Presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi se Kroacia është partner i rëndësishëm i Moskës dhe e potencoi lidhjen e posaçme midis dy vendeve në planin ekonomik.
Pas takimit në Soçi me kolegen kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq, Putin mbrëmë në Moskë deklaroi se në Kroaci punojnë banka ruse, Sberbanka dhe VTB banka, të cilat i kanë ndihmuar “Agrokor”-it.
“Bashkëpunimi ekonomik ruso-kroat është i mundur edhe gjatë ndërtimit të anijeve”, deklaroi Putin.
Kryetari i Odës Еkonomike kroate Lluka Burlloviq, i cili e kryeson delegacionin nga 90 firma kroate në Rusi, deklaroi se përveç anijeve, pjesa më e madhe e eksportit të prodhimeve kroate në Rusi u dedikohet ilaçeve, kozmetikës, pajisjeve, transformatorëve elektrik dhe disa lloje të anijeve.
Kolinda Grabar-Kitaroviq theksoi se Rusia është e mirëseardhur në Iniciativën tre dete.
“E jashtëzakonshme është rritja e këmbimit të mallrave edhe krahas sanksioneve. I përshëndeta të gjithë investimet ruse, posaçërisht interesin për investime në sferën e energjetikës”, theksoi presidentja kroate.
Paraprakisht, në takimin në Soçi, Putin tha se Kroacia është partner i rëndësishëm i Rusisë në Evropë dhe Ballkan.
“Biseda me presidenten e Kroacisë ishte konstruktive dhe i konfirmoi qëllimet e të dy vendeve për zhvillim të bashkëpunimit në të dy drejtimet”, theksoi Putin në konferencën e përbashkët për shtyp.
Ai theksoi se në takim janë shqyrtuar masa konkrete për zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral, ndërsa vëmendje të posaçme i është kushtuar lidhjeve ekonomike.
Putin njoftoi se vitin e kaluar, këmbimi tregtar midis Rusisë dhe Kroacisë ka qenë 898 milionë dollarë, dhe se në gjysmën e parë të këtij viti është rritur për 64 për qind.