Omer XHAFERI
Shkup, 13 tetor – Ndihma falas juridike, të cilën e ofron Ministria e Drejtësisë, në të ardhmen pritet të përfshijë një pjesë më të madhe të shoqërisë, me theks të veçantë atë kategori në procedurat penale pranë instancave gjyqësore. Ligji për ndihmën falas juridik, i cili hyri në fuqi hyri në vitin 2010, sipas Propozim-strategjisë për reforma në gjyqësor, të përgatitur së fundmi nga Ministria e Drejtësisë, thuhet se do të plotësohet në drejtim të thjeshtëzimit të procedurës për shfrytëzim të kësaj të drejte juridike nga ana e kategorive të prekura sociale. Ministri i Drejtësisë, Bilen Saliji, në një prononcim zyrtar për gazetën KOHA, thotë se Këshilli për reforma në gjyqësor dhe grupi punues është duke i hartuar dhe shqyrtuar pjesët se ku duhet Ligji për ndihmën falas juridike të pësojnë ndryshime. “Pas përpilimit të tekstit të plotë, ky propozim-ligj do t’i dorëzohet Qeverisë, ndërkohë kur pritet që ky Ligj të futet në procedurë parlamentare, ende nuk mund të jap përgjigje përfundimtare. Qëllimi i ndryshimit të këtij Ligji, në radhë të parë pritet të bëhet për shkak të përfshirjes më të madhe të kategorive sociale, gjegjësisht t’ju mundësohet kategorive më të prekura të shoqërisë qasje më të lehtë deri te ndihma falas juridike që e ofron ministria. Realisht, ne kemi konstatuar se ka pasur shumë indikatorë se pse kjo ndihmë nuk është shfrytëzuar edhe aq, duke filluar nga kriteret dhe kushtet rigoroze për pranimin e kësaj ndihme, si dhe mungesë e informimit dhe edukatës së mjaftueshme të popullatës se realisht atyre ju takon shfrytëzimi i drejtës juridike. Gjatë përpilimit të Ligjit të ri, të gjitha këto vërejtje dhe probleme do të merren parasysh”, tha ministri Saliji. Plotësimi i Ligjit për ndihmën falas juridik, sipas reforma të paralajmëruara në sferën e gjyqësorit, pritet të sjellin një përmbajtje më të qëndrueshme dhe më efikase, gjegjësisht nga Ministria e Drejtësisë thonë se do t’i zhvillojnë mekanizmat për mbikëqyrje të kualitetit të punës që do të reflektohet nga ofrimi i ndihmës falas juridike. Ndryshe, në përmbajtjen e tekstit të Propozim-strategjisë për reforma në gjyqësor për periudhën 2017-2022, thuhet se gjatë viteve të kaluara, aq kohë sa këto dispozita janë në fuqi, janë regjistruar harxhime për vetëm 39 avokat, nga gjithsej 329 sa janë të regjistruar për dhënien e ndihmës falas juridike. Sistemi aktual i ofrimit të kësaj ndihme, përveç nga avokatët – përbëhet edhe nga 30 juristë të pozicionuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe juristë tjerë të përkrahur nga shtatë shoqata joqeveritare, detyrë e të cilëve është ndërmjetësimi, sensibilizimi dhe sigurimi i ndihmës falas juridike për të gjithë qytetarëve e Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA. Mjetet financiare të ndara nga arka e buxhetit të Maqedonisë, para këto të cilat deri tani kanë qenë në dispozicion për dhënien e ndihmës falas juridike për kategoritë e ndryshme të qytetarëve, ka shkuar deri në 3 milionë denarë, ose thënë ndryshe – diku rreth 50 mijë euro. Kjo shumë e të hollave, muaj më parë nga ana e ambasadorit Samuel Zhbogar është cilësuar si buxheti më i vogël në Evropë sa i përket ndihmës falas juridike, ndërkohë sipas ministrit Saliji, në koordinim me Ministrinë e Financave, në periudhën që pason pritet të diskutohet edhe për shqyrtimin e mundësive që ky buxhet të rritet. (koha.mk)