Delvina KËRLUKU
Zamir Dika (1969). U lind në Dibër. Fakultetin e Makinerisë e kreu në Universitetin e Prishtinës. Studimet pasdiplomike në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku edhe doktoroi (1997). Në vitin 1993 është zgjedhur asistent në Fakultetin e Makinerisë në Universitetin e Prishtinës, pastaj ligjërues në Universitetin e Tetovës (1997), ku edhe emërohet dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike (1998). Nga viti 2001 vazhdon karrierën në Universitetin e Evropës Juglindore. Në vitin 2004/05 zgjidhet dekan i Fakultetit të Shkencave dhe Teknologjive të Komunikimit, kurse në vitin 2005, prorektor për çështje akademike. Në vitin 2010 zgjidhet rektor i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL). Në vitin 2014, rizgjidhet rektor i këtij Universiteti. Ka realizuar shumë vizita studimore: në Universitetin e Indianës SHBA (2003), realizon me sukses programet e edukimit ekzekutiv në Universitetin e Harvardit, SHBA (2005 dhe 2013). Është autor-bashkautor i mbi 30 publikimeve dhe pjesëmarrës i konferencave shkencore, anëtar në realizimin e projekteve ndërkombëtare në fushën e sistemeve të informacionit, anëtar i Bordit të akreditimit të arsimit të lartë në Maqedoni, anëtar i Ekipit të promotorëve të procesit të Bolonjës në Maqedoni dhe anëtar i komisioneve të ndryshme të ekspertëve për reformën e arsimit të lartë. Deputet në Parlamentin e Maqedonisë (1998-2006). Në vitin 2000, merr pjesë aktive në proceset e legalizimit të arsimit të lartë në gjuhën shqipe. Si drejtues i Fondacionit nacional për themelimin e UEJL, njihet si një ndër themeluesit kryesorë të këtij Universiteti.
KOHA: I nderuar z. Dika, tani jeni rektor i UEJL-së, ndërsa më herët keni qenë ligjërues, dekan, deputet. Cila detyrë ka qenë më e vështirë për Ju?
DIKA: Me siguri se përgjigja më adekuate do të ishte ajo standardja se “çdo profesion ose punë ka vështirësi të caktuara e që dallojnë për nga natyra”. Kam qenë deputet në kohë të vështira dhe shumë sfiduese për ardhmërinë e vendit. Në mandatin e parë 1998-2002, kam qenë deputet “i pozitës”, edhe atë në kohë të vështira për dy aspekte. Në Maqedoni, në vitin 1998 për herë të parë erdhën në shprehje forcat politike të spektrit të djathtë – pas një dominimi “majtist” që zgjati afro gjysmë shekulli në ish-Jugosllavi, e që vazhdoi në periudhën pas pavarësimit të Maqedonisë. Kjo ishte një sfidë më vete sa i takon aspektit të fillimit të ballafaqimit dhe ndeshjes së ideologjive dhe alternativave në shoqërinë tonë. Aspekti i dytë ka të bëjë me dy zhvillimet, do thosha, më të mëdha pas Luftës së Dytë Botërore për shqiptarët në rajon: Lufta për Kosovën që kulmoi në vitin 1999 si dhe konflikti ndëretnik në Maqedoni i vitit 2001. Sot, këto vështirësi janë “harruar” për shkak se si rezultat kemi Kosovën e pavarur dhe shqiptarët në Maqedoni me kushtetutë shtetformësie. Mandati i dytë 2002-2006, ishte mandat “opozitar” dhe me këtë në njëfarë mënyre u përmbyll “karriera” ime si deputet. Por, Kosova e pavarur dhe shtetformësia kushtetuese e shqiptarëve në Maqedoni, megjithatë nuk mjaftojnë nëse nuk e vendosim paralelisht edhe sistemin e vlerave për të prodhuar mirëqenie për shoqërinë dhe të krijojmë ekonomi konkurruese. Duke qenë koshient për këtë nevojë, iu përkushtova me gjithë qenien time profesionit në akademi dhe më vjen mirë që pata mundësi në ndërkohë të kontribuoj në të gjithë hierarkinë e profesionit – si profesor, si drejtor i qendrës kompjuterike, si dekan, si prorektor, si rektor, por edhe si anëtar i Bordit për themelimin e universitetit. Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, cili ishte më i vështiri – po ua lë lexuesve, që ata vetë të sjellin një përfundim të këtillë, për atë se cila nga këto është më e vështira.
KOHA: Keni ëndërruar t’i arrini këto lartësi profesionale Ju?
