Delvina KËRLUKU
Qëndrim Rijani është lindur në vitin 1990, në Kërçovë. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Fakultetin në Universitetin e Arteve Tiranë. Është fitues i Çmimit “Regjisori i ri më i mirë” në Shqipëri. Fitues i çmimit “Regjisori i vitit” në Maqedoni. Njihet si fitues i disa çmimeve në festivale të ndryshme, me karakter mirënjohje. Ka realizuar nëntë shfaqje profesionale, të realizuara deri tani janë 6 në Shqipëri, 3 në Maqedoni.
KOHA: Fëmijët gjejnë kënaqësi duke lozur me lojëra apo objekte dhe duke i atribuuar këtyre role të caktuar në lojën e tyre. Cila ishte fëmijëria juaj?
RIJANI: Në fakt, më duket se fëmijërinë time e kam kaluar shumë shpejt, nuk e di pse kështu më duket! Të vetmen lojë që mbaj mend të cilën e luaja në grup me shokë, është roli i ushtarit që mbronte atdheun, i cili rol më pas u modernizua fal teknologjisë, duke e luajtur në kompjuter tek varianti ‘counter-strike’ që ndonjëherë e luaj edhe sot…!
KOHA: Na tregoni pak për hapat e para të karrierës suaj. Çfarë ju shtyu të studioni regjinë dhe si arritët të regjistroheni në universitet?
RIJANI: U rrita me dy ëndrra të cilat herë pas here luftonin me njëra tjetrën brenda meje. Ëndrra e parë ishte regjia –(aktrimi), dhe e dyta mjekësia. E para kishte rrënjët e saj brenda meje, si një qëllim për të realizuar veten brenda jetës time, dhe e dyta si dëshirë për të realizuar qëllimin që donte të realizonte nëna ime përmes meje. U nisa për të realizuar së pari qëllimin e nënës time qe e dua fort, dhe rrugës fitoi qëllimi im brenda meje, dhe ju ndërrova kohën fakulteteve. Nuk e kam menduar në jetë, që të bëhem regjisor. Por, pasi fillova në shkollën e mesme, ndoshta ndikimi i filmave shqiptar, më bëri të mendoj për regjinë. Dëshira e prindërit ishte të jem mjek, për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve. Marrëdhëniet e mira me prindin, më imponoi të regjistrohem në fakultetin e mjekësisë. Prindërit as mjekë nuk i kam, as regjisorë. Meqë kam qenë nxënës i shkëlqyer në shkollë, rekomandimi i prindërve ishte të ndjek një fakultet jo të zakonshëm. Pas përfundimit të gjimnazit, jam regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, por nuk zgjati shumë. Pas një viti ndërrova mëndje, u tërhoqa nga ky fakultet, edhe pse e konsideroj si profesion shumë të rëndësishëm për jetë. Bëra hapin vetë, u detyrova të tërheq dokumentet nga Fakulteti i Mjekësisë dhe të njëjtat t’i dërgoj në Universitetin e Arteve, respektivisht në regji. Pas provimit kalues, përvesha mëngët që të studioj një profesion të panjohur për familjen time. Arrita me sukses të përfundoj fakultetin e më pas, pas përfitimit të një burse për specializim, u pasua ceremonia e ndarjes së diplomës. Atë ditë ndjeva krenarinë e nënës sime. Por, pyetja ime për të ishte se: më mirë që u bëra regjisor, e jo mjek? Përherë, nënat janë lumturia jonë kur na përkrahin e na përkëdhelin e na urojnë për punën tonë të suksesshme. Edhe pse ka raste që dëshirat e saj nuk kanë shkuar në vend, por ajo ndjehet krenare me mua, për punën që bëj dhe për sukseset që korr. Pasi u bëra regjisor, hapat e para të karrierës time bënë që qëllimi im të bëhet më i fuqishëm tek nëna ime sesa tek vetë unë, duke e harruar ajo vetë mjekësinë. Kështu u ndjeva i plotësuar brenda ëndrrës time, të cilën direkt pas mbarimit të studimeve duke punuar fort, po përpiqem ta realizoj dhe të bej punë më të madhe dita ditës.
KOHA: Tirana, vend i kinemasë, i kulturës, i artit. Sa e vështirë ishte përshtatja me ambientin e atjeshëm, me një gjuhë të pastër, pa nuanca dialekti?
