Fushata brutale ushtarake e Rusisë dhe regjimit të presidentit sirian Bashar Al Assad në Siri po krijon një gjeneratë të re të terroristëve të cilët do të përbëjnë kërcënim për tërë botën, duke përfshirë Britaninë e Madhe, deklaroi shefi i shërbimit sekret anglez MI6, Alex Younger, transmeton Gazeta Metro. Në fjalimin e tij të parë si shef i këtij shërbimi, ai i kritikoi forcat ruse dhe ato siriane, duke thënë se veprimet e tyre po çojnë në radikalizim të mëtutjeshëm të situatës dhe krijim të gjeneratës së re të terroristëve që janë të gatshëm të ndërmarrin sulme për organizatën ISIS. Ai shtoi se kaosi që po mbretëron në Siri po i lejon të rinjve sirianë që të planifikojnë sulme terroriste në gjithë Evropën perëndimore, shkruan The Independent. “Ndërkohë që unë po flas, strukturat e organizuara mirë të ISIS-it po planifikojnë sulme në zemër të Evropës, edhe pse shteti i tyre është në gjendje lufte”, tha ai. Deklaratat e shefit të MI6 janë në kundërshtim me ato të presidentit amerikan Donald Trump dhe këshilltarëve të tij, duke qenë se këta të fundit kishin shprehur admirim për veprimet e Rusisë në Siri dhe e shohin Putinin si bashkëpunëtor dhe aleat kundër ISIS-it. Ai gjithashtu kritikoi shtetet që po përdorin teknologji kompjuterike për të ndërhyrë në sisteme të shteteve të tjera, pa përmendur rolin e dyshimtë të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane.