Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka pritur në një takim pune në Moskë, kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Në takim morën pjesë edhe zyrtarë të lartë ushtarakë nga të dyja vendet, si dhe i dërguari presidencial rus për Sirinë, Alexandre Lavrentyev.
Para se të takohen sot, dy liderët zhvilluan një bisedë telefonike në të cilën kanë biseduar për bashkëpunimin ushtarak dhe situatën në Lindjen e Mesme.
Mediat ruse bëjnë të ditur se kryeministri izraelit do t’i shpalos Putinit një plan për zgjidhjen e çështjes së Sirisë, gjë e cila është komentuar nga zëdhënësi presidencial rus Dmitry Peskov. “Nëse ofrohet një plan, Rusia do ta shqyrtojë atë”, tha ai.
Vizita e kryeministrit izraelit në Moskë vjen disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në Izrael.
Kjo është vizita e parë e Netanyahut në Rusi, që nga vendimi i papritur i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump muajin e kaluar, për të njohur pretendimin territorial të Izraelit mbi Lartësirat e pushtuara të Golanit sirian, të cilin veprim Moska zyrtare e kundërshtoi.