Shkup, 20 dhjetor – Procedurat për regjistrimin e Teatrit të Fëmijëve në Çarshi, ende nuk kanë përfunduar. Ato përfundimisht janë dorëzuar vetëm dy javë më parë, edhe pse vendimi për kalimin e Qendrës Teatrore për fëmijë nga një organizatë në një institucion kulture, në varësi të Komunës së Çairit, ka kaluar më shumë se një vit. Kjo është arsyeja që në godinën ekzistuese nuk ka asnjë lloj tabele që të shënojë institucionin, apo edhe biletarie, orari për shfaqjen e pjesëve teatrale. Për rrjedhojë, edhe numri i shfaqjeve dhe premierave të dhëna për fëmijë është i vogël. Në komunë sqarojnë se më shumë sesa e neglizhuar, kjo çështje është zvarritur edhe për shkak të formulimit me pasaktësi të vendimit të themelimit nga ana e këshillit, gjë që ka sjellë edhe kthimin e dosjes sërish në komunë. “Deri tani ka pasur zvarritje për shkak të problemeve që kanë dalë. Vendimi i këshillit është kthyer për t’iu bërë ndryshimet e duhura dhe kjo është e kuptueshme, për shkak se është hera e parë që themelohet një institucion i tillë”, thotë për gazetën KOHA, Afrim Useini, nga Sektori i zhvillimit lokal dhe ekonomik. Vitin e kaluar me dhënien e premierës “Përrallat e Ezopit”, komuna zyrtarisht shpalli fillimin e punës së teatrit të parë për fëmijë në gjuhën shqipe, e cila obligohet që të sigurojë mbështetjen e duhur financiare për funksionimin e këtij institucionit kulturor. Ajo që komuna ka parashikuar që ky teatër të vihet në funksion të avancimit të jetës kulturore, sidomos për fëmijët e shkollave jo vetëm në këtë komunë, por edhe më gjerë. Drejtor i Teatrit do të jetë Bajrush Mjaku, i cili ka qenë themeluesi i Qendrës që funksionon prej disa vitesh, por që për shkak të mbështetjes së kufizuar financiare, e ka pasur të vështirë që të ngjisë në skenë një numër më të madh premierash apo edhe reprizash… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.