Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klopp, ka zbuluar se ai ka qarë si fëmijë në momentin që pa shokun e tij të vjetër David Vagner të drejtonte Hadersfildin në ngjitjen në Premier Ligë. Kristofer Shindler shënoi penalltinë vendimtare për Hadersfild, ndaj Riding, në “play off”, duke i dhënë mundësinë bardhebluve të ngjiteshin në elitën e futbollit anglez. Vagner, i cili ka qenë trajneri i ekipit “B” të Dortmund, kur Klopp drejtonte ekipin e parë, kaloi në futbollin anglez në vitin 2015.
Hadersfild e mbylli në vendin e 19-të kampionatin e parë me Vagner si trajner, ndërsa në kampionatin e dytë, me anë të “play off”, fituan të drejtën për të luajtur në Premier. “Isha në jug të Francës me pushime, bashkë me disa miq dhe shkuam të shihnim ndeshjen. Më erdhi keq sepse kisha refuzuar ftesën e tij për të shkuar në Londër, për të parë ndeshjen në stadium, por e vërteta është se unë nuk doja të shkoja në stadium dhe të kisha një kamerë të merrej me mua dhe si do të reagoja, sepse Vagner dhe skuadra e tij ishin të vetmit që duhet të qëndronin në qendër të vëmendjes.”
Klopp dhe Vagner kanë qenë shok skuadre te Mainz kur luanin futboll dhe që të dy kanë punuar bashkë te Mainz. “Isha shumë nervoz për ndeshjen e mikut tim. Bashkë me gruan time kujtojmë se kemi qarë si fëmijë në momentin që penalltia e fundit u shënua dhe nuk mund t’i përmbanim lotët nga gëzimi. Thuajse çdo ditë, që nga viti 1991 kemi qenë të lidhur bashkë dhe më vjen mirë që Vagner u fut në elitën e trajnerëve, sepse e meriton. Kemi edhe një dyqan bashkë në Mainz. E ngacmoja që duhet të merrej me të nëse dështonte në Angli, por tani që mbërriti në Premier nuk guxoj më”, deklaroi Klopp.