Projekti për ndërtimin e Qendrës së Kulturës së zonës ka nisur prej më shumë se 10 vitesh dhe është ndërprerë me përfundimin e vetëm njërit objekt – atij të administratës, ndërsa lamela e dytë, salla me një kapacitet prej 400 vendesh – pritet të kompletohet vitin e ardhshëm. Kreu i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, thotë se pas përfundimit të karabinasë gjatë vitit të kaluar, për vitin 2020 Ministria e Kulturës e refuzoi kërkesën e komunës për të vijuar me punimet
Evis HALILI
Shkup, 21 nëntor – Qendra e Kulturës në Komunën e Likovës, në Mateç, është një prej projekteve të fundit të financuara nga grantet kapitale të Ministrisë së Kulturës që do të duhet të jetë në funksion vitin e ardhshëm. Projekti për ndërtimin e Qendrës së Kulturës së zonës ka nisur prej më shumë se 10 vitesh dhe është ndërprerë me përfundimin e vetëm njërit objekt- atij të administratës, ndërsa lamela e dytë, salla me një kapacitet prej 400 vendesh, pritet të kompletohet vitin e ardhshëm. Të paktën kështu deklarojnë nga komuna për këtë projekt, finalizimi i të cilit është anuluar dhe pezulluar për vite me radhë për shkak të mungesës së fondeve dhe komplikimeve të krijuara nga shlyerja e borxheve të Komunës dhe likuidimit të detyrimeve të mbetura. Kreu i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, thotë se pas përfundimit të karabinasë gjatë vitit të kaluar, për vitin 2020, Ministria e Kulturës pas rebalancit e refuzoi kërkesën e komunës për të vijuar me punimet. Shuma prej 23 milionë denarë që duhet të aprovohet në Buxhetin e vitit 2021 është e mjaftueshme për të mbyllur projektin, kompletimin e brendshëm të sallës kryesore.
“Që nga viti 2008, Ministria e Kulturës nuk ndau më mjete për vazhdimin e punimeve, deri në vitin 2019, kur përfunduan punimet për karabinën e sallës së koncerteve. Edhe komuna ndau 2 milionë denarë për punimet në lamelën e dytë. Nëse Ministria e Kulturës do të ndajë për këtë qendër 23 milionë denarë të tjerë këtë vit, do të përfundojë edhe ky projekt duke krijuar mundësi për zhvillimin e jetës kulturore në këtë zonë dhe aktivitetet e ndryshme të shoqatave që deri tani e kanë pasur të vështirë për t’u organizuar”, thotë Arifi.
Gjatë vitit 2019, fondet e Ministrisë së Kulturës për grante kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale nga Programi 84 – Mirëmbajtja e objekteve në fushën e kulturës, kapën vlerën 125 milionë denarë, prej të cilave rreth 25 milionë për Qendrën e Kulturës në Mateç dhe mbi 18 milionë për rikonstruktimin e qendrës së kulturës “Shota”. Ndërkohë që një pjesë e Qendrave të kulturës në komuna të tjera vijojnë me problemet për rikonstruktimin, të tjera me nevojat për ndërtimin e kapaciteteve të reja. Jo vetëm qendrat që janë në varësi të pushtetit lokal, numri i të cilave është rritur pas vitit 2004 pas kalimit në institucione lokale nga nacionale, të cilat kanë probleme me mirëmbajtjen, por edhe qendrat e tjera që janë në varësi të Ministrisë së Kulturës kanë probleme me godinat e amortizuara, si ajo në Tetovë që nuk është rikonstrukuar prej vitesh, apo edhe me kapacitetet e kufizuara për zhvillimin e aktiviteteve dhe manifestimeve më të mëdha, për të cilat përdoren sheshet e qyteteve.
Në Programin e Ministrisë së kulturës për këtë vit, lidhur me ndërtimin e objekteve të reja dhe rikonstruktimin e atyre ekzistuese – është marrë përsipër përfundimi i 12 projekteve, mes të cilëve janë Teatri dhe Biblioteka e Tetovës (120 milionë denarë), rikonstruktimi i Qendrës së Kulturës në Kumanovë “Trajko Prokopiev (5 milionë denarë), rikonstruktimi i Qendrës së Kulturës në Gostivar (10 milionë denarë), si edhe adaptimi i ambienteve në galerinë e Qendrës së Kulturës në Kërçovë (2 milionë denarë). (koha.mk)