Ish-kampioni botëror në shah dhe aktivisti politik opozitar rus, Garry Kasparov, në vitin 2013, ka emigruar nga Rusia në Shtetet e Bashkuara. Prej atëherë, ai ka vazhduar të jetë kritik i zëshëm i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe në mënyrë të vazhdueshme i ka tërhequr vërejtjen perëndimit se putinizmi paraqet rrezik global. Në vitin 2015 ai e botoi librin me titullin: “Dimri po vjen: përse Vladimir Putin dhe armiqtë e botës së lirë duhet të ndalen”. Në intervistën me korrespondentin e Redaksisë për Rusinë të Radios Evropa e Lirë, Mikhail Sokolov, zoti Kasparov është shprehur për raportet e perëndimit me Rusinë prej zgjedhjes së presidentit amerikan, Donald Trump, në nëntor të vitit 2016.
Radio Evropa e Lirë: Shumë gjëra po ndodhin në botë këto ditë, sa që mund të thuhet se është vështirë të vendoset se prej nga të fillojmë. Ndoshta me Rusinë?
KASPAROV: Mendoj se ne mund ta llogarisim fitoren e Trumpit në mesin e kompletit të fitoreve të Pirros për regjimin e Putinit. Mendoj se këto ditë nuk ka kuptim të flitet ndaras për Rusinë, për Shtetet e Bashkuara, për Ukrainën, apo për Evropën. Çdo gjë është e ndërlidhur. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur ju ta keni parasysh strategjinë e Putinit – nëse ju mund ta përdorni këtë fjalë për t’i përshkruar taktikat e tij të mbijetimit, në një botë që ndryshon shumë shpejtë. Sido që të jetë, kjo strategji e tij është krejtësisht e mbështetur në një kurs agresiv të politikës së jashtme. Është shumë e qartë se të gjitha zgjedhjet që po ndodhin në vendet perëndimore, në një mënyrë ose tjetër, kanë përfunduar në orbitën e interesave të Putinit. Ne mund të themi me besim se në disa raste ndikimi i tij ka pasur efekte serioze dhe bile ka ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve. Por, në javët e fundit, po ashtu, është bërë e qartë se demokracitë perëndimore kanë kutpuar se aksionet e tilla paraqesin kërcënim serioz për funksionimin e institucioneve demokartike në botën e lirë. Putini ka filluar të kundërshtohet për të parën herë dhe, po ashtu, e ka ndjerë dështimin për të parën herë.
Radio Evropa e Lirë: A doni të thoni se fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe çdo gjë që ka ndodhur prej atëherë, paraqet fitore për Putinin? Ose a do të vendos udhëheqja e re e Shteteve të Bashkuara se putinizmi paraqet rrezik për botën?
KASPAROV: Duket qartas se fitorja e Trumpit ishte – në shumë aspekte – rezultat i operacioneve aktive të shërbimeve sekrete ruse, operacioneve të hakerizmit, që në ditët finale të garës ndërmjet Trumpit dhe ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, ndikuan në sasi të rëndësishme te votuesit amerikanë, të cilët në fund, i zgjodhën republikanët, pasi praktikisht ishin shtyrë larg nga zonja Clinton. Zgjedhja e tyre nuk ishte ideologjike, por më duket mua, ishte çështje e shijes së formuar nga ndikimi i sulmeve informative dhe them që ishte fitore e Pirros, që ishte menaxhuar në mënyrë të suksesshme nga ata që i kishin nën kontroll sulmet e hakerëve rusë. Unë them, se ishte fitore e Pirros, pasi rezultatet ishin të tilla që Putini dhe Rusia e Putinit, për të parën herë, janë bërë faktorë brenda politikës së brendshme amerikane, që është shumë e pazakonshme. Por, tash Putin është shndërruar në problem të brendshëm politik për Shtetet e Bashkuara. Programet e lajmeve dhe emisionet e ndryshme janë të dominuara nga kontaktet ndërmjet Trumpit dhe ndihmësve të tij me Rusinë, përfshirë agjencitë e spiunimit të Rusisë.