Pasazhi i mëposhtëm është shkëputur nga Libri “Pasione” i Nicola Sarkozy. Në këto rreshta ai rrëfen gjithë ndjesitë që përjetoi kur krejt papritur, sapo ishte zgjedhur President i Francës, bashkëshortja i kërkoi divorcin
Unë jam shumë larg çdo lloj modeli shoqëror të sundimit mashkullor. Jam martuar tri herë, çka, sigurisht nuk është ndonjë shembull i mirë për t’u ndjekur. Por secilën herë jam zotuar tërësisht e, doemos, për gjithë jetën. Nuk ka funksionuar, shpesh për fajin tim, por së paku kam qenë përherë i sinqertë dhe plotësisht i angazhuar. Zoti ma di që ambicien e kam pasur gjithmonë të madhe, herë-herë gllabëruese, por ajo kurrë nuk më ka bërë të heq dorë prej ndjenjave të mia, në kundërshtim me atë çfarë kam mundur të vë re te disa nga paraardhësit e mi. Kjo mbase më ka shtyrë të bëj proçka ose gabime, por jo se kam dashur ta flijoj dashurinë për pushtetin. Në vështrim retrospektiv, e kuptoj sesa mund t’i ketë çoroditur francezët shkurorëzimi im, menjëherë sapo isha zgjedhur. Pa folur pastaj për dhjetë ditët e verës së vitit 2007 që i kalova në Shtetet e Bashkuara duke u përpjekur, në kundërshtim me çfarë dukej sheshit, për ta shpëtuar çiftin tonë. E para, çfarë do të kisha mundur apo duhej të kisha bërë ndryshe?
Gruaja ime dëshironte një jetë tjetër. Unë sapo isha zgjedhur. Shkurorëzimi ishte e vetmja rrugëdalje e arsyeshme. Është pak të them se asokohe qëndrimi i Sesilias (Cecilia) më la pa mend. Nuk kisha parandier asgjë. Nuk kisha kuptuar asgjë. Po vuaja, pa mundur ta mbaja nën kontroll, një situatë që po bëhej çdo ditë e më e pakuptueshme.
U bëra kështu presidenti i parë që e shpallte shkurorëzimin në zyrën e tij në Elize. Qe një risi që me siguri nuk do të më ishte dashur fare… E pranoj që kam vuajtur nga kjo nxjerrje e gjërave sheshit, gjatë së cilës disa prej kundërshtarëve të asaj kohe nuk ngurruan të më prekin në plagë aty ku më dhembte më shumë. ?E si mund ta udhëheqë ai Francën, kur nuk mund të bëjë zap as gruan e vet?? u thoshin në vesh miqtë e Dominik dë Vilpenit (Dominique de Villepin) atyre që donin t’i dëgjonin, duke menduar se kështu po u shërbenin interesave të heroit të tyre. Kurse një trim deputet socialist ulëriti sapo mbërrita në sallën gjysmërrethore, ndërsa isha ulur në bankën e qeverisë: “Ku është Sesilia?”, duke shkaktuar indinjatën e njërës palë dhe të qeshurat e palës tjetër.
Pa folur pastaj për atë kopertinën e pamëshirshme të revistës ‘Paris Match’, ku shihej Sesilia me shokun e saj të ri, ndërkohë që ne vazhdonim të ishim të martuar. Punët kishin shkuar deri në atë pikë saqë, në çdo çast, po prisja më të keqen. Duhej t’u kisha rënë gjërave me sëpatë shumë më parë. Nuk e bëra dhe kjo qe një dobësi e një gabim, në fakt më fort personal se politik. Politikisht, hallet e mia bashkëshortore më sollën ç’është e vërteta, më shumë ndjenja simpatie, sesa tallje. Fundja, francezët mendonin se për të tjerat unë nuk isha për të më qarë hallin dhe se duhej gjithsesi të kisha disa probleme me të cilat të përballesha…Mendoj, për më tepër, se shumë gra më qenë mirënjohëse që nuk shqiptova asnjëherë as fjalën më të vogël të pakëndshme ndaj Sesilias.
Këtë e kam bërë për djalin tonë Lui (Louis), sepse i kam respektuar përherë nënat e fëmijëve të mi dhe sepse nuk doja ta digjja atë që kisha dashur. Ideja e vuajtjes është shpeshherë më e keqe se vetë vuajtja. Ndërkohë që kisha luftuar aq shumë për ta shpëtuar familjen time, të nesërmen e shkurorëzimit u zgjova në Portugali, ku ndodhesha për një takim të nivelit të lartë europian, me një barrë të madhe më pak. Ndihesha i lehtësuar. Gjithçka kishte përfunduar. I isha druajtur, e kisha pasur gabim. Isha mësuar tashmë me idenë se do ta jetoja pesëvjeçarin e presidencës sime si beqar. Të paktën do t?ia kushtoja të gjitha energjitë përmbushjes së mandatit. Vazhdimi tregoi se isha gabuar dhe nuk i kisha bërë mirë llogaritë me misteret e fatit dhe me tiparet e theksuara të temperamentit tim.
Unë jam njeri sentimental dhe dua me gjithë shpirt ta ndaj me tjetërkënd jetën e përditshme. Më pëlqen t?i mbroj ata që i dua. Më pëlqen jeta familjare. Kam nevojë për njerëzit e mi. Nuk kam asgjë prej ndonjë eremiti që mund të jetojë i vetëm. Përmasa afektive e jetës sime ka qenë gjithmonë mbizotëruese. Për këtë gjë nuk ndjej as krenari, as turp. Është kështu dhe pikë. Asgjë nuk më duket më e trishtueshme se një jetë në vetmi.
(Marrë nga libri “Pasione”)