Shkup, 30 maj – Zeqirija Ibrahimi deputeti i Lëvizjes BESA dhe nënkryetari, sot në Kuvendin e Maqedonisë ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend. “Kam kënaqësinë që të konstatoj se pjesa më e ligë dhe më e madhe e regjimit sot po përfundon, porse është edhe një pjesë që akoma nuk ka rënë dhe puna jonë ende nuk ka përfunduar. Kur e shoh sot këtë kabinet qeveritar, me përjashtime që janë për çdo respekt, nuk mundem të mos pyes: z. Zaev, a e dini ju se cili është dallimi mes reformës dhe riciklimit? Nëse ju me reformë nënkuptoni se njerëzit bëhen të mirë vetëm pse ju shërbejnë juve, kjo nuk është reformë, por është riciklim? I nderuari z. Zaev, unë kam menduar se ju e keni refuzuar bashkëpunimin me ne për shkak të platformës sonë të RIDEFINIMIT, por sot e marr vesh se ju keni refuzuar sepse nuk e keni përmbushur parimin tonë të parë – që në qeveri të mos ketë kuadro të korruptuara dhe të inkriminuara. Çfarë lavatriçe keni ju që kaq shpejt i pastroni njerëzit nga krimi dhe korrupsioni? Apo mjafton që t’ju shërbejnë juve dhe ju i falni? I nderuari z. Zaev, qytetarët duan ta dinë se pse Katica Janeva nuk ngre padi për asnjë eksponent të BDI-së, por merret me mësues periferikë të Zajazit? A i keni falur ju ata apo ajo nuk ka informacione? Si quhet njeriu që vitin e kaluar në përgjimet tuaja ka dalë se ka qenë i korruptuar, ndërsa sivjet është ulur në kabinetin tuaj? A vazhdon të jetë akoma i korruptuar apo tashmë e keni falur? I nderuari z. Zaev, a keni qenë më i sinqertë kur keni thënë se ish ministri i Shëndetësisë së Gruevskit është i korruptuar dhe PSP-ja do t’i ngrejë padi penale apo sot kur atë e propozoni për ministër të Euro-integrimeve? Çfarë u bë nga padia penale? I nderuri z. Zaev, a më tregoni se cila është lidhja mes fjalës Reformë dhe ministrave të BDI-së, që ju i keni propozuar sot? I nderuari z. Zaev, a nuk e vëreni se në qeverinë tuaj disa ministra jua ka propozuar Sasho Mijallkovi dhe Nikolla Gruevski? I nderuari z. Zaev, cili është mesazhi që ia jepni ju shqiptarit të ri me këta ministra? Ai bie kjo “Vjedh e korruptohu sa të duash, se në fund Zaevi t’i lajë gjynahet dhe të bën ministër!”? I nderuari z. Zaev, nëse e keni marrë rolin e shenjtorit që falë mëkate, pse nuk e falni edhe Musa Xhaferin, Blerim Bexhetin dhe Abdylaqim Ademin? Se njësoj janë edhe ata si këta. I nderuari z. Zaev, nëse juve partneri juaj dje jua imponoi Kryeparlamentarin, sepse ashtu na thatë vetë ju, dhe nëse sot jua ka imponuar edhe ministrat me dosje penale, a i bie kjo se qeveria juaj do të jetë e kapur nga BDI-ja e, rrjedhimisht, nga VMRO-ja? A i bie kjo se kryeministër i qeverisë suaj, përmes BDI-së, vazhdon të mbetet Nikolla Gruevski?”, ka thënë ndër të tjera Zeqirija Ibrahimi nga Kuvendi i Maqedonisë.