DIKA: Mendoj që profesioni prej inxhinieri ka ndikuar që të kem edhe qasje inxhinierike në jetë. Asnjëherë nuk kam menduar se ku do të arrijë, por gjithë energjinë e kam derdhur që të bëj më të mirën aty ku jam në momentin që jam. Kjo le të jetë edhe një sugjerim për të gjithë ata që e kanë këtë qasje ndaj jetës, që të vazhdojnë me këmbëngulje, me përkushtim të japin kontributin e tyre në punën që bëjnë në një moment të caktuar, si parakusht për suksesin dhe mundësinë e hapjes së dritareve të reja. Ndërsa “mëlmesa” për shkëlqyeshmëri është besimi në idealin e asaj që bën, që ndoshta edhe lidhet me ëndrrën si pjesë e mozaikut të krijimit të plotësisë së personalitetit.
KOHA: Cila është ëndrra juaj në të vërtetë?
DIKA: Po, unë e kam ëndrrën time. Ëndrra ime mund të shpjegohet lehtë nëse këndohet antologjia Imagine e John Lennon. Ëndërroj për një botë të mundësive dhe shanseve të barabarta, për një botë pa pronësi, një botë të lirë… Ëndërroj që të shikoj buzëqeshjen tek çdonjëri, pa kurrfarë ngarkese përkatësie racore, etnie, religjioni, gjinie… Për fat të keq, sa të hapësh sytë do ta kuptosh se ende kjo gjë është ëndërr. Por, besoj se qartësia e ëndrrës mund të na ndihmojë edhe në “zhgjëndërr”, duke pulsuar në strehën e nëndijes sonë, që të na bëjë njerëz më të mirë, që të rrisim tolerancën tonë për të dëgjuar më shumë, për të falur, për t’u përulur para halleve të tjetrit, për të respektuar më shumë njëri-tjetrin, për t’iu admiruar sukseseve të tjetrit, për të mësuar nga tjetri.
KOHA: Ç ‘mbani mend nga fëmijëria juaj? Si e kujtoni?
DIKA: Ju falënderoj për pyetjen, sepse me këtë dinamikë të punës, për fat të keq, shumë pak kohë gjej për të evokuar të kaluarën. Ka thënie të famshme kontradiktore në lidhje me rëndësinë e së kaluarës dhe mbi ardhmërinë. Megjithëse unë do të bëja pjesë tek “ata” të cilët do t’i përshkruante ish-presidenti amerikan, Thomas Jefferson me thënien: “Ëndrrat e së ardhmes i dua më tepër se historinë e së kaluarës – prandaj, ju uroj gjumë të ëmbël”, kujtimi i të kaluarës na ndihmon të njohim edhe më shumë veten për të qenë më të mirë. Fëmijërinë e kujtoj të buzëqeshur. Kujtoj Dibrën, kujtoj prindërit, vëllezërit, familjen. Kujtoj mëhallën dhe shokët. Sikur çdo njeri të ishte i lumtur, i qetë. Kujtoj shkollën, futbollin dhe kohën e lirë mjaft aktive, duke organizuar “olimpiada mëhalle”, gara në çdo fushë. Kujtoj stripat (heronjtë e “atëhershëm” si Za-Gor-Te-Nay, Bleku, Teksi, Allan Fordi i papërsëritshëm…), kujtoj “kviskotekën”, lojërat qytete-shtete me shumë të qeshura. Kujtoj Pop-in dhe Rock-un deri në Havy Metal-in, muzikën që më shoqëron edhe sot e kësaj dite. Eh, bukur…
KOHA: Më besnik janë shokët e fëmijërisë, të rinisë, apo të pjekurisë?
DIKA: Besnikëria e shokëve të fëmijërisë është e përjetshme. Ajo e rinisë në kontekst të mjedisit në studime – e paharruar. Në pjekuri ajo është e lidhur me punën dhe profesionin – deputet, profesor: motivuese, reale, e bukur dhe sërish ajo e fëmijërisë, mbetet e përjetshme.
KOHA: Ç ’është varfëria për ju?
DIKA: Varfëria është mospasja e mundësisë për të dëshmuar dhe për të realizuar potencialin njerëzor viz-a-vi të mirës materiale; Varfëri është të përbuzësh tjetrin; Varfëri është të kesh zili suksesin dhe progresin e tjetrit; Varfëri është të pretendosh për diçka duke qenë koshient se nuk të takon; Varfëri është mosrespektimi i tjetrit; Varfëri është të mos konsiderosh tjetrin, por vetëm veten; Varfëri është të mos iu gëzohesh të mirave në të cilat ke qasje – natyrën, diversitetin kulturor; Varfëri është të mos punosh kur ke mundësi për të punuar…
KOHA: Keni punuar ndonjëherë kamerier, taksist, lulishtar, apo?
