Sipas analistit politik Alajdin Demiri, pushteti ka bërë pyetje manipuluese dhe ultimative për qytetarët në Referendum, gjë që sipas tij, ka ardhur deri tek kundërshtimi i VMRO-së. Kjo e fundit, sipas tij, do të tentojë që fillimisht të ndryshojë pyetjen për Referendumin dhe më pas të marrë qëndrim për bojkot
Fatos RUSHITI
Shkup, 31 korrik – Kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar të hënën se Referendumi do të jetë konsultativ dhe se do të mbahet më 30 shtator. Zaevi theksoi po ashtu se pyetja është ajo që tashmë është publikuar: “A jeni për hyrje në NATO dhe BE me përkrahje të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”.
“E di se Referendumi do të jetë konsultativ. Sërish e shfrytëzoj rastin që ta ftoj opozitën që të përfshihet, dhe t’i ftojë qytetarët që të dalin masovikisht që të tregojnë qëndrimin e tyre. E dini se ky është vendim historik, jo vetëm se del nga referendumi, por për shkak se nëpërmjet tij definohet ardhmëria e Republikës së Maqedonisë”, tha Zaev. Sipas analistit politik Alajdin Demiri, pushteti ka bërë pyetje manipuluese dhe ultimative për qytetarët në Referendum, gjë që sipas tij, ka ardhur deri tek kundërshtimi i VMRO-së. Kjo e fundit, sipas Demirit, do të tentojë që fillimisht të ndryshojë pyetjen për Referendumin dhe më pas të marr qëndrim për bojkot.
“Dihet që qytetarët e Maqedonisë janë për integrim në BE dhe në NATO, dhe më herët VMRO po ashtu ka bërë përpjekje për të bërë Marrëveshje për emrin me Greqinë. Nga ana tjetër, dihet se LSDM bëri më shumë dhe arriti të bëjë Marrëveshje për emrin. Por LSDM gaboi kur bëri pyetjen ultimative dhe detyruese, dhe më këtë rast nxiti VMRO-në të kundërshtojë ashpër Referendumin”, thotë Demiri. Pyetja, sipas tij, në vend së të ishte sugjestionuese, do të duhej të ishte precize: A jemi për ndryshimin e emrit të shtetit?.
“Mendoj se VMRO para së të marrë qëndrim përfundimtar për Referendumin, do të tentojë të ndryshojë pyetjen për të njëjtën. Nëse do të mbetet kjo pyetje, mendoj se VMRO nuk do ta pengojë mbajtjen e Referendumit, por formalisht do ta kundërshtojë atë. Kjo, si rezultat i trysnisë së faktorit ndërkombëtar që mund të ushtrojë ndaj saj nëse eventualisht do të dilnin në skenë elemente destabilizuese para mbajtjes së Referendumit”, thotë Demiri. Për analistin tjetër politik, Ibrahim Mehmeti, kundërshtimi i VMRO-së nuk është ndonjë befasi kur shihet qartazi se nëpërmjet këtij kundërshtimi, kjo parti tenton t’i kthejë simpatizantët e saj të cilët definitivisht i humbi gjatë zgjedhjeve lokale.
“Megjithatë, edhe pse kjo është pjesë e luftës politike, mendoj se ky qëndrim nuk është korrekt, sepse vetë kjo parti vite me radhë ka qenë e kyçur në negociata për të njëjtën çështje dhe nuk ka të drejtë ta pengojë realizimin e marrëveshjes së arritur me aq mund. Nëse e dimë se kjo marrëveshje me Greqinë në të njëjtën kohë paraqet parakusht për daljen e Maqedonisë nga izolimi ndërkombëtar dhe kyçjen e saj në proceset integruese në NATO dhe BE, atëherë ky kundërshtim do të thotë edhe kundërshtim i këtyre proceseve”, thotë Mehmeti. Ai shpreson se faktori ndërkombëtar do të gjejë mënyrë që më në fund t’a bindë liderin e kësaj partie, Hristijan Mickovski, që të heqë dorë nga kjo rrugë qorre e cila Maqedoninë e mban peng të ambicieve partiake në llogari të përparimit të vendit drejt rrugëtimit të saj në shoqërinë e shteteve euro-atlantike.
Kur jemi tek përgatitjet rreth Referendumit dhe qëndrimet e partive politike shqiptare, nga BDI thonë se do të bëjnë fushatë intensive për dalje në referendum së bashku me partnerin e saj në Qeveri – LSDM.
“BDI si bartëse e procese integruese në vend do të bëjë fushatë aktive për Referendumin. Sigurisht se do të kemi bashkërendim me LSDM-së, por ende nuk kemi vendosur se a do të jetë fushata e përbashkët. Por sigurisht fushata do të jetë intensive e të dy partive. Presim që qytetarët shqiptare në mënyrë unanime ti thonë PO referendumit për t’i hapur rrugë kështu anëtarësimit të shpejtë në NATO dhe shkurtimit të rrugës për në BE”, thonë nga BDI. Nga Lëvizja BESA me kryetar Afrim Gashin thonë se me kapacitet të plotë do të punojnë për suksesin e Referendumit.
“Sapo ta votojmë në Parlament vendimin për shpalljen e Referendumit, do të mblidhet Kryesia Qendrore e Lëvizjes BESA dhe do të diskutojë për mënyrën e organizimit përkitazi me detyrimet për një Referendum të suksesshëm. Mes tjerash, do të flitet për organizimin e Shtabit dhe detaje të tjera, që pastaj duhet ta miratohen edhe në Kuvendin Qendror. Gjithsesi ne jemi dhe do të jemi të angazhuar me kapacitet të plotë për suksesin e këtij Referendumi, duke besuar thellë se kjo është portë drejt integrimit euroatlantik”, thotë për gazetën KOHA ,Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes BESA. Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se shqiptarëve nuk kanë nevojë për t’iu të bëhet fushatë për ti bindur dikush për rëndësinë e BE-së dhe NATO-s, ngase ata pikërisht politika e deritanishme dhe qeveritë e shumta ku ka marrë pjesë aktive BDI, ua kane pamundësuar integrimin e tyre në BE dhe NATO.
“Fushata jonë politike do të jetë duke kërkuar llogari nga BDI që i ka izoluar shqiptarët deri tani, i ka varfëruar pa zhvillim ekonomik, pa mirëqenie sociale, dhe pa vende të punës”, thotë Flakron Bexheti, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët. Faktori shqiptar, sipas Bexhetit, do të jetë vendimtar që ky Referendum dhe propozim emri i Maqedonisë të kalojë qoftë në Parlament – qoftë në Referendum.
“Megjithatë Qeveria LSDM-BDI po tenton ti vë shqiptarët para aktit të kryer, sepse në Marrëveshjen me Greqinë, nuk është paraparë çështja e identitetit shqiptar dhe e gjuhës shqipe, ndërsa shqiptarët janë faktor determinues që Maqedonia te anëtarësohet në NATO dhe BE. Në parim jemi deklaruar se do të përkrahim edhe në Parlament edhe në Referendum propozim-emrin e ri, dhe më pas kur të hapet Kushtetuta, do te kërkojmë edhe nga subjektet tjera politike shqiptare që çështjen e identitetit shqiptar dhe të gjuhës shqipe, këto dy elemente ti bëjmë pjesë të Kushtetutës, duke e legjitimuar identitetin shqiptarë dhe gjuhën shqipe si komponentë juridike dhe kushtetuese”, thotë Bexheti. (koha.mk)