë të kyçur në kanalizim, ndërsa 20 për qind i derdhin ujërat e ndotur në gropat septike. Gjithashtu edhe pse 97 për qind e popullatës ka qasje deri tek uji për pije, megjithatë për dallim nga mjediset urbane që nuk asnjë problem lidhur klorimin e ujit, banorët e vendbanimeve rurale kanë probleme me cilësinë jo të rregullt të ujit për pije. Sipas të dhënave të Entit të Statistikës dhe Institutit për shëndet publik, papastërtitë nga kuzhinat dhe banjat , derdhen lirisht nga 12 për qind e shtëpive dhe banesave, ndërsa pa asnjë instalim të kanalizimi janë 7.4 për qind të amvisërive.
Të mos harrojmë se një nga shkaqet kryesore edhe të ikjes së madhe të popullatës në kurbet janë edhe kushtet jo të mira të jetesës apo cilësia e pakënaqshme e jetesës, andaj larg një politike ditore mbetet detyrë dhe obligim edhe e pozitës, por edhe opozitës që për këtë çështje të tejkalojnë mëritë dhe inatet e ndërsjella, dhe të ofrojnë zgjidhje, alternativa dhe mënyra se si të krijohen kushte më të mira të jetesës në nivel lokal dhe nacional në tërë Maqedoninë e Veriut. (koha.mk)