Shkup, 13 mars – Rreth 130 mijë tonë mall nga Maqedonia mbetën të bllokuar në Portin e Selanikut si pasojë e bllokadës 19-ditore në vendkalimin kufitar Evzoni nga ana e bujqve grekë dhe grevës 14-ditore të të punësuarve në HM transport. Kjo u potencua në konferencën e së hënës për shtyp në Odën ekonomike të Maqedonisë, ku kryetari i Asociacionit transportues të Maqedonisë, Ivan Petrovski theksoi se është mirë që Bordi menaxhues i Portit të Selanikut ka vendosur të mos paguhet harxhim shtesë për deponim për këtë periudhë. Ai potencoi se është e domosdoshme që edhe në Maqedoni të zbatohen dispozitat ligjore dhe të mundësohet funksionimi i kushteve të shëndosha dhe konkurrente. “Mendoj se për këtë shkak u formua edhe trup rregullator, Agjencia për rregullimin e tregut në shërbimet hekurudhore. Nëse plotësohen kushtet, konkurrenca do të bëjë të veten dhe do të kemi transport të shpejtë, të sigurt, ekonomikisht efikas dhe ekologjik”, tha Petrovski.