Kryeministri i shkarkuar katalanas, Karles Puxhdemon deklaroi se ka shkuar në Belgjikë sepse qeveria spanjolle ka përgatitur “valë të dhunës”, për çka ka planifikuar ta akuzojë atë. Puxhdemon, në intervistë për radion katalanase, tregoi se qeveria e tij ka vendosur të ndahet – ai dhe katër ministra të nisen për në Belgjikë në mënyrë që kauza e tyre të marrë dimension ndërkombëtar, ndërkaq të tjerët t’u përgjigjen thirrjeve dhe të paraqiten në gjykatën në Madrid.
“Nuk mendoj se gabova, jam tërësisht i sigurt se shteti spanjoll kishte përgatitur valë të represioneve mjaft të vrazhda, valë të dhunës, për çka ne duhej të ishim si përgjegjës”, deklaroi Puxhdemon. Ai, nuk sqaroi se si largimi i tij drejt Belgjikës e ka parandaluar valën e dhunës, atë, të cilën, sipas tij, e kishte planifikuar Madridi. Kundër Puxhdemon dhe ministrave të tij, Spanja ngriti fletëarrest evropian, i cili më 17 nëntor do të shqyrtohet nga gjykata belge.