Bujar Osmani, as ka për t’i zgjidhur vetë, as kishte nevojë për dyshime shtesë, sepse vendimet nuk do merren as lehtë e as kokë më vete, e as vetëm si shqiptar. Thelbësorja është se do jetë një qeveri e paragjykuar dhe e arnuar, e cila mund të çahet aq lehtë, sa me gjithë krizat në horizont vendi mund të zhytet në ujëra të tjera të panjohura
Nga Nazim RASHIDI
Në Britaninë e Madhe janë rritur zërat që kryeministri Boris Johnson të japë dorëheqje. Mbase mund të duket e zakonshme, por këto zëra janë në rritje nga radhët e partisë së tij konservatore. Kryeministri britanik ka kërkuar falje për mënyrën se si është sjellur gjatë një feste në oborrin e zyrës së tij gjatë rregullave strikt të karantinës. Ai ka marrë pjesë në një festë, për të cilën u zbulua javë më parë, ndërkohë që njerëzve ju kërkohej që mos dilnin nga shtëpia. Z. Johnson tha se e kuptonte “zemërimin” e njerëzve. Ai pranoi hapur se kishte marrë pjesë në një mblodhi për rreth 25 minuta më 20 maj në vitin 2020, me qëllim për të falënderuar një pjesë të ekipit, por tha se kishte menduar se kishte qenë një ngjarje pune.
Opozita këto justifikime i quajti “qesharake” dhe kërkoi që të ikte, por bashkë me ta edhe deputetët e partisë së tij thonë se ai duhet të japë dorëheqje.
Fakti që e theksoj këtë rast ka të bëjë me dy momente, e para se duke u marrë me veten dhe “baltën” tonë harrojmë të shohim se çfarë ndodh edhe përtej, ndërkohë që leksionet e demokracisë përherë i duam nga Perëndimi. Dhe tjetra, sepse ka të bëjë me një moment tjetër, që është prezent edhe tek ne, me atë të relativizimit të madh që bëhet pas çdo “budallallëku” politik.
Nuk është hera e parë që Boris Johnsonkërkon falje hapur, por përherë e ka bërë këtë duke relativizuar veprimet e tij, siç mbase ka bërë edhe për çështje edhe më të rëndësishme se ajo nëse ka pirë ose jo një gotë me njerëz gjatë kartantinës.
Në një bisedë me një miken time, si pa ditur këtë zhvillim flisja pikërisht për mungesën e idealit, idealizmave, qëndrimeve të prera e të qarta dhe pa diskutim edhe për këtë epokë të relativizimit të madh të cilën e jetojmë, e cila na vjen edhe si “modë” nga demokracitë model si ajo e Britanisë, ku politikanët mendojnë se me justifikime të veprimeve të tyre publiku i “han” argumentet me lehtësi dhe gjithçka vazhdon normal pas asaj.
E përmend këtë moment, pra kohën e relativizimit, sepse na ofrohet edhe ne si mënyrë veprimi. E shikoja Kryeministrin e mandatuar, Dimitar Kovaçevski në një intervistë dhe e gjithë përshtypja që mora ishte pikërisht kjo: Relativizim.
Nuk them se s’duhet t’i jepet një moment mundësie për të treguar veten, por as luksi se do të lihet i qetë për veprimet që do të ndërmarrë. Ai vetë thotë se kjo qeveri e re, por që s’është e re, është një qeveri e vazhdimësisë, edhe pse me emra ministrash surprizë dhe të tjerë që opinioni i njeh.
Por në çdo justifikim të tijin për përzgjedhjen apo hapat e parë që do të ndërmarrë qeveria, më mbeti shija e justifikimit dhe relativizimit. Dhe kjo nuk është shpresëdhënëse.
Qeveria “Kovaçevski” vjen si rrjedhojë e një “reforme” që bën LSDM pas humbjes në zgjedhjet lokale, për të përmirësuar imazhin e saj sidomos në raport me korrupsionin dhe drejtësinë, por nëse sjell relativizime, me emra të rinj, siç është dhe vetë Kovaçevski që nga zëvendës ministër i financave katapultohet në Kryeministër dhe mbetet e njëjta logjikë, s’ka se si mos të shprehen dyshime për cektësinë e asaj që shohim, të paktën ende.
në opinion gjithmonë ka pasur kërkesa për emra të rinj në politikë dhe mbase ky presion, por më shumë ai i rezultatit zgjedhor, çoi LSDM-në që të nxjerrin emra të rinj në krye të partisë. Ka nënkryetarë të rinj, ja dhe ministra të rinj, por a duhet të biem në grackën e veç emrit të ri?