DIKA: Për fat të mirë “po” dhe ndjej një krenari për këtë. Kam punuar kamerier në kafiteri dhe kam punuar edhe fizikisht në kohën kur kam qenë gjimnazist dhe gjatë verës në Dibër, gjatë studimeve për të pasur “paratë “ e mia në xhep. Në Itali kam punuar si ndihmës hidrauliku, ndihmës i lyerjes së impianteve të fabrikave me shtresa të kimikateve për prodhimtari – në kohën kur kërkoja nostrifikimin e diplomës si inxhinier atje. Kam punuar edhe si udhëheqës i prodhimit në një sektor në fabrikën e plastikës në Dibër. E madhe është thënia gjermane “arbeit macht frei” (puna të bën të lirë) dhe është rruga më e sigurt e mirëqenies.
KOHA: Keni lindur në Dibër. Jetoni jashtë vendlindje e vazhdoni të jeni banor i Dibrës. Pse?
DIKA: Nuk e di edhe sa gjatë do të kem mundësi të mbajë këtë “status”, por do të tentoj ta mbajë deri sa të jetë e mundshme, sepse me këtë mbajë një lidhje më shumë se vetëm ajo që kam. Të qenit ende “banor” i Dibrës, mundëson që një pjesë e vogël e tatimit nga paga ime t’i mbetet Dibrës. Kjo më kujton çdo ditë të punës që të jem falënderues për atë çka më dha dhe ende më jep Dibra, por edhe se sa shumë i kemi “borxh” asaj. Dibrës që vazhdon të reflektojë jo vetëm në ne, por për gjithë shqiptarinë e më gjerë…
KOHA: Arbën Xhaferi ju vlerësonte për intelektin tuaj. Ç‘vlerësim është ky për Ju?
DIKA: Të bashkëpunosh me Arbën Xhaferin apo me gjigandë të tillë të kohës, ishte një privilegj që pak njerëzve iu jepet mundësia. Kapaciteti i tij intelektual, vizioni, urtësia e tij në vendimmarrje, qytetaria dhe kultura që reflektonin prej tij me një thellësi të rrallë, mënyra e komunikimit, energjia e pashterur e punës, padyshim që kanë ndikim në mënyrën si veproj, si jetoj. Arbëni ka qenë krushku në ditën e martesës. Më vjen mirë që vlera e tij, me kalimin e kohës, po merr dimensionet dhe meritat që i takojnë. Njerëz të tillë janë të rrallë në thesarin e njerëzve mendjendritur të kombeve.
KOHA: Ç‘ është “elita”, sipas jush?
DIKA: Elita në kontekstin ku jemi, por edhe të kohës, është një term dhe fenomen i keqpërdorur, i keqinterpretuar. Unë mendoj se në kohën e sotme, kur dija është e shpërndarë, kur qasja në dije është e kudondodhur, koncepti për elitën po e humb kuptimin. Sot, elitë do të ishte ai apo ata të cilët prodhojnë rezultate të shkëlqyeshme në shkencë apo punë, ndikimet e të cilës punë sjellin të mira ekonomike, shoqërore apo vlera të lartësuara kulturore. Vjen koha kur çdonjëri mund të jetë “elitë”…
KOHA: Keni studiuar në Prishtinë. Sa e vështirë ishte jeta juaj si student?
DIKA: Kur e shikoj standardin e jetës së studentëve në Universitetin e Evropës Juglindore, sikur them do të doja edhe unë të isha student në këtë kohë. Vështirësi në studime kam patur në vitin e parë, sepse si “produkt” i sistemit të arsimit të mesëm të orientuar asokohe, arrita të regjistrohem menjëherë në universitet pas vitit të tretë të gjimnazit dhe u detyrova të “ndahem” nga shumica e shokëve të gjeneratës. Ky adaptim qe shumë i vështirë, por “cimerët” e parë më ndihmuan që me lehtësi të kaloja këtë periudhë adaptimi dhe ta shijoja jetën studentore tërësisht…
KOHA: Keni marrë tituj akademik në Tiranë, çfarë morët tjetër me vete nga Kryeqyteti i Shqipërisë?