RIJANI: Që fëmijë jam rritur me ëndrrën e Shqipërisë. Unë rrjedh nga një familje që gjithnjë ka punuar, për çështjen kombëtare. Gjithmonë kam qenë brenda asaj vorbulle, për ndjenjën kombëtare. Isha i gdhendur me gjuhën, kulturën, zakonet tiranase, e gjithë kjo, sepse ndiqja filmat shqiptar. Babai im sa herë që lëvizte për në Tiranë, gjithmonë më sillte ‘video’ me filmat e Shqipërisë. Ishte një marrëdhënie shumë e ngushtë shpirtërore me artistët e filmave. Në këtë ambient u mvesh kultura, gjuha e pastër e tyre, pa nuanca dialekti. Pra, me kulturën e Shqipërisë kam pasur një përqafim shumë të madh. Sa i përket ndryshimit të kulturës në art, Shkupi me Tiranën nuk dallon shumë, normalisht që kultura dhe ambienti ka ndryshimet e veta. Brendësia e ambientit të kulturës, në Tiranë është më e zhvilluar. Nga ana tjetër, këtu te ne kemi shumë artist të talentuar. Ka divergjenca mes dy kryeqyteteve, por gati gati ngjasojnë. Ajo çka mua më brengos është se në mes shoqërisë së atjeshme dhe këtushme është publiku. Atje ka më shumë publik, ka më shumë repriza. Komuniteti në Maqedoni duhet të brengoset nga ky fakt dhe duhet të veprojë që të sjell më shumë publik në teatër.
KOHA: Gjatë studimeve, a keni pasur rastin të punoni ndonjë projekt qoftë shfaqje teatrore, film të metrazhit të shkurtër apo të gjatë, ku ju keni bërë regjinë, pra ku ju keni provuar veten për herë të parë si regjisor?
RIJANI: Përveç shfaqjeve si detyra shkollore, shfaqjen e parë profesionale, nëse mund ta quaj të tillë, e kam bërë gjatë studimeve kur isha në vitin e tretë. Është shfaqja ime e parë ku provova forcat pa pasur një udhëheqës artistik me vete. Mbaj me vete shumë kujtime pozitive, për suksesin e asaj shfaqje, e cila zhvillohej në një “anije”, e sot e kujtoj si “anijen” e parë me të cilën nisa udhëtimin në oqeanin e madh të teatrit. Sa i përket filmit, filmi gjithmonë ka qenë pjesë e imja. Momentalisht jam duke u marrë me një dokumentar, por nëse do më pyesni ku te fle shpirti, përgjigjja ime është tek teatri. Filmi është thjesht një hobi brenda këtij oqeani që quhet art.
KOHA: Na tregoni më shumë në lidhje me tetarin. Ku është jeta e vërtetë, në skenë apo jashtë saj?
RIJANI: Ndonjëherë kur flas për teatrin, më duket sikur flas më sinqerisht se për vetë jetën, edhe pse teatrin e mendoj si një jetë tjetër, kështu më përzihen mendimet dhe herë pas here pyes veten: Ku është jeta e vërtetë, në skenë apo jashtë saj ?! Përtej kësaj teatrin e mendoj si vendi i shenjtë, përmes të cilit unë kam mundësinë të them të gjitha ato të vërteta apo shqetësime që kam brenda vetes, të ngre të gjitha ato pikëpyetje që kam për jetën apo përtej-jetën. Dhe sa herë që arrij të them diçka, kuptoj se nuk kam thënë asgjë, e kështu mbahem i lidhur fortë pas punës, për të thënë atë që se kam thënë akoma.
KOHA: Jeni regjisor i ri në moshë. Çka e karakterizon një regjisor të mirë. Cilat janë ato veti që e bëjnë një regji të jetë e mirë dhe tërheqëse për publikun?
RIJANI: Unë jam akoma në kërkim të këtij çelësi dhe kam frikë që gjithë jetën do jem në kërkim, mendoj që në momentin që do ta gjej këtë çelës do kenë ndryshuar “bravat” e publiku… Unë regjinë e konsideroj si një zanat brenda punëtorisë së të cilës duhet të zhvillohet punë e palodhshme, për të arritur që të destinohet te publiku më e mira e mundshme. E gjitha kjo bëhet duke analizuar gjendjen emocionale – shoqërore, të publikut dhe normalisht që përpara se të bëjmë këtë kemi bërë gjithë analizën e të gjitha pikave të rëndësishme në raport me tekstin që do të vendosim mbi tavolinën e provave, dhe mbi gjithçka që ka rëndësi, që gjithmonë të mbahet me vete frika e mos të qenit më i miri, nuk mendoj që qëllimi i një regjisori duhet të jetë të qenit më i mirë, mendoj që qëllimi i regjisorit duhet të jete: të bërit më e mira!
KOHA: Sa i jepet hapësirë për të vepruar një regjisorit shqiptar nga Maqedonia jashtë kufijve, veçmas në Shqipëri?
RIJANI: Unë shpesh herë e kam ndjerë veten me shumë fat, sepse në asnjë moment nuk jam ndjerë i huaj në Shqipëri. Kjo ka ndodhur ndoshta, sepse atje i kam mbaruar studimet, apo nuk e di pse, por nëse do flas për veten, në çdo moment i kam pasur dhe i kam dyert e hapura, madje me apo pa modesti po e them që “punëtoria” ime më e madhe është atje sesa këtu, në Maqedoni (Shqipëri Lindore). Gjithmonë jam partizan i mendimit që nga këndvështrimi kulturor mund të ketë divergjenca, por assesi kufij mes shqiptarëve. Sa i përket hapësirës përtej shqiptare, unë akoma jam në hapat e para, kam lëvizur disa herë për ‘Seminare-Work-Shope’, ndërsa projekte teatrore do të kem vitin e ardhshëm dhe po pres ta provoj nëse edhe atje arti do më bëjë të mos ndjehem i huaj…!
KOHA: Çfarë është kinematografia për ju, dhe si e vlerësoni kinematografinë shqiptare në Maqedoni dhe në viset tjera shqiptare?
RIJANI: Kinematografia është pjesë shumë e domethënëse e imja, pas pjesës më të rëndësishme që është teatri, herë pas here kur shkëputem prej teatrit lundroj brenda saj. Nëse do të duhej një vlerësim, nuk mund ta bëj , nuk mund ta bëj, sepse për të vlerësuar diçka duhet ta kesh atë mbi “tavolinë”. Ne, fatkeqësisht, këtu në Maqedoni, hapësirën e veprimit me fonde për filma e kemi në gjendje të mjerueshme. Shqipëria dhe Kosova po i ngjisin shkallët ngadalë, kurse këtu thjesht shpresa ka mbetur që një ditë të kemi hisen tonë jo me shume sesa na takon, sepse sot asnjë grimcë të vogël të asaj që na takon nuk e kemi.
KOHA: Cila është pengesa për parandalimin e zhvillimit të artit, në përgjithësi?
RIJANI: Arti historikisht njihet si “armiku” më i madh i politikës, dhe që politika ta luftojë artin, kjo nuk është aspak çudi, sepse vetë arti për të realizuar qëllimin e tij për detyrë ka të thotë të vërtetën dhe automatikisht do të luftohet nga e pavërteta. Por, në gjendjen që ndodhemi ne, pengesa më e madhe është fakti që politika në hapësirat tona po bën çmos që ta instrumentalizojë artin dhe ta kthejë në një instrument të saj përmes të cilit do të arrij qëllimet e veta, për pasojë instrumentalizohen artistët dhe si përfundim s’ka art, thjesht ka diçka që e quajmë të tillë. Ndërsa, ana tjetër e kësaj medaljeje është edhe komercializimi apo me saktë kiçi, i cili po e ngulfat artin e vërtetë.
KOHA: Në festivale jepen disa çmime, si regjia më e mirë, aktori më i mirë, skenografia më e mirë etj. Ç’do të thotë për ju të nderohesh me çmimin regjia më e mirë?
RIJANI: Edhe pse e kam marrë disa herë këtë çmim, gjithmonë i jam gëzuar më pak sesa çmimit të shfaqjes më të mirë, sepse gjithmonë ndjehem më mirë, kur vlerësohet grupi dhe jo individi. Megjithatë, në këtë kohë të pakohë jo gjithmonë çmimet janë matës i vërtetë i vlerës, kështu që duke qenë koshient për këtë, rëndësinë më të madhe ia kushtoj ndjesisë time pas çdo mbarimi të çdo festivali ku jam prezent me punët e mia.
KOHA: Keni realizuar projekte jo vetëm në Maqedoni. Çfarë emocione keni përjetuar dhe çfarë ju ka lënë më shumë përshtypje në aktivitetet?
RIJANI: Çdo projekt në çfarëdo vendi që bëhet ka rëndësinë e vet, jo më pak se në një vend tjetër. Besoj që edhe pse duhet, për arsye procesi dhe përqafimi i produktit që bën të analizohet mirë vendi në të cilin punojmë, të them të drejtën për mua emocioni i përfundimit të bërë është i njëjtë, publiku është kudo i njëjti për mua, dhe gjithmonë mundohem ta vlerësoj atë, pavarësisht vendit. Megjithatë, çdo vend ka edhe të veçantat e veta.
KOHA: Keni bashkëpunuar me shumë aktorë nga gjithë trojet shqiptare. Si qëndrojnë raportet e juaja me aktorët?
RIJANI: Si natyrë jam shumë i qetë, por po t’i pyesësh aktorët, do të thonë që jam pak arrogant dhe rigoroz në punë. Por, në përgjithësi janë të mira. Kam të njëjtën metodologji të të punuarit si në Maqedoni ashtu edhe në Shqipëri. Pas një pune të lodhshme me baticat dhe zbaticat e saj, arrihet suksesi. Ky fryt suksesi i bën të harrojmë “zënkat” në orët e mësimit.
KOHA: Në skenat tona depërtojnë vepra të autorëve të huaj. Kemi apo nuk kemi drama të mira të autorëve shqiptarë dhe pse “harrohen” autorët shqiptarë nga regjisorët?
RIJANI: Në kohën që po i përgjigjem kësaj pyetje, jam duke punuar një vepër shqiptare. Ia pata vënë qëllim vetes që do të punoj një dramë nacionale, jo vetëm për të thënë që nuk i kam harruar veprat shqiptare, por sepse mendoj vërtetë që duhet të avancojmë atë që është e jona, nejse nuk dua te flas për veprën që po punoj, por për fenomenin që mban emrin dramaturgji shqiptare, mendoj që nuk na mungojnë historitë tona të cilat do prodhonin vepra fantastike. Po ashtu nuk është se na mungojnë vepra shqiptare dhe dramaturgë shqiptare. Por, ajo çka herë pas here bën që të përqafojmë më shpejt veprat e huaja, është mungesa e asaj që quhet proces shkollor në rrugëtimin tonë historik sa i përket dramaturgjisë, e cila është vërtetë një gjini krijuese që ka një “matematikë” strukturimi. Në këtë kohë tranzicioni kulturor që po kalojmë duhet patjetër të punojmë fort për të inkurajuar sa më shumë krijues të kalojnë në procese shkollore të dramaturgjisë, në mënyrë që të kemi nga ata jo vetëm histori të bukura, por edhe të strukturuara mirë, përmes asaj që unë e quaj “matematikë” krijuese në lëmin e dramaturgjisë dhe në këtë mënyrë do të mund të arrijmë të barazojmë numrin e vënieve në skenë të veprave shqiptare me vendosjen e veprave të huaja.
KOHA: Si janë raportet e juaja me shkrimtarët dhe veprat e shkrimtarëve?
RIJANI: Unë e kam për zemër poetin Dritëro Agollin. Ai për mua është si një baba i dytë. Kemi edhe lidhje familjare. Ai më ka mësuar shumëçka, aq më shumë si ta dua shpirtërisht profesionin tim. Përveç poezisë së tij që e lexojnë adhuruesit e poezisë, unë kam marrë edhe nga shpirti i tij. Në Tiranë kur organizohen mbrëmje letrare, pra poetike, kam marrë pjesë vazhdimisht dhe kam takuar poetë dhe shkrimtarë.
KOHA: Jeni edhe ligjërues. Çfarë mund të na flisni për studentët e juaj, kah po shkon rinia jonë?
RIJANI: Kam arritur të njoh të rinj që studiojnë në Tiranë dhe në Tetovë. Dua të theksoj se me shumë përpjekje e ngulm arritëm të hapim degën e regjisë në USHT. Klasa e parë e regjisë në gjuhën shqipe në Maqedoni është hap vitin e kaluar. Kjo mundësoi që ai deficiti i regjisorëve, që mungojnë, të arrijë q të paktën brenda katër viteve të nxjerr disa regjisor të mirëfilltë. Sa herë që shkoj në Tetovë, ndjehem shumë mirë dhe e shoh që ka shumë entuziazëm. Pra, ne në Maqedoni që kemi pasur një farë stepje në këtë fushë, kemi arritur që të lulëzojë kjo degë. Ne duhet ti avancojmë drejtimet që janë më pak prezent në tregun tonë të artit, sepse janë thelbi i kulturës tonë. Por, brezi i ri duhet të bëjë edhe më shumë seç kanë bë të parët e tyre. Unë nuk kam bë edhe aq për Kërçovën, vendlindjen time. Por, secili duhet të bëjë për vendin e vet.
KOHA: Puna e ‘burgos’ njeriun. Cila është koha e juaj e lirë, jashtë teatrit?
RIJANI: Ndjehem shumë me fat që kam vërtetë shumë punë me teatrin dhe që më ka mbërthyer aq mirë pas vetes, sa nuk më jep shumë kohë të kaloj jashtë tij. Koha ime ka dy rrugë, teatër me aktorët dhe procesin ose më saktë kohën për të lexuar mbi teatrin, apo fakultet me studentët dhe kohën për t’u përgatitur në lidhje me atë që duhet t’u them kur t’u dal përpara, dhe atëherë kur kam kohë për një rrugë të tretë, është brenda kësaj rruge dhe këtu hyn gjuetia.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.