Në vitin 2018 parashikohej kapja dhe trajtim i rreth 20 kafshëve në muaj, përkatësisht rreth 240 në vit, mirëpo në kohën kur kanë ngelur vetëm 8 ditë nga ky vit, ky projekt ende nuk ka filluar të realizohet. Për këtë qëllim, nga ana e Komunës së Tetovës janë paraparë mjete në vlerë rreth 500 mijë denarë
Urim HASIPI
Tetovë, 24 dhjetor – Në muajin tetor në një nga seancat e këshillit komunal ishte miratuar vendimi për trajtimin qenve endacak , me çka edhe do të ndërtohej stacioni enkas për këtë qëllim në hapësirat e Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë. Tashmë edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur është miratuar ky vendim, konkretisht ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, shkruan gazeta KOHA.
Nga Komuna e Tetovës thonë se punohet në zgjidhjen e këtij problemi. Por, sipas kryetares së komunës së Tetovës Teuta Arifi, duhet që të përfundohen procedurat administrative rreth tenderit për trajtimin e qenve endacak. “Po është miratuar vendimi për këtë problematikë dhe tashmë në rrjedhë e sipër janë procedurat administrative dhe shpresojmë se shumë shpejt stacioni do të jetë funksional”, tha Arifi. Programa që u miratua në këshillin e Komunës së Tetovës është përgatitur në Sektorin për Tokë Ndërtimore dhe parashihet për zgjidhjen e problemit lidhur me praninë në rritje të qenve endacake, përkatësisht për kontrollin e numrit të tyre, nga ana e Organizatës botërore për mbrojtjen e tyre, si mënyrë e vetme e mundshme është rekomanduar trajtimi human. Sipas kësaj programe, në vitin 2018 parashikohej kapja dhe trajtim i rreth 20 kafshëve në muaj, përkatësisht rreth 240 në vit, mirëpo në kohën kur kanë ngelur vetëm 8 ditë nga ky vit, ky projekt ende nuk ka filluar të realizohet. Për këtë qëllim nga ana e komunës së Tetovës janë paraparë mjete në vlerë rreth 500 mijë denarë.
“Financimi i Programit kryhet me mjete të parashikuara në buxhetin e komunës së Tetovës për vitin 2018, në shumën prej 500.000 denarëve. Çmimet për kapjen e qenve e endacakë , qëndrim në stacionar dhe për trajtimin veterinar të parashikuara me këtë program definohen nga ofertuesi më i mirë, i zgjedhur me furnizim publik nga komuna e Tetovës”, theksojnë nga komuna e Tetovës.
Në Tetovë, sipas informacioneve të repartit për sëmundje infektive ku edhe qytetarët kërkojnë ndihmë nga kafshimi i qenve endacak, rastet e kafshimit regjistrohen çdo ditë në qytetin e Tetovës dhe rrethinë nga qen të cilët edhe mund të jenë të infektuar me sëmundje të ndryshme. Duke pasur parasysh faktin se gjithmonë qëndrojnë afër mbeturinave, ata janë të rrezikshëm edhe nga kafshimet apo çdo lloj kontakti tjetër me njerëzit, pohojnë qytetarët. Ata urgjentisht apelojnë që institucionet të ndërmarrin masa për shkak se janë të detyruar që për çdo ditë t’i dërgojnë dhe marrin fëmijët nga shkolla pasiqë nuk janë të pakta rastet kur këto qen edhe kanë sulmuar banorët. Mjekët thonë se qentë endacak përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e njeriut pasi që në mungesë të ushqimeve, kushteve të këqija të jetesës, mund të shndërrohen në bartës të sëmundjeve të ndryshme që përbëjnë rrezik potencial për jetën e njerëzve. “Në mënyrë indirekte poashtu bartës të sëmundjeve infektive janë edhe kafshët dhe shpezët sidomos qentë endacak të cilët qarkullojnë në numër të madh rreth kontejnerëve dhe nëse kafshohet qytetari paraqet rrezik për transmetim të ndonjë sëmundje infektive”, thotë Ratko Davidovski, mjek në Qendrën e Shëndet Publik në Tetovë.
Para një muaji, në qytetin e Tetovës në mënyrë misterioze u helmuan dhjetëra qen endacak dhe deri më tash ende nuk ka asnjë informacion zyrtarë se ku kanë arritur hetimet se kush i helmoi këta qen. Pikërisht para se të helmoheshin qentë endacak, dyshimet ishin ata silleshin nga Maqedonia lindore në Tetovë dhe jo vetëm, por edhe në komunat rurale. Derisa institucionet vazhdojnë të arsyetohen me procedura rreth ndërtimit të qendrës, qendra e qytetit të Tetovës edhe në këto ditë të ftohta dimri është pushtuar nga qentë endacak. (koha.mk)