DIKA: Personalisht jam ithtar i besimit se për të patur sukses sot në botën e globalizuar kulturalisht dhe ekonomikisht, shkëmbimi i përvojave me sistemet “tjera” përbën një ndër faktorët më të rëndësishëm të ndryshimit të mendësive dhe shprehive për të qenë konkurrues dhe për të siguruar qëndrueshmëri. Tirana ka sharmin për të të ndryshuar. Tirana me të vjetrën dhe të renë di të të rikujtojë për madhështinë e kombit tonë, por edhe të të bëjë koshient dhe optimist për potencialet që shqiptari posedon. Jo vetëm drejt aspiratës së suksesit profesional, por edhe për atë se sa shumë kulturë mund t’i japim botës rreth nesh.
KOHA: Çfarë e dallon Universitetin që udhëhiqni, për dallim nga ata ku keni studiuar Ju?
DIKA: Ende mund të vërehet dallimi. Ende modelet e universiteteve publike në rajonin tonë të turbulluar nuk kanë arritur të bëjnë transformimin e duhur – në bazë të nevojave të tregut vibrant të punës, në kohën e revolucionit marramendës të zhvillimit teknologjik dhe hapjes së kufijve globalisht, të shprehur në Principet e Bolonjës. Universiteti i Evropës Juglindore kishte fatin që të mos e ketë “bagazhin” që kanë universitetet e mëdha publike dhe që në fundament, pra në themelim vendosëm bazat e standardeve ndërkombëtare, teknologjinë e informacionit dhe sistemin e vlerave të universiteteve evropiane. Partneriteti me themeluesit ndërkombëtarë na ndihmoi që të jemi modeli i vetëm i universitetit në rajon që ka potencial të këtillë vlerash dhe si i tillë frymon në shoqërinë tonë.
KOHA: UEJL në Shkup është vendimi më i mirë i mundshëm? Pse?
DIKA: Universitetet duhet të ecin në përputhje me nevojat e shkencës, nevojat për dijen e re, krahas vlerave fundamentale që duhet ruajtur. Universiteti duhet të ndjekë në mënyrë dinamike nevojat e tregut, nevojat e shoqërisë. Mendoj se hapja e UEJL në Shkup ishte një vendim i mirëmenduar. Sot, kampusi ynë në Shkup frymon me shpirtin e një universiteti që i prinë progresit.
KOHA: Ju keni ardhur si rektor me vizionin 2.0 dhe 3.0, çdo të thotë?
DIKA: Simboli 2:0 (dy-pikë-zero) lidhet me konceptin e ri të shpërndarjes dhe rritjes eksponenciale të qasjes në dije. Ishte koha e ndërrimit të paradigmës. Koha kur dija më nuk mund t’ju servohet si pronë të tjerëve, por ishte koha kur përdoruesit bëhen kreatorë të dijes (koncepti “wiki” 2.0). Me gjithë dilemat për efektin shoqëror dhe psikologjik të këtij ekspansioni digjital, shoqëria po gllabëron drejt standardit të ri – atij tre-pikë-zero. Universitetet duhet të jenë vendet që trasojnë rrugët e jo që vetëm ndjekin dhe konstatojnë gjendjen. Kjo qe ideja për të ardhur me konceptin 3.0 – që shënon epokën e personalizimit të dijeve. Kjo është fryma e Universitetit.
KOHA: Çfarë ndryshime keni bërë në UEJL, që kur jeni zgjedhur rektor?
DIKA: Për këtë duhet të flasin të tjerët besoj. Nuk jam i tipit “a doni më për Behlulin”? (për ata që e dinë).
KOHA: Përse do të kishit mbetur në histori?
DIKA : Historia definohet si shkenca që studion të kaluarën, ngjarjet në të kaluarën me fokus të veçantë në marrëdhëniet njerëzore. Kështu që, është pretencioze që në të sotmen të japim ndonjë parashikim për studimin që do bëhet në të ardhmen për kohën aktuale. Edhe vetë shpjegimi është i komplikuar. Me rëndësi është që të tentosh të bësh sa më shumë vepra të mira, pa u ngarkuar me atë se çdo të shkruajnë historianët. Një pjesë e historisë sime me siguri do të lidhet me themelimin dhe zhvillimin e Universitetit të Evropës Juglindore. Do të citoja Dr. Maya Angelou – një divë amerikane e poezisë dhe aktiviste për të drejtat e njeriut në lidhje me mbamendjen: “Kam mësuar se njerëzit do ta harrojnë atë ç’ keni thënë, njerëzit do të harrojnë atë që ke bërë, por njerëzit kurrë nuk do të harrojnë se si i keni bërë të ndjehen”…
KOHA: Në Maqedoni ka inflacion diplomash. Ka “hise” këtu edhe UEJL-i?
