Moskë, 28 nëntor – Presidenti rus Vladimir Putin për konfliktin në Ngushticën e Kërçit e akuzoi presidentin ukrainas Petro Poroshenko dhe dëshirën e tij që të rizgjidhet.
Në fjalimin e tij para forumit ekonomik në Moskë, të emituar në televizionin rus, Putin për herë të parë e komentoi konfliktin detar përgjatë Gadishullit të Krimesë dhe lajmëroi për rrezikun nga një konflikt i madh ushtarak ndërmjet dy vendeve fqinje.
Sipas Putinit, konflikti ishte provokuar plotësisht nga anijet ukrainase, të cilat kishin refuzuar që të komunikojnë me kufitarët detarë rusë dhe i kishin shkelur ujërat territorialë përgjatë brigjeve jugore ruse.
Deklarata e Putinit është plotësisht në kundërshtim me pohimet e Qeverisë ukrainase se anijet ukrainase kishin ardhur në drejtim tjetër dhe padyshim ishin në ujëra ndërkombëtarë.
“Gjatë ndalimit të marinarëve ukrainas, kufitarët rus në mënyrë precize dhe të përkryer e përmbushën detyrimin e tyre. Ata edhe nuk mundën të veprojnë ndryshe, sepse atëherë ‘duhej që të gjithë të dënohen’. Por ata e përmbushën detyrimin ligjor për mbrojtjen e integritetit territorial të Federatës Ruse”, theksoi Putin.
Ai përsëriti se bëhej fjalë për “provokim të organizuar nga pushteti aktual (në Kiev), përfshirë edhe presidentin, në vigjilje të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, lajmëron DPA.
Sipas tij, për shkak të rejtingut të ulët Petro Poroshenko sipas gjitha gjasave nuk do të hyjë as në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe për këtë i nevojitej të bënte diçka që të ashpërsohet situata dhe të krijohen pengesa të mëdha për konkurrentët e tyre, para së gjitha nga opozita, shtoi Putin.
Ai përkujtoi se në vitet e kaluara Ukraina kishte më shumë shkaqe serioze që të shpallë gjendje lufte, për shembull gjatë konfliktit në Donbas.
“Atëherë faktikisht kishte luftë dhe nuk ishte shpallur kurrfarë gjendjeje lufte, ndërsa tani, për shkak të një incidenti të vogël në Detin e Zi, shpallën gjendje të jashtëzakonshme. Kjo bëhet publikisht, në vigjilje të zgjedhjeve dhe ky është fakt absolutisht i qartë”, theksoi Putin