E reja, kur kërkohet e mendohet, ka të bëjë me idenë, me ofertën dhe me një veprim të ri, ku më në fund të shihen rezultatet e një pune që në fokus ka të mirën e përgjithshme dhe zhvillimin e përbashkët. Prandaj këta të rinj të LSDM-së nuk mund të lihen aq lehtë të qetë, sepse nëse janë vazhdimësi e logjikës së vjetër politike, kot që kanë veç emra të rinj. A nëse realisht do sjellin, risi, nuk e di, për këtë do duhet tu jepet shansi.
Për momentin, ajo që dëgjojmë janë veç relativizime. Ndërkohë dyshime pikërisht për qeverisjen për aftësitë, ndaj të mandatuarit Kovaçevski, shprehu Nikolla Dimitrov, zëvendës kryeministër në ikje për çështje evropiane. Edhe ky veprim i tiji i dyshimtë në vetvete, por që vë në dyshim gjithë këtë qeverisje që do duhej të ishte e re.
Por veprimi i Nikolla Dimitrovit, për inate personale ose për parime siç tha ai, nxit edhe një dyshim, atë të rolit të shqiptarëve kur kanë poste të larta. Dyshimet e tij ndaj Ministrit të Jashtëm Bujar Osmani, s’mund të shihen veç si një kritikë pa etikë, ato mund të nxisin një reagim jo korrekt se për çështjet të interesit maqedonas ose shtetërore, siç janë negociatat me Bullgarinë, shqiptarët kanë një lehtësi ndaj tyre. Rreziku i këtij veprimi është se sërish do hyjë në vorbullën e relativizimeve, për planet e tij të veprimit politik në të ardhmen, apo edhe për shkak se palët e tjera do të mbrohet. Kritika e tij ndaj Kovaçevskit, Zoran Zaevit u duk e një të lënduari dhe kam frikë se nuk do të sjellë debatin real se çfarë politike do të duhet të sundojë. Për fat të keq Nikolla Dimitrov po përforcon për momentin frymën se nëse nuk jam në pushtet, çdo gjë tjetër nuk vlen. Duke i njohur politikanët, sidomos ata që janë të karrierës, siç është edhe ai, veprimet janë të kalkuluara, të shohim se çdo i sjellë kjo sjellje atij, por edhe të tjerëve, por aktualisht vetëm sa nxit atë frymën relativizuese, ku një palë do shajë e tjetra do mbrojë, e kështu në kakofoninë e statuseve dhe tutieve, më shumë se pse u soll kështu Dimitrovi, çdo gjë do përjetohet si zhurmë e rrjeteve sociale dhe si çdo herë, thelbi do mbesë pa diskutuar. Raportet me Bullgarinë do jenë menjëherë në fokus. Bujar Osmani, as ka për t’i zgjidhur vetë, as kishte nevojë për dyshime shtesë, sepse vendimet nuk do merren as lehtë e as kokë më vete, e as vetëm si shqiptar. Por do duhet të diskutohen marrëdhëniet me Bullgarinë thelbësisht. E të tjerat çështje thelbësore të kësaj qeverisjeje do jenë kriza ekonomike, ajo energjetike, papunësia dhe sidomos rrënimi i standardit të qytetarëve me rritjen e çmimeve. Thelbësorja është se do jetë një qeveri e paragjykuar dhe e arnuar, e cila mund të çahet aq lehtë, sa me gjithë këto kriza vendi mund të zhytet në ujëra të tjera të panjohura. Thelbësorja është se shqiptarët si poste do të kenë numrin rekord të ministrave në një qeveri (për këtë do duhet analizuar me thellë) me aq sfida të mëdha dhe para aq krizave jetike, e cila do duhet të sjellë realisht një ndryshim. Por a do jetë ashtu? Shqiptarët do të kenë zëvendës kryeministrin e parë, do të drejtojnë financat, ekonominë, arsimin, shëndetësinë… ah po edhe ministrinë e diasporës nga një hoxhë të refuzuar për ambasador, që ka qejf të shohë filma dokumentar…
Thelbësorja tjetër është se duhet të shembet logjika e këtij relativizimi dhe të merret përgjegjësia direkt. Jemi në kohën e tmerrshme të relativizimit dhe cektësisë së madhe, tek ne dhe kudo, por duhet ta pranojmë këtë, të përballemi e të hymë në një kohë tjetër, me shpresë, atë të progresit!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)