Vjollca SADIKU
Dibër, 11 prill – Më në fund tejkalohet problemi i blegtorëve dibranë me shitjen e qengjave. Të dhënat e Shoqatës të blegtorëve për komunat Dibër dhe Qendër Zhupë, “Dashi”, thonë se këtë sezon pritet që të shiten afro 20 mijë qengja. Po sipas të njëjtit burim, interesimi nga ana e firmave për qengjat e rajonit të Dibrës, është i madh për shkak të kualitetit të tyre, shkruan gazeta KOHA. Por, edhe këtë vit ka probleme me lartësinë e çmimit të blerjes së qengjave. Kryetari i Shoqatës “Dashi”, Skënder Ame, thotë se sivjet numri i qengjave që është parapa të shitet, është rreth 20 mijë krerë. Deri tani janë shitur afro 70 për qind e numrit të paraparë. Blegtorët e Dibrës dhe Zhupës janë të gatshëm të shesin 20 mijë qengja, por problemi është te çmimi i cili aktualisht është vetë 120 denarë për një kilogram. Sipas tij, është ky një çmim shumë i ulët që ofrohet nga ana e firmave të cila kanë filluar të grumbullojë qengjat. Sipas përfaqësuesve të kompanive që merren me shitjen e qengjave, vite me radhë plasojnë qengjat nga Maqedonia në Itali. Sa i takon kualitetit të qengjave të kësaj sezoni, kryetrari i Shoqatës së blegtorëve dibranë, Skënder Ame, thotë se blerësit japin një vlerësim të lart për kualitetin e qengjit dibran.
Kur jemi te çmimi i mishit të qengjit, viteve të fundit vërehet një ulje konstante e çmimit. Tre viteve të fundit, sipas tyre, çmimi i mishit të qengjit ka një ulje. Por , viteve të fundit, siç thotë Skënder Ame, çmimi ka ndikuar shumë te blegtorët dibranë, nga që para disa viteve ky çmim ka qenë 180 denarë për kilogram. Qengjat e Dibrës janë më të kërkuara në vend. Disa vite me radhë një pjesë e konsiderueshme e qengjave kanë përfunduar në tregun italian, ndërsa sivjet për herë të parë qengjat nga rajoni i Dibrës, do të jenë edhe në tryezat e Kroacisë. Kompanitë nga Gostivari, Shkupi dhe disa vende të tjera bëjnë grumbullimin e qengjave e më pas ato i plasojnë në tregun e Kroacisë, gjë e cila deri sivjet nuk ka qenë. Ame këtë e komenton si mishi i qengjave të tyre ka një kualitet të lartë, nga që ushqehen me një vegjetacion të pasur që nuk i kanë nëpër bjeshkët e tjera. Kur është në pyetje zhvillimi i blegtorisë në Komunën e Dibrës, por edhe më gjerë në rajon, një vend të veçantë ka edhe përfitimi i blegtorëve nga shitja e qengjave si dhe nga subvencionet. Në shumë takime që kanë pasur blegtorët me përfaqësues të institucioneve që trajtojnë problemin e bujqësisë dhe blegtorisë është theksuar fakti se nga përfitimi i shitjes të qengjave, nga përfitimi i plasmanit të djathit, subvencionet dhe përfitimeve të tjera drejtpërdrejt varet edhe rritja e numrit të deleve në rajonin në fjalë. Dibra dhe rajoni më i gjerë posedojnë kushte shumë të mira klimatike, kullosa verore me vegjetacion të bujshëm dhe me një përkrahje më të fuqishme të institucioneve për blegtorët, siç janë rritja e lartësisë së subvencioneve në këtë rajon, ku janë evidentuar afro 35 mijë krerë dhen dhe shumë shpejt numri i tyre mund të dyfishohet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara