Evis HALILI
Shkup, 12 shkurt – Transformimi i qendrave të kulturës nga institucione në varësi të pushtetit qendror në atë lokal, një prej masave të paralajmëruara në kuadër të procesit të decentralizimit institucional, është pritur me rezerva nga vetë drejtuesit e tyre, shkruan gazeta KOHA. Modeli i transferimit të kompetencave është një prej arsyeve, po aq sa edhe kapacitetet e limituara financiare të komunave për të mbështetur si duhet funksionimin e tyre.
Në disa prej qendrave në komunat shqiptare, të cilat funksionojnë në kushte jo të volitshme, pohojnë se menaxhimi nuk do të kishte efekte pozitive, nëse do të lihej tërësisht në kompetenca të komunave.
Në versionin jozyrtar të Strategjisë për kulturën, procesi i decentralizimit institucional është një prej hapave kryesore për vetë decentralizimin e kulturës. Një prej masave të domosdoshme reformuese është përcaktimi i kritereve të qarta për përcaktimin e rrjetit të institucioneve publike, përkatësisht revidimin e rrjetit aktual të institucioneve nacionale. Disa prej tyre, thuhet në Strategji, do të transformohen sipas modeleve të ndryshme – do të kalojnë në nivel lokal, një pjesë do të rregullohen sipas principit të partneritetit publik-privat, të tjerat do të shndërrohen në qendra kulture të komunitetit, por do të ketë edhe institucione që do t’i jepen për t’u menaxhuar organizatave nga sektori i pavarur.
Nëse qendrat e kulturës do të kalonin në kompetenca të komunës, ky do të ishte një lloj kapitullimi i paevitueshëm, thotë për KOHA, drejtori i Qendrës së Kulturës në Gostivar, Luan Zenku. Si shembull për decentralizimin e keq, ai jep rastin e qendrës në Vrapçishtit (Negotinë), e cila pas shndërrimit të qendër lokale reduktoi në minimum funksionimin.
“Procesi i decentralizimit do të jetë problem i vërtetë për ekzistencën tonë. Nëse i referohemi shpenzimeve tona që janë diku 300 mijë euro, ndërsa të hyrat vjetore nuk shkojnë më shumë se 15 mijë euro, nga rentimi i hapësirave, anëtarësia e bibliotekës, e të tjera. Dhe besoj se kostoja financiare vjetore do të krijonte një pus në buxhetin e komunës, që realisht nuk mund të themi se ka si prioritet kulturën, pasi ka prioritete të tjera. Pra kalimi në nivel lokal do të sillte paralizimin e aktiviteteve, ndërsa kështu duke funksionuar si institucion nacional ajo çfarë përfitojmë nga Ministria e Kulturës është e mjaftueshme për të menaxhuar me aktivitetet e kulturës”, thotë Zenku.
Nëse qendrat e kulturës do t’i kalonin komunave në këtë gjendje në të cilën janë, do të shndërroheshin në një ngarkesë të papërballueshme, thotë drejtori i Qendrës së Kulturës në Tetovë, Haki Fazliu. “Vetë procesi i decentralizimit është një avantazh, pasi situatat janë të prekshme dhe linku i komunikimit është i drejtpërdrejtë mes qendrës dhe komunës. Por nëse të themi ky proces do të kryhet pa përfunduar rikonstruktimin e plotë të vetë objektit, siç është rasti me qendrën tonë që ka një sërë problemesh, krijimi i kushteve optimale të funksionimit ne nuk do të ishim asgjë më shumë përveç se një ngarkesë për komunën dhe jo institucion profitabil dhe në shërbim të kulturës e qytetarëve”, thotë për KOHA Fazliu. Pushteti lokal është më pranë popullit dhe i njeh më mirë nevojat e komunitetit, por gjithçka do varet nga modeli që do të zbatohet për decentralizimin, thotë një tjetër drejtor, Artim Spahiu, i Qendrës së Kulturës së komunës së Dibrës.
“Nëse decentralzimi do të ndodhë ashtu siç edhe flitet, që edhe financat do të jenë në kompetenca të komunës, atëherë ky proces do të jetë i vështirë për një pjesë prej nesh. Sidomos për ne këtu në Dibër, në bazë të të hyrave që ka kjo komunë, vetë potencialit financiar që disponon, do të ishte e vështirë kalimi në vetëqeverisje lokale. Në qoftë se do të ishte komplet e menaxhuar dhe e financuar nga komuna qendra do të haste në vështirësi dhe nuk do të funksiononte ashtu si funksionon tani”, thotë drejtori Spahiu.
Vite më parë institucionet publike të kulturës u ndanë në nacionale dhe lokale, duke rritur artificialisht numrin e institucioneve nacionale dhe jo sipas mundësive dhe nevojave reale. Përmes buxhetit të Ministrisë së Kulturës, financohen 112 institucione, 63 prej të cilave kanë statusin nacional ( me mbi 2.700 punonjës), ndërsa të tjerat janë institucione lokale. Këto shifra, në analizën më të fundit të Ministrisë së Kulturës, flasin për shpërndarjen e zhdrejtë institucionale dhe kadrovike në kulturë. (koha.mk)