Patriot LUMANI
Strugë, 16 mars – Kryetari Këshillit të Strugës, Avdulla Qazimoski, përpara këshilltarëve tha se tani e tutje do të veprojë si i pavarur, sepse ka dhënë dorëheqje nga çdo angazhim qoftë edhe si anëtarë i thjeshtë i LR-PDSH, shkruan gazeta KOHA. Ai për këtë vendim të tij ka fajësuar liderin e partisë, Ziadin Sela, i cili, sipas tij, nuk ka treguar korrektësi në raport me Llabunishtin dhe atë personalisht. Qazimoski, potencoi se të gjitha kualifikimet që ka bërë Sela në Struga TV për të, janë të pavërteta dhe larg realitetit. “Si rezultat i jokorrektësisë së treguar, duke harruar të kaluarën do i kujtoj Ziadin Selës, se pa Llabunishtin dhe rrethin e tij, ai as nuk mund të ëndërronte të bëhej kryetar i Strugës. Ai i ka borxh dhe asnjëherë nuk mund të shpaguhet me 100 për qind të shqiptarëve të Llabunishtit. Kur Avdulla Qazimoski kërkonte që Llabunishti të integrohet si shqiptar, sepse ajo është ideja e të parëve të tij, ata hyn në lojërat individuale politike, duke harruar interesat e Llabunishtit dhe rrethinës. Folin për federalizim dhe në të kundërtën 20 për qind e popullsisë së Strugës i keni harruar në punësim dhe integrim, duke stimuluar indirekt aktivitetin e partive maqedonase në këto fshatra dhe e gjithë kjo ndodhi në kohën e Ziadin Selës? Pyetje për zotërinjtë të cilët thoshin se nëse fëmijët e Podgorcit nuk do të mësonin shqip, atëherë edhe fëmijët e tyre do refuzonin të shkonin në shkollë, duke u solidarizuar me Podgorcën? Avdulla Qazimoski nuk tradhtoi, por këtë radhë i dha mundësinë të shohë se sa mbështetje ka Ziadin Sela në Llabunishtë. Ata të cilit përziheshin në Llabunishtë dhe nuk lejonin që t’u përziheshin në nëndegët e tyre, morën mesazhin që në Llabunishtë vendos Llabunishti. Ziadin Sela, do të shihemi ditën e zgjedhjeve në Llabunishtë”, përfundon ai. Avdulla Qazimoski, aktualisht ushtron postin e kryetarit të Këshillit të Strugës. Ai deklaroi se do të veprojë si i pavarur, duke mos u tërhequr nga pozicioni i kryetarit të Këshillit. Në një dalje publike, kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela ka fajësuar Qazimoskin për rezultatin e dobët që ky subjekt mori në Llabunishtë dhe fshatrat përreth. Ai potencoi se ky rezultat ka ardhur edhe si rezultat i tradhtisë që Qazimoski i bëri subjektit të tij më 11 dhjetor, ndërsa duke i referuar postit që mban, potencoi se nëse ai ka sadopak moral, duhet të tërhiqet nga pozicioni i kreut të Këshillit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.