DIKA: Universiteti i Evropës Juglindore ka etabluar një sistem rigoroz të sigurimit të cilësisë në të gjitha domenet e jetës akademike. Kështu që, mund ta siguroj opinionin se universiteti ynë kontribuon me zero për qind në diploma të shtypura pa prezencë e përmbushje të kritereve që kërkohen. Mirëpo, gjithashtu, duke e patur parasysh realitetin dhe cilësinë e sistemit arsimor në përgjithësi, me siguri ka edhe studentë të cilët i përmbushin vetëm kushtet minimale për të diplomuar, pra është nota mesatare ajo që përcakton suksesin. Veçantia e universitetit është se edhe tek studentët të cilët përmbushin vetëm kërkesat minimale të diplomës, të jeni të sigurt se kemi ngritur nivelin e tyre akademik dhe njerëzor si dhe iu kemi dhënë shkathtësitë e nevojshme për të patur progres në vendin e punës.
KOHA: Jeni lider apo menaxher?
DIKA: Çdo ditë e më shumë po zbehet linja mes liderit dhe menaxherit. Por, nëse më mundësohet të vetëdeklarohem dhe të zgjedh, (vetë)mendoj se jam më tepër i dhënë nga lidershipi…
KOHA: A është familja e shenjtë për Ju?
DIKA: Familja, për ata që kanë zgjedhur apo kanë fatin të kenë familje, është shtylla e shoqërisë së shëndoshë. Unë jam i prirë të besoj fuqishëm në forcën e familjes. Po. Familja është e shenjtë…
KOHA: Keni pasur përherë përkrahjen e bashkëshortes, për sukseset që keni arritur?
DIKA: Jemi bashkudhëtarë në të gjitha rrugëtimet tona të përbashkëta në jetë dhe karrierë…
KOHA: Fëmija është pasuria juaj?
DIKA : Fëmijët janë pasuria, bekimi dhe inspirimi im i pashtershëm i dashurisë së pastër me të cilën shndërrisin.
KOHA: Jeni modern apo mbeteni nën hijen e traditës shqiptare?
DIKA : Modern i moderuar me shije të traditës…
KOHA: Ç ’është frika për Ju?
DIKA: Frikohem në mos ndoshta pa vetëdije e lëndoj dikë nga vendimet që i marr në jetë e në punë…
KOHA: Keni dështuar ndonjëherë në jetë?
DIKA: Ndoshta..
KOHA: Me ju më shumë mburret familja, mësuesit, dibranët apo UEJL-ja?
DIKA: Unë mburrem me familjen, me mësuesit dhe profesorët e mi, me dibranët në veçanti, mburrem me Universitetin e Evropës Juglindore, mburrem me shokët dhe miqtë e mi, mburrem me kolegët në punë…
KOHA: Si e shprehni atdhedashurinë?
DIKA: Me punë të ndershme; me përkushtim dhe përqendrim në arritjen e rezultateve të punës; me implementim kokëfortë të meritokracisë dhe vlerave të vërteta; me konsistencë në integrimin e praktikave ndërkombëtare për të ndryshuar praktikat destruktive; me respekt ndaj vlerave kombëtare dhe traditave të kulturës sonë; me tolerancën ndaj të tjerëve…
KOHA: A djeg plaga e kurbetit edhe në familjen tuaj?
DIKA: Po, për fat të keq. Kam vëllain në SHBA, duke ndarë fatin e ngjashëm të shumë familjeve në Dibër dhe gjetiu. Kurbeti është vërtetë një plagë e cila dhemb në nëndijen tonë pandalur. Kurbeti është edhe një frikë që nuk e përmenda më lart – ajo e (pa)ardhmërisë së fëmijëve tanë në këto troje…
KOHA: Libri apo kompjuteri është shoku juaj më i ngushtë?
DIKА: Dje libri, sot kompjuteri..
KOHA: Më shumë lexoni libra të autorëve të huaj, apo shqiptarë?
DIKA: Dje të autorëve shqiptarë, sot më shumë të autorëve të huaj…
KOHA: Mungon libri shqip?
DIKA : Mungojnë lexuesit e librit shqip…
KOHA: Flisni dibrançe më shumë apo në gjuhën standarde?
DIKA : Gjuhën standarde me nuanca të dibrançes krenare…
KOHA: Më parë do shkonit në një premierë teatrore, në një koncert të muzikës serioze, apo në një ekspozitë retrospektive?
DIKA: Siç i renditët ju, kështu do të zgjidhja…
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.