Qëndrimet e Zoran Zaevit, të prezantuara para opinionit dhe elektoratit në vend janë kompatibile me qëndrimet e mia personale politike, të cilat kanë gjetur mbështetje tek shumë qytetarë shqiptarë dhe qytetarët e përkatësive tjera etnike. Jam thellë e bindur se premtimet për realizimin e shumë çështjeve që e ngarkojnë qytetarin në Maqedoni, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit do të bëhen realitet. Kështu për portalin “tesheshi” ka thënë Gjylemsere Kasapi, kandidate e LSDM-së në Njësinë e dytë zgjedhore, ndërsa është shprehur se partitë nacionaliste ngadalë do t’i takojnë historisë, pasi siç ka thënë ajo, sjellin ide të kufizuara në çdo pikëpamje duke e ngulfatur shoqërinë”. “Unë me një mendje të hapur, pranova bashkëpunimin duke mbështetur parimet dhe platformën politike zgjedhore të LSDM-së, duke udhëhequr qytetarët e interesuar për jetë më të mirë në Maqedoni. Është fakt i pamohueshëm që maqedonët, shqiptarët dhe etnitetet tjera jetojnë afër njëri-tjetrit. Kjo është e vërteta më e madhe që disa subjekte politike deri sot nuk kanë dashur ta perceptojnë, duke e shfrytëzuar formulën nacionaliste për të zhvendosur vëmendjen e qytetarëve nga problemet jetike që kanë të bëjnë me paga dhe standard të ulët, varfëri të skajshme dhe pasiguri në shumë fusha të jetës”, ka thënë në intervistë zonja Kasapi. Madje, ajo ka thënë se LSDM do të jetë partia fituese më 11 dhjetor, ndërsa ka përsëritur se epoka e politikave të deritanishme, me theks të veçantë në problemet etnike, nacionale do të zbehet kurse ndikimi i tyre të dobësohet. “Optimizmi më ka udhëhequr në jetë. Pse optimiste edhe tani kur jam pjesë e një koalicioni, dhe platforme politike parazgjedhore që do ta luftojë të keqen, korrupsionin, emigrimin dhe varfërinë. Shpresoj në fitore. Do t’u përgjigjem votuesve dhe kërkesave të tyre pasi ata që do më votojnë, ju premtoj se gjithmonë do më kenë pranë, duke i mbrojtur interesat e tyre në realizimin e programit të qeverisë së ardhshme e cila garanton jetë dhe standard më të mirë, punësime për të rinjtë dhe paga më të larta që të rinjtë të qëndrojnë në Maqedoni”, ka thënë zonja Kasapi.