Është mjaft interesante në aspektin meteorologjik sonte qendra e ciklonit do të kalojë mu në mes të Kosovës duke sjellë reshje atmosferike. Për momentin ky ciklon gjendet në territorin e Dalmacisë në Kroaci dhe është duke ardhur drejt nesh. Për këtë arsye po fryjnë erërat jugperëndimore. Ma ardhjen e “qendrës ciklonike” erërat do të dobësohen ose të pushojnë sepse pothuajse gjithmonë në bërthamën e ciklonit është qetë. Cikloni është mjaft i pasur me lagështi dhe fillimisht do të na sjell reshje shiu vende-vende të përziera me borë e në disa vende vetëm borë. Me fillimit e largimit të “qendrës ciklonike” në lindje dhe jug do të fillojnë të fryjnë erëra veriore dhe për pasojë shiu do të shndërrohet në borë.
E përmendëm këtë fakt sepse për meteorologët është jashtëzakonisht interesante, përndryshe nuk pritet diçka e jashtëzakonshme. Të gjitha në suaza të normales. Reshje shiu kryesisht në Dukagjin, herë pas here intensive. Me uljen e temperaturave do të fillojnë të shndërrohen në reshje bore. Edhe në viset tjera në ultësira mund të ketë reshje intensive shiu ose të përziera, por me uljen e temperaturave do të fillojnë të shndërrohen në reshje bore.
Në fund në tërë Kosovën vetëm reshje bore dhe erëra të ftohta veriore. Sasia e borës do të ndryshojë nga vendi në vend dhe është e pamundur të dihet me saktësi, por në shumë vise priten shtresa solide nga 5 deri në 20 cm. ,ndërsa në viset kodrinore-malore edhe më shumë.
Nesër përpos Kosovës, reshje bore priten edhe në Maqedoninë Veriore dhe shumë pjesë të Shqipërisë. Jugu i skajshëm dhe perëndimi mund të mbesin pa reshje bore, normalisht edhe shumica e bregdetit, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë fjolla dëbore edhe në disa vise bregdetare si dhe ndoshta edhe në Tiranë në mbrëmje vonë.
Temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme dhe pritet edhe acar gjatë ditëve të ardhshme, megjithatë afër fundjavës ngritje të ndjeshme të përkohshme të temperaturave./Meteoballkan