Më 21 maj, (në Galerinë e Qendrës Informative Kulturore në Shkup), në prani të gazetarëve, shkrimtarëve, artistëve e artdashësve, u bë hapja e ekspozitës së artistit Avni Behluli. Hapjen e Ekspozitës e bëri Znj. Sermine Purrini, drejtoreshë e QIK në Shkup. Për vlerat artistike të prezentuara në këtë ekspozitë foli gazetari e shkrimtari Emin Azemi. Z. Azemi, punimet në këtë ekspozitë i vlerësoi si «Determinante poetiko-figurative». Për veprën artistike të atistit Avni Behluli edhe unë pata një fjalë rasti. Fjalën time (gojore), po e jap të përmbledhur në këta rreshta.
Artisti që godet herë me qetësinë mahnitëse herë me dramatikën tronditëse
Miq të dashur, kolegë të nderuar, zonja e zotrinj artdashës, edhe unë (si ju të gjithë) jam këtu për të shijuar vlerat artistike të artistit Avni Behluli. Ndonëse, Veprën e Avniut, skulpturën, pikturën, vizatimin, grafikën, instalacionin e njoh prej kohësh, e kam paksa të vështirë të flas sepse isha i papërgatitur që të flisja, nga se për vlerën artistike të veprës së Avniut mund të flitet shumë dhe përsëri të mos thuhet e tëra ndaj dhe është krejt e pamundur, që në një fjalë promovimi, të shprehet gjithë vlera e artit të veprës së Avni Behlulit. Edhe unë sa hyra këtu, shfletova-lexova me vëmendje veprat e ekspozuar këtu. Por vepra artistike që sonte kemi para nesh është vetëm një frament i veprës së Artistit. Siç mund të konstatojmë, e gjithë vepra e ekspozuar këtu, është ndërtuar në dy cikle punimesh : «Gjilpëra e thatë» dhe «Luhaqa». Ndërkaq, sonte këtu na mungon vepra në skulpturë e artistit. Avniu me skulpturën e tij sikur ka kapur me gishtërinjë e tij kohët, epokat, shkujt, sikur ka kapur amishimin, për t`i sjellur para nesh si magji arti, si komunikim artistik në mënyrë që dhe ne të mund të krijomë raportin tonë të komunikimit me kohën, të shkuaren, të sotmen dhe të ardhmen. Derisa në skulpturë, Avniu ka luajtur mjeshtrisht me nocionin e pritjes, durimit, qetësisë… me nocionin kohë, në punimet e ekspozuara këtu, Avniu na e ka sjellur gjithë shqetësimin, tronditjen, dramën dhe tragjikën që ka jeta. Me punimet e ciklit «Hulaqa» (kolovajza), artisti ka krijuar një metaforë të shkëlqyeshme, brenda së cilës ka futur gjithë dramën e njeriut tonë përherë në atë zgripsin e jetës për mbijetesën e tij historike, përherë në atë dilemën hamletiane të jesh a të mios jesh, përherë në luftën e tij për egzistencë fizike, etnike, sociale e kuturore. Në ciklin tjetër, autori ka spikatur një anë tjetër të njeriut të këtij nënqielli. Këtu ai ka shpërfaqur dramën e Qenies Femër. Në të gjitha punimet e ciklit «Gjilpëra e thatë», pos tronditjes që na e jep dhembja therëse nga goditja i «gjilperës së thatë», si mjet dhembjeje e torture, kuptojmë që artisti e ka vënë në spikamë shenjtërinë e qenies femër, amësinë e saj. Këtu e shohim luftën e krijueses së botës për të krijuar dhe ruajtur jetën dhe vazhdimësinë e saj.
Avniu me shumë sukses e bën edhe vizatimin, grafikën e instalacionin.
Në fund të themi se, Avni Behluli, është artist me një percepcion dhe përmasë të veçantë artistike. Miq të nderuar, kur flasim për artin duhet të kujdesemi që atij të mos ia prishm shenjtrinë me flejën tonë, ngase ai e do heshtjen se ai më shumë flet e komunikon në heshtje.
Ju falemnderit.
Më 21. 05. 2019, Shkup Gani Bytyçi
Një shkrim më të kompletuar rreth vlerave të gjithë krijimtarisë artistike të Avni Behlulit, për dashamirët e artit, do ta publikoj pas pak ditësh.