Maqedonia dhe Serbia kanë traditë të gjatë historike dhe kulturore e cila nuk duhet të prishet për shkak të qëndrimeve të ndryshme për ndonjë çështje, ndërsa atje ku ekzistojnë qëndrime dhe mendime të ndryshme duhet të zgjidhen përmes dialogut. Këtë sot e theksoi presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov, i cili me rastin e festës Shën Sava i priti nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Serbisë Verolub Arsiq, ambasadoren e Republikës së Serbisë në Republikën e Maqedonisë Dushanka Divjak – Tomiq dhe pjesëtarë të bashkësisë serbe në Republikën e Maqedonisë.
Duke uruar festën Shën Sava, Ivanov theksoi se Republika e Maqedonisë është shembull në këto hapësira se si respektohen dhe se si pranohen bashkësitë etnike, duke përfshirë edhe atë serbe. Siç njofton Kabineti i tij, pjesëtarët e bashkësisë serbe në Republikën e Maqedonisë u falënderuan për pritjen si dhe për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet shtetërore në Maqedoni. Në takim është konkluduar se edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të ruhen marrëdhëniet e ndërsjella të Maqedonisë dhe Serbisë, në frymën e miqësisë së mirë dhe bashkëpunimit të afërt midis dy popujve.