Soçi, 15 maj – Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot se ndoshta do të ketë takim me kolegun e tij amerikan Donald Tramp në margjinat e Samitit të G-20, që në fund të muajit të ardhshëm do të mbahet në Japoni.
Deklarata e Putinit vjen pas paralajmërimit të djeshëm të Trampit se planifikon që të takohet me të gjatë Samitit të G-20, transmeton KOHA.
Kremlini në reagimin e deklaratës së Trampit, sot kumtoi se Putini “është i disponuar për takim” me presidentin amerikan, por se deri më tani nga Uashingtoni nuk është marrë kurrfarë kërkese zyrtare për takim.
Putini në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin austriak Aleksandër van der Belen në Soçi sot deklaroi se Rusia është plotësisht e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve me SHBA-në, atëherë kur në Uashington do të krijohen kushte interne politike për një gjë të tillë.
“Jemi të gatshëm, por nuk varet nga ne, por nga partnerët tanë amerikanë. Kur ata do të jenë të gatshëm për këtë dhe kur do të ndryshohet politika e tyre e brendshme që të jetë produktive, ne jemi të gatshëm për gjithçka që është e nevojshme nga ana jonë”, deklaroi Putini. (koha.mk)