Qëllimi i pyllëzimit, siç thonë në njësinë “Stogova”, është edhe zëvendësimi i druve të prerë, por edhe zgjerimi i fondit të druve që ndikon në pastërtinë e ambientit jetësor dhe ajrit
Vjollca SADIKU
Dibër, 28 nëntor – Edhe këtë vit, në kuadër të planit vjetor për pyllëzim në rajonin më të gjerë të Dibrës, njësia Stogovë, ka realizuar aksione të shumta për pyllëzim. Dje edhe zyrtarisht përfundoi edhe procesi i pyllëzimit për këtë vit. Drejtori i njësisë “Stogovë” në Dibër, Rami Lata, deklaroi se janë pyllëzuar gjithsej dymbëdhjetë hektarë edhe atë 8 hektar me gjithsej 20 mijë rrënjë pishe të zezë. Po ashtu në 5 hektarë të tjerë është mbjellur fara e bredhit. Lata sqaroi se me këto aktivitete, me sukses ka përfunduar aktiviteti i pyllëzimit për vitin 2020. Po sipas tij, pyllëzimet janë realizuar në disa lokalitete mbi qytetin e Dibrës, në fshatin Banjisht, Kosovrast, Gajre dhe Modriç, si dhe në lokalitetin Jamë.
Pyllëzimi synohet të pengojë edhe erozionet që janë prezente në disa lokalitete. Po ashtu, qëllimi i pyllëzimeve është zëvendësimi i druve të prerë, por edhe zgjerimi i fondit të druve që ndikon në pastërtinë e ambientit jetësor dhe ajrit. “Në lidhje me erozionet, mund të themi se ata janë të shumta si në afërsi të qytetit të Dibrës, por edhe në rajonin më të gjerë. Pyllëzimet të cilat janë realizuar vite me radhë kanë ndikuar shumë pozitivisht në parandalimin e terreneve erozive edhe në lokacionet si të qytetit, ashtu edhe të fshatrave dibrane. Pyllëzimet që janë realizuar kanë pamundësuar paraqitjen e erozioneve, por edhe të vërshimeve të ndryshme gjatë reshjeve të shiut në pjesën e epërme të Dibrës dhe në fshatrat Kosovrat, Banjisht, e tjerë”, tregon lata. Erozionet, të cilët në kontinuitet kanë qenë prezent në rajonin më perëndimor të vendit, në krahasim me një apo dy dekada më parë, tani janë zvogëluar. Viteve të kaluara, pikërisht me pyllëzime janë parandaluar erozionet të rrezikshme në Komunën Qendër Zhupë e sidomos në fshatin Broshtic dhe fshatrat të Zhupës së Epërme. Njësia e “Stogovës” në këtë drejtim ka dhënë një kontribut të madh.
Pyllëzimet po ashtu janë realizuar në disa lokalitete ku persona të pandërgjegjshëm kanë bërë prerjen e druve në mënyrë joligjore. Policia pyjore edhe pse shpeshherë merret me këtë problematikë, hajnat e druve vazhdojnë të dëmtojnë pyjet. Një vëmendje e veçantë në ndërmarrjen “Stogova”, siç thotë drejtori Rami Lata, i kushtohet edhe zmadhimit të fondit të druve që faktikisht me këtë aktivitete rruajmë një ambient dhe ajër të pastër. (koha.mk)