Ju e dini se çështja e kompromisit në politikë nuk është e lehtë, por duhet të mundoheni që të jeni më të gatshëm dhe fleksibël me partnerët, për shkak se disa negociata do të jenë të domosdoshme për realizimin e projekteve madhore, të cilat i keni ndërmarrë ti realizoni
Nga Xheladin MURATI
Vite me radhë tre problemet madhore të Maqedonisë janë zgjidhja e çështjes së emrit, anëtarësimi në NATO dhe në BE. Këto sot nisën procesuimin, falë LSDM-së dhe liderit të saj e kryeministër z.Zaev dhe partnerëve shqiptarë. Ka shumë probleme pro et contra tyre, por kryeja iu lidhë.
Rreziku nga dështimi i referendumit për anëtarësim në NATO dhe BE dhe për ndërrimin nga e emrit të shtetit kaloi. Është mire që Maqedonia nuk largohet nga rruga e nisur. Kësaj lëvizjeje shqiptarët I qëndruan besnik, ata ishin participient aktiv dhe përgjegjës, gjithnjë, duke e shikuar pozicionin e shqiptarëve, se siç duket do të ndodhin gjëra që nuk i plotësojnë nevojat tona. Unë nuk mendoj se çështja e ndërrimit të emrit të shtetit është vetëvrasje. Opozita maqedonase e bëri shumë të madhe çështjen e referendumit e të ndërrimit të emrit, por cila është arsyeja për të shprehur zemërimin e tyre? A thua vallë shikojnë vetëm përfitimet partiake?
Ajo që ka shumë rëndësi është fakti se qytetarët fillojnë të kuptojnë se politika është në rrugë të drejtë dhe se pritet me anëtarësimin në NATO e BE do të ngjallin tregjet dhe ekonominë, se siguria mund të jetë më e mirë, stabiliteti i demokracisë perëndimore do të funksionalizohet, se arsimi do të përparoj drejt vlerave evropiane, se jeta do të përmirësohet dukshëm. Maqedonia do të ketë më shumë qasje zhvillimore me ato më të mëdhenjtë, madje edhe me ato të barabartit. Kjo është një periudhë shumë e rëndësishme për të mbushur gjithë atë zbrazëti që gjatë 25 viteve të fundit e ka mbajtur shtetin e shoqërinë të tensionuar, apo siç thotë një intelektual maqedonas, “kemi qenë në baltë, nuk e dinim si do të dilnim”. Pra është dasht të dal në skenë një ZZ që çështja të merr të mbarën. Dhe jo vetëm kjo. Një deputete deklaron se u dash të lind një Zaev e ajo të bëhet deputete.
Ngjarjet që priten të ndodhin duhet të ju gjejnë mjaft të vendosur z. kryeministër dhe luftarak, gjithçka për shkak të një bashkëpunimi me secilin për ta siguruar rrugën e NATO-së dhe BE-së. E kam parasysh faktin se shumë gjëra të pathëna mes jush dhe partnerëve tuaj si dhe opozitës maqedonase, dhe kjo s’mund të ushqej tensione, që do ju bëjnë të përhumbni në mendime. E kam parasysh dhe ju kuptoj se është krizë, krizë personash të vërtetë, krizë sinqeriteti, krizë mbështetjeje, por mbi të gjitha krizë vlerash. Megjithatë duhet të jeni gati për tu përballur me sfidat e rrjedhës. Do të jeni disi të turbullt për shkak të sjelljes së opozitës. Por ka ardhur momenti që të përvishni mëngët dhe të krijoni hapësirë relaksuese drejt çështjeve fundamentale të shtetit multientik.
Filozofia e ndryshimit politikë ka filluar me Ju. Atë që LSDM-ja e juaj sot, nuk e bëri 25 vite më parë e filluat ju. Arkitekti i ndryshimeve thelbësore në Maqedoni dhe hapjen e saj ndaj fqinjëve dhe të tjerëve e keni filluar me sukses. U pritë shumë kohë sa një brez LSDM-istash e të ngjashëm me to do të lindte në politkëbërjen maqedonase që do ta quan token e vetë Maqedonia e Veriut. Kjo do të jetë një arritje e madhe historike në përpjekjen për t’u inkuadruar në demokracitë evropiane. Por kësaj përpjekjeje i duhet edhe përpjekje për të zgjeruar të drejtat dhe liritë e shqiptarëve, madje prioritare është zgjidhja e statusit kushtetues-juridik të tyre në popull shtetformues. Madje duhet ta keni parasysh identitetin, gjuhën, kulturën dhe historinë e tyre. Kjo e krijon barazinë e plotë. Pra të mbretëroj demokracia dhe jo forca. Prandaj arkitekt i ndryshimeve rrënjësore është LSDM-ja e sotme me në krye Ju. Qëndroni fuqishëm në nismat tuaja që entuziazmi mos ju ngel në fyt.
Çështjet janë shumë të rënda e komplekse, por partia e juaj ka potencial dhe kapacitet të bartet me problemet dhe projektet. Megjithatë duhet të bëni kompromise. Madje, ju e dini se çështja e kompromisit në politikë nuk është e lehtë, por duhet të mundoheni që të jeni më të gatshëm dhe fleksibël me partnerët, për shkak se disa negociata do të jenë të domosdoshme për realizimin e projekteve madhore, të cilat i keni ndërmarrë ti realizoni.
Mundohuni të jeni sa më largpamës sa i takon projektit madhor të ndryshimeve të filluara, sepse me atë e definoni ardhmërinë tuaj dhe tonën. Duhet të përqendroheni mjaftueshëm, në mënyrë që të parandaloni çdo pengesë të mundshme në realizimin e projektit. (koha